Është e vërtetë, po të ishte Armend Zemaj nuk do të priste njeri në rradhë për vaksinë

Është e vërtetë, po të ishte Armend Zemaj nuk do të priste njeri në rradhë për vaksinë

Nga Syri.net Kosova - 14/05/2021

Radhët e gjata të të moshuarve në pritje të vaksinimit te salla 1 Tetori në Prishtinë, ua kanë dhënë një argument opozitarëve kosovarë që ta ‘kryqëzojnë’ qeverinë e Abin Kurtit për dështim në organizim dhe në menaxhimin e pandemisë.

Kritika është e pritshme kur sheh një kaos të tillë, por rrallëkush pyet se pse u dyndën njerëzit duke shpërfillur njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë që sipas komunës, të drejtohen edhe personat për vaksinim.

Vala e akuzave shkon deri atje se po e bëjnë përgjegjës për dy muaj qeverisje pushtetin e Albin Kurtit, për krejt degradimin që ndodhi në këto dy dekada në Kosovë, sidomos në shëndetësi.

E kur i dëgjon se si e drejtojnë gishtin akuzues këta që deri dje, as që u mërzitën ndonjëherë për shëndetin e popullatës, nuk ka se si t’u besosh.

Sidomos kur dikush bën krahasime se po të ishte Armend Zemaj ministër, nuk do t’i shihnim këto pamje rradhësh të gjata. Nga një anë, ashtu i bie të ndodhte. Me Zemajn ministër, asnjë vaksinë nuk do të mbërrinte në Kosovë e si rrjedhojë nuk ka pasur nevojë që askush të shkojë të presë në radhë për t’u vaksinuar.

Rradhë për vaksina sheh në Amerikë e në çdo vend tjetër, sidomos në fillimet e vaksinimit, kur interesimi është më i madh për t’u vaksinuar kundër Covidit.

Shqiptarët, e dimë të gjithë, edhe kur aterron aeroplani, të gjithë ia mësyejnë derës njëkohësisht për të dalë. Le ta fajësojmë shtetin, kur e meriton, por jo edhe për kulturën njerëzore që është përgjegjësi e secilit individ.

Pse është dashur ata që nuk janë banorë të Prishtinës, të presin për vaksina te “1 Tetori”, nëse e kanë pasur vendbanimin në një komunë tjetër?

Ministria e Shëndetësisë ka mundur ta menaxhojë më mirë, duke e ditur edhe padurimin e njerëzve në pritje të një vaksine që shpëton jetë.

Nuk mjafton vetëm një njoftim në Facebook, por duhet një informim më efektiv. Meqë qeveria e ka vendosur prioritet menaxhimin e pandemisë, duhet edhe në praktikë ta dëshmojë një gjë të tillë.

Në menaxhimin e pandemisë ka gabuar e dështuar krejt bota dhe këtë e konfirmuan edhe vetë raportet e fundit të OBSH-së, e lëre më Kosova.

Të gjithë kanë të drejtë të kritikojnë jo vetëm për rradhët e gjata të pajustifikueshme, por jo edhe këta që e rrëzuan qeverinë se lakmonin pushtetin, në ditët më të errëta të Kosovës që prej përfundimit të luftës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco