Odalloviqi në Prishtinë

Odalloviqi në Prishtinë

Nga Enver Robelli - 15/06/2021

Velko Odalloviqi ka qenë njëfarë “guvernatori” i Kosovës në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Odalloviqi, pra, ka qenë njëri nga burokratët serbë në Prishtinë që ka zbatuar politikat e Beogradit për diskriminimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Me kthimin në pushtet të socialistëve serbë para një dekade, Odalloviqi sërish mori funksione në qeverinë e Serbisë. Prej vitesh ai kryeson delegacionin serb që diskuton me palën kosovare për çështjen e të zhdukurve.

Pra, “guvernatori” i Millosheviqit do të duhej të tregonte se si dhe ku i kanë fshehur, groposur, rigroposur dhe djegur viktimat civile shqiptare autoritetet serbe. Emërimin e Odalloviqit nuk e ka kundërshtuar asnjë qeveri e mëparshme e Kosovës, ndonëse e kaluara e tij dihet mirë. Madje Odalloviqi ka ardhur disa herë në Prishtinë për të folur me palën kosovare për çështjen e të zhdukurve.

Kërkesa e Albin Kurtit që Odalloviqi të mos jetë pjesë e dialogut për shkak të biografisë së tij politike, tingëllon e drejtë, por është e vonshme. Sepse Odalloviqi tashmë është pranuar nga qeveritë e mëhershme kosovare si partner negociatash.

E çka pranohet njëherë, zor se mund të zhbëhet. Siç do të jetë pothuaj e pamundur të zhbëhet bashkësia e komunave serbe, por ndoshta së paku mund të kufizohet dëmi deri-diku dhe kjo bashkësi të mos ketë kompetenca të një “minirepublike serbe” brenda Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco