Ngritja dhe rënia e Serbisë në Kumanovë

Ngritja dhe rënia e Serbisë në Kumanovë

Nga Emin Azemi - 09/06/2021

Më 23, 24 tetor, 1912 në afërsi të Kumanovës trupat serbe të Armatës së parë u ndeshën me Armatën turke të Vardarit, me ç'rast epilogu i luftimeve rezultoi në fitoren e forcave serbe dhe shpartallimin e ushtrisë turke. Për pasojë mbi 10 mijë shqiptarë mbetën të vrarë në këtë betejë, si rrjedhojë e konfuzitetit që kishte zotëruar në radhët e armatës turke, e cila gjatë tërheqjes frontin ua kishte lënë shqiptarëve të papërgatitur për ballafaqim me serbët.

Historiografia serbe këtë betejë e kualifikon si fundin e dominimit Otoman në Ballkan dhe si prologun e kthimit triumfal në Kosovë, Maqedoni deri në bregdetin shqiptar të Adriatikut.

Shtypi serb i asaj kohe kishte tituj bombastik: "Hakmarrje për Kosovën dhe Metohinë e shenjtë!"
Më 9 qershor 1999, në aeroportin sportiv Haxhitepe në Kumanovë, u nënshkrua Marrëveshja tekniko-ushtarake në mes të gjeneralëve të NATOs dhe oficerëve serbë.

Ky shënonte edhe kapitullimin e Serbisë në Kosovë.
Beteja e Kumanovës dhe Marrëveshja e Kumanovës kanë ndodhur në një hark kohor prej 87 vjetësh dhe në vetvete përbëjnë një cikël historik me bilance të ndryshme gjeopolitike e ushtarake.


Më 1912 Serbia triumfoi, por më 1999 - kapitulloi.

Kosova nga vetmia shekullore e mungesës së aleancave gjeostrategjike, për njëherë u bë një faktor që filloi të rotullohet në orbitën gjeopolitike.
Por, Serbia dhe Kosova tani sërish ndodhen në një konflikt të ngrirë, për shkak të mospranimit nga ana e Serbisë të realitetit në terren i krijuar pas vitit 1999 dhe për shkak të refuzimit të Kosovës që të trajtohet edhe më tej problem i brendshëm i Serbisë.

Serbia humbi në luftë, por po arrin të etablojë, me diplomaci dhe me propagandë, synimet e veta që i kishte fituar në Betejën e Kumanovës.
Kosova ka rrezik të humb përfitimet e Marrëveshjes së Kumanovës së para 22 viteve, për shkak të qasjes tepër fatale të klasës politike të 20 viteve të kalauara, e cila pranoi të rinegocojë për statusin e Kosovës pa ia kërkuar askush nga bashkësia ndërkombëtare.
Para 22 viteve gjithë bota demokratike ishte me Kosovën.

Sot ka rrezik që vëmendja e botës demokratike të zhvendoset nga Kosova, sepse vet lidershipi i saj ka treguar papjekuri shtetërore në udhëheqjen e procesve në paqë, duke përqafuar çdo dokument që i afrohej në tavolinën e dialogut me Serbinë. Sepse, siç ka thënë Çerçili, më të vështira janë betejat e paqës se sa ato të luftës.

A po i humb Kosova betejat e paqës, që i kishte fituar ushtarakisht me ndihmën e NATOs dhe UÇKsë?
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco