Ëndrra e vonuar konte(k)stuale për “një pleqëri” pa shpresa

Ëndrra e vonuar konte(k)stuale për “një pleqëri” pa shpresa

Nga Enver S. Morina - 11/05/2021

Vite më parë, kur kisha realizuar 66 intervista me kineastë, bisedova me një nga botuesit e mëdhenj në Tiranë që të përzgjedhin 33 intervistat “e para” në një vëllim. Biseduam disa herë edhe në redaksi. Gati të gjitha bashkëbisedimet ishin me kineastë që kishin punuar në Kinostudio. Bashkëbisedim? Shumica janë më zë. 

Pasi ndjeka studimet pasuniversitare, dhashë provimet dhe nuk arrija dot të paguaja të gjithë obligimet e pagesës, vedit i caktova të hulumtoja “periudhën e parë” të kinematografisë shqiptare, me syrin e një shikuesi nga Kosova. 

Nga viti 1972 përcjell Televizionin Shqiptar. Filmin e parë në kinema të hapur e kam parë në Kijevë në fillim të viteve 70-ta. 

Në vitet 90-ta udhëhiqja rininë e fshatit. Në mesin e tyre kisha krijuar një afërsi të ngushtë me disa që përcillnin filmin shqiptar. Dhe shih, për fakte të reja të dokumentuara në letër, kishim shkruar titujt e filmave që kishin parë në TVSH, prodhime të Kinostudios. Kishim shënuar afër 200 filma. Ishte një testim se kush kishte parë më shumë, por edhe të gjenden të gjithë filmat. 

Pas Festivalit të Filmit Artistik Shqiptar të vitit 2000 (isha në Tiranë përgjatë një jave me prof. Masar Stavilecin dhe Bujar Tafën) dhe angazhimit në gazetari aktive (2003) u përqendrova dhe i gëzohesha çdo interviste me kineastë të moshuar, që i takonin periudhës 1953-1972. 

Një nga shkrimet e para të botuar në revistën “Sheshi” për ekranizimin e veprave letrare kishte titullin “Filmi shqiptar dhe vepra e Ismail Kadaresë”. Ishte vitit 1998. Asnjë nga gazetarët dhe kritikët e sotëm që atëkohë ishin në moshën e “pjekurisë” nuk më udhëzoj t’i kthehem asaj periudhe. Se ishin të përkushtuar ndaj vlerave kjo nuk ka dyshim dhe as dilema.

Pasi isha student i letërsisë ëndërroja të takoja historianët dhe kritikët e letërsisë. Dhe shkrimtarët. Por që të takoja djalin (Lekën) që mohon nënën të filmi “Toka jonë”, dy nga komplotistët (Selamin dhe Pepinin) të filmi “Duel i heshtur”, njërën nga heroinat (Mira Korani) të filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen”, të flijuarin socialist (Urani) te filmi “Horizonte të hapura”, agjentin (Kiçua) në filmin “Njësiti gueril”, komisarin (Ibrahim Kovaçi) te filmi “I teti në bronx”, shoferin (Thoma Shpuza) te filmi “Kur zbardhi një ditë”, gruan heroine (Nënë Pashako) te filmi “Yjet e netëve të gjata”, etj. 

Mario (Arben) Ashikun, Reshat Arbanën , Bujar Kapexhiun, Eglantina Kumën, Dhimitër Orgockën, Mevlan Shanaj, Demir Hyskjen, Tinka Kurtin as që e kam ëndërruar. Të mos flasim për krijuesit e filmit regjizorët, operatorët, skenaristët, siç ishin e janë Xhanfise Keko, Kristaq Dhamo, Muharem Fejzo, Todi Bozo, Viktor Gjika, Shyqyri Sako, Piro Milkani, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqin etj. të cilët i njihnim vetëm nga emrat në siglën e filmit! 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco