Daka&CO, problemi nuk është shkarkimi, por ngarkimi

Daka&CO, problemi nuk është shkarkimi, por ngarkimi

Nga Syri.net Kosova - 15/06/2021

 

Mediat dhe “analistët” që janë kundër Abin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, natyrshëm janë ngritur edhe kundër shkarkimit të Valdete Dakës. I kuptueshëm është reagimi i disa organizatave që thonë se përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë, por që në fakt shpesh u kanë shërbyer interesave të partive. Të pritshme janë edhe akuzat nga opozita aktuale, deri dje kapëse e shtetit, që tash drejton gishtin për kapjen e re , nga Vetëvendosja.

Valdete Daka u ka shërbyer më së miri interesave, veçmas të PDK-së, por edhe të partnerëve të saj më të vegjël, si në rastin skandaloz të Nismës. Vetëm me një KQZ që udhëhiqej prej marionetës politike, mund të kalohej pragu, që një herë rezultoi se nuk ishte kaluar.

Trafikimi i Nismës në Kuvend, mundësoi edhe skenarin e vjetshëm të përmbysjes së qeverisë Kurti dhe rikthimin e PAN-it në pushtet, kësaj here nën drejtimin e LDK-së. Daka çuditërisht, kishte shtuar ca patundshmëri me vlerë në lkistën e pasurive të saj, pikërisht në këtë periudhë. Një prag i frytshëm!

Skandalet e kryetares së KQZ-së janë të njohura. Nën drejtimin e saj, iu ndalua kandidimi në zgjedhje liderit kryesor opozitar, të cilit pak muaj më herët i ishte lejuar në të njëjtën kornizë ligjore.

Daka, bëri ç’mundi që votimi nga diaspora të zvarritej e të pamundësohej, duke detyruar mërgimtarët që të paguanin qindra euro për dërgimin e një vote me postë.

Si kryetare e Komisionit Qëndror Zgjedhor, mëkatet e gjyqtares që e kryesoi atë me bekimin e vazhdueshëm të Hashim Thaçit, janë të shumta.

Kosova, vërtet ka organizuar zgjedhje siç thuhet, shembullore, por edhe vjedhjet e votave, shembullore kanë qenë në vazhdimësi. Falë një elektorati të kulturuar dhe prezencës ndërkombëtare, problemet kanë qenë të pakta, megjithatë vjedhjet e votave, ka pasur raste kur kanë qenë në nivele ‘industriale’, si në vitin 2010.

Manipulimet më të mëdha zakonisht kanë ndodhur me listat e kandidatëve për deputetë. Kjo farë hajnie e ulët, pranohet publikisht nga të gjitha partitë dhe është potencuar disa herë edhe nga e shkarkuara Daka. Por, kjo e fundit, nuk e vuri ujin në zjarr, që ta ndalonte një dukuri të tillë.

Largimi i saj, ishte i pritshëm, ashtu siç janë të pritshme largimet e të gjithë drejtuesve, të emëruar mbi baza të shërbimeve partiake apo klienteliste, në kundërshtim me interesin publik e duke shkelur ligjet.

Nëse dikush ka menduar se pushteti i ri do të punojë me shërbëtorët e pushtetit të vjetër, atëherë duhet të jetë shumë naiv.

Problemi pra, nuk është shkarkimi i këtyre që po ecin, por kush vjen në vendin e tyre. Nuk mund të kërkojmë rezultate të tjera nga një strukturë e vjetër, e stërkonsumuar dhe me hipoteka të së kaluarës.

Është në dorën e qeveritarëve të sotëm, të dëshmojnë se shkarkimet po bëhen për t’u hapur rrugë ndryshimeve pozitive dhe reformave. Është ende herët për të nxjerrë një përfundim.

Sa i takon Dakës, reagimi indiferent i BE-së dhe indiferenca e ambasadave në Prishtinë, është tregues i mjaftueshëm, se nuk është diçka shqetësuese.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco