Reciprociteti standard ndërkombëtar

Reciprociteti standard ndërkombëtar

Nga Musa Limani - 09/06/2021


Parimi i reciprocitetit, ka disa vite dhe aktualisht, ishte dhe tani është temë e nxehtë dhe po politizohet në skenën politike të Republikës së Kosovës. 

Menjëherë pas zgjedhjeve të fundit, dhe aktualisht, çështja e parimit të reciprocitetit, është bërë temë diskutimi e politizuese e partive opozitare, e cila në mënyrë permanente dhe shumë të ashpër e pa argumente po e kritikon Qeverinë aktuale, në mos zbatimin e reciprocitetit të premtuar në fushatën elektorale. 

Këto akuza të opozitës filluan që në ditët e para të konstituimit të Qeverisë aktuale, bile do të thoja ende pa u ulur mirë Kryeministri në karrigen e tij qeveritare. Normalisht, roli i opozitës është që të kundërshtojë pozitën, por me argumente. 

Andaj, për të kritikuar punën e Qeverisë duhet pritur të kalohen së paku 100 ditë, e më pas të bëhet vështrim kritik rreth punës së saj, e jo pa u bërë 30-60 ditë. Nga sjelljet e tyre, del se partitë opozitare nuk po sillen në mënyrë konstruktive, paraqitja e të cilave në debate dhe parlament, po tregohet destruktive. 

Qëllimi i tyre nuk ka të bëjë me implementimin e parimit të reciprocitetit, apo punës së Qeverisë, por duke kritikuar mos futjen e reciprocitetit në zbatim, po tentohet që Qeveria aktuale të kundërshtohet nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke tentuar që në këtë mënyrë të rrëzojnë atë dhe vet të rikthehen në pushtet. 

Ndërkaq, këto parti sa ishin në pushtet, nuk insistonin në futjen dhe zbatimin e reciprocitetit, bile në Qeverinë Hoti kjo masë edhe u hoq, të cilën më parë e kishte futur dhe implimentuar Qeveria Kurti I.

Po ashtu, reciprociteti është bërë edhe temë trysnie e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Me qëllim që të fillojnë negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, faktori ndërkombëtar po insiston që të mos implementohet parimi i reciprocitetit ndaj Serbisë. 

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, implementimi i kësaj mase ndaj Serbisë, nuk është dëshirë dhe vullnet i Kosovës. Kosovës reciprociteti ndaj Serbisë, po i imponohet nga masat politike, shoqërore dhe ekonomike që po i merrë ky vend ndaj vendit tonë, si kundër përgjigje gjegjëse. 

Serbia, po manipulon me serbet në Veri të Kosovë në të gjitha fushat jetësore, si: në fushën politike në mos respektimin e shtetësisë së Kosovës (në komunat serbe, jo vetëm në veri, por edhe në komunat tjera, nuk ke asnjë elementë të shtetësisë së Kosovës), në ekonomi në mos pagimin e rrymës elektrike, të ujit, si dhe vuarjen e barrierave të shumta ndëshkuese e ndaluese në transaksionet ekonomike, me barriera dhe masa të ndryshme jo doganore. 

Mirëpo, për habi, faktori ndërkombëtar asnjë herë nuk ia tërhoqi vërejtjen Serbisë për këto sjellje të saja që po ia bënë Kosovës?! Andaj, sipas sjelljeve të faktorit ndërkombëtar po del se, Serbia është viktimë e Kosovës, e jo Kosova viktimë e Serbisë. 

Nga kjo mund të nxirret konstatimi se Kosova po “bënë” problem për fillimin e negociatave dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, e jo Serbia. Me fjalë të tjera, faktori ndërkombëtar, veçmas Bashkimi Evropian në këtë rast po përdor dy kute, njërin për Kosovën duke i bërë tryseni pa të drejtë, e tjetrin duke e mbështetur Serbinë po ashtu pa të drejtë. Qëndrimi i tillë i faktorit

ndërkombëtar, e ka bërë fëmijë të lazdruar Serbinë, si dhe me qëndrimet e tyre, ndaj Kosovës po sillen si njerkë, e ndaj Serbisë si nënë.

Andaj, duke përcjellur debatet (që disa analist as që e kuptojnë reciprocitetin), si dhe trysnitë e faktorit ndërkombëtar në këtë fushë, e me qëllim që të sqarohet efekti i zbatimit të reciprocitetit në jetën praktike, që në fillim po japim kuptimin e këtij parimi si masë standarde ndërkombëtare, që përdoret në gjitha vendet e botës, si në fushën politike e shoqërore, ashtu dhe në sferën ekonomike.

Marrë në tërësi, parimi i reciprocitetit, nuk ka të bëjë vetëm me transaksionet ekonomike (tregtinë e jashtme), edhe atë jo me sasi, por me veprim në sferën politike, arsimore, të drejtave njerëzore, përzierjen në punë të brendshme etj. 
Andaj, të gjitha vendet e botës, e përdorin dhe e zbatojnë reciprocitetin, për t’iu kundërvuar cilit do vend, i cili e përdorë këtë masë qoftë në fushën politike, ekonomike apo në sferat e tjera jetësore, si kundërpërgjigje për masat gjegjëse ndaj vendit përkatës. 

Nuk ka nevojë që paraprakisht të publikohet kjo masë, sepse ajo ka veprim automatik, çdo vend zbaton këtë masë si kundërpërgjigje për çfarëdo mase gjegjëse në të gjitha fushat, që i merrë cilido vend tjetër ndaj vendit të tij. Andaj, kjo e drejtë i takon edhe Kosovës si vend i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranuar, duhet të marrë masa, qoftë në fushën politike, shoqërore dhe ekonomike në mënyrë reciproke, jo vetëm ndaj Serbisë, por ndaj cilit do vend tjetër që venë masa përkufizuese ndaj vendit tonë, në cilëndo fushë jetësore, qofshin ato pozitive apo negative. 

Andaj, nga aspekti pozitiv, me reciprocitet duhet kuptuar çdo lehtësim të përcillet (jepet) me lehtësim të kundër gjegjës, në të gjitha fushat jetësore ndërmjet dy e më shumë vendeve, dhe anasjelltas, nga aspekti negativ, apo më mirë me thënë ndëshkuese, çdo përkufizim t’i kundërvihet me masa gjegjëse në të gjitha fushat jetësore, qoftë në pikëpamje bilaterale, apo multilaterale.

Me fjalë të tjera kjo do të thotë se, çfarëdo mase që ndërmerr Serbia ndaj Kosovës, qoftë në fushën politike, shoqërore, ekonomike etj., të njëjtat duhet t’i ndërmarr edhe Kosova ndaj Serbisë. Madje, jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj cilit do vend tjetër, Kosova duhet t’i përgjigjet në mënyrë gjegjëse, pra me të njëjtat masa. 

Andaj, parimi i reciprocitetit nuk ka të bëjë me sasi, por me kundër veprimit ndaj masave që ndërmerr vendi tjetër ndaj Kosovës, cili do qoftë ai.

Andaj, në futjen në funksion të parimit të reciprocitetit nga ana e Kosovës, me të madhe po reagon faktori ndërkombëtar, që mendojë se është i pa drejtë. Të gjitha vendet që po na sugjerojnë se nuk duhet të zbatohet reciprociteti ndaj Serbisë, ato vende ndaj vendeve të cilat nuk e respektojnë politikën e tyre, zbatojnë masa politike dhe ekonomike ndaj tyre, i ndëshkojnë, apo më mirë me thënë i kundërpërgjigjen me masa gjegjëse të reciprocitetit, bile edhe më shumë, duke përdorur ndaj tyre edhe embargo ekonomike etj.

Madje, faktori ndërkombëtar nuk po e thotë asnjë fjalë kundër Serbisë e cila, në mënyrë permanente ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke ndërtuar edhe koloni në pjesën veriore të Kosovës, në një anë, e duke i shpërngulur shqiptarët nga trojet dhe shtëpitë e tyre, në anën tjetër, me ç’rast po përdhoset sovraniteti, territorialiteti dhe kushtetutshmëria e vendit tonë. 

Në të kundërtën, Serbia në Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore), shqiptarëve po ua mohon të drejtët elementare njerëzore e kombëtare. Shqiptarët në Serbi janë minoriteti më i përbuzur. Ndër të tjera, Serbia, shqiptarët e Luginës së Preshevës në mënyrë perfide po i shpërngulë nga trojet e tyre etnike, e si popull autokton i këtyre trojeve, duke i

ç’regjistruar nga Libri Civil, me ç’rast po ua merrë shtetësinë dhe po bënë spastrim territorial, ashtu siç kishte vepruar edhe në “Toplicë”, më 1878. Për këto procese gjenocidiale që Serbia po i bënë në mënyrë permanente ndaj popullatës autoktone shqiptare në Luginën e Preshevës, faktori ndërkombëtar nuk po reagon për këto procese anti njerëzore ndaj Serbisë.

Veprimi i tillë i Serbisë ndaj minoritetit shqiptar në Luginë, është në kundërshtim të plotë me të gjitha normat njerëzore dhe postulatet e të drejtave njerëzore, si dhe zgjidhjen e drejtë të minoriteteve sipas standardeve të Bashkimit Evropian. 

Siç dihet, zgjidhja e drejtë e minoriteteve paraqet njërin ndër faktorët kryesor që një shtet të bëhet anëtar i përhershëm i Bashkimit Evropian. Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Serbia, si do të bëhet anëtare e BE-së, kur me asnjë vend fqinjë nuk ka raporte të mira, dhe as përafërsisht nuk e ka zgjidhë çështjen e minoriteteve, veçmas të shqiptarëve, që të dyja paraqesin faktorë kryesorë për anëtarësim në BE?

Andaj, presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës, është i gabuar, i pa drejtë, jo real dhe i pa pranueshëm. Faktori ndërkombëtar insiston se për të vazhduar negociatat Kosovë-Serbi, Kosova nuk duhet të fus në funksion reciprocitetin, a nuk u thotë asnjë fjalë Serbisë, kur presidenti i këtij vendi z. Vuçiq në deklaratat e tija publike, për herë po potencon se edhe Serbia duhet të fitojë diçka dhe kurrë nuk do të pranojë të firmos pranimin e Kosovës.

Pra, ai në sy po u thotë ndërkombëtarëve se Serbia është për negociata, por duhet bërë kompromisë, në kuptimin e shkëputjeve të territoreve të Republikës së Kosovës. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk mund të bëhet fjalë për ndryshim kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë. 

Kur kësaj i shtojmë edhe lobimin e Serbisë me gjithë arsenalin e saj shtetëror cep më cep botës, për tërheqjen e njohjeve vendeve që e kanë pranuar Kosovën, në një anë, dhe për mos pranim të atyre që ende nuk e kanë pranuar, në anën tjetër. Atëherë, pas këtyre opinioneve shtetërore të Serbisë, s’di sa mund të ketë vend për dialog të mirëfilltë me Serbinë. Në këtë mënyrë Serbia po bënë barriera si politike ashtu edhe ekonomike. 

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, si mund të flitet për negociata që faktori ndërkombëtar, veçmas SHBA insiston në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare, duke finalizuar me pranim reciprok ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëndrimet e sipër cekura të presidentit të Serbisë z. Vuçiq. Andaj, që të ketë sukses arritja e marrëveshjes përfundimtare, vazhdimi i negociatave Kosovë-Serbi, duhet të jetë në baza të barabarta si dy shtete, si në fushën politike, ashtu dhe në sferën ekonomiko-shoqërore, duke vendosur parimin e reciprocitetit në të gjitha fushat jetësore që tangojnë vendin tonë.

Prandaj, trysnia e faktorit ndërkombëtar duhet të orientohet ndaj Serbisë, e jo ndaj Kosovës, sepse ne kemi bërë kompromise maksimale me Programin e z. Atisari, për të fituar lirinë dhe pavarësinë dhe ato do të jenë të fundit. 

Nëse edhe tani nga ana e faktorit ndërkombëtar kërkohet, apo më mirë me thënë lejohet, siç po flitet kohëve të fundit për ndryshim-korrigjim të kufijve, për Kosovën është i pa pranueshëm, sepse, së pari, cenohet sovraniteti, territorialitet dhe kushtetutshmëria e Kosovës, dhe së dyti, do të jetë ofendim për të gjitha vendeve që e kanë pranuar Kosovën me kufijtë ekzistues.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco