Sfidat e vetting-ut në sistemin ligjor të Kosovës

Sfidat e vetting-ut në sistemin ligjor të Kosovës

Nga Ibrahim Dobruna - 08/05/2021

Tani më është fakt notor përcaktimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që pos tjerash, të merret edhe me vettingun. Ka zëra për dhe kundër. Kjo është gjë e mirë, ngase çon në një debat të nevojshëm, gjithpërfshirës duke vënë në lëvizje sistemin e vlerave, bartësit e të cilave vlera nuk mungojnë në Kosovë. Debatet mund të shtrihen edhe tek profesionistët ligjor në Shqipëri, për të sjellur eksperiencat e tyre nga një vetting që është cilësuar si “bllokadë sistemi”, nga shumë kush i pa pëlqyer për shkak të mos funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë (Supreme), asaj të Apelit, dhe përtej. Por, duhet parë edhe anët e mira të atij procesi. Këtu duhet  pasur parasysh, edhe pretendimet kundërshtuese të disa oponentëve, që thirren në zbatimin tanimë të reformave të përfunduara, sipas tyre, në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Pse duhet bërë kjo?  Një proces ky shumë i ndieshëm, që kërkon profesionalizëm, përkushtim, durim dhe maturi, determinon nevojën e parashtrimit të qëllimeve qartazi të definuara që duhet përcillen me vizion të kornizuar saktë.

Për të pasur qëndrueshmëri dhe për të sjellë rezultate ky proces, duhet pasur parasysh sistemin e vlerave mbi të cilat do udhëhiqet, trajtohet dhe analizohet, për ta bërë efektiv dhe funksional para së gjithash sistemin e drejtësisë, por jo vetëm, përmes zbatimit të vettingut.
Vetting në anglisht, - në shqip ka kuptimin e verifikim (verification, check, vetting, ascertainment); korrigjim (correction, redress, rectification, retrieval, amandment, emendation) apo shqyrtim i imët (dissection, vetting).

Kur i bëjmë një vështrim këtij kuptimi të Vetting-ut, nga sqarimet si më sipër, është më se e kapshme se nuk kemi të bëjmë me “revolucion”, apo “heqje” kokash, por, verifikimi i shërben korigjimit duke shqyrtuar në imtësi sistemin. Për këtë duhet ndërtuar mekanizma funksional. Por një veturë e mirë, vëhet në lëvizje dhe bëhet e përdorshme, vetëm atëherë kur ka drejtuesin e mirë, që të qonë atje ku ke destinacionin.

Vlerat si: Pavarësia, Paanësia, Integriteti, Sjellja e hijeshme shoqërore, dhe Barazia, do të jenë garantet më të fuqishme për të lindur dhe jetuar vettingu në funksion të lirisë dhe demokracisë.

Pavarësia është qëllimi i parë. Sepse, pavarësia si vlerë paraqet një koncept i cili është dhe zgjon interesimin e bartësve të funksioneve lidhur me zbatimin e ligjit. Pavarësia nuk duhet kuptuar si privilegj. Pavarësia është detyrim (në raport me qytetarin përkatësisht me shoqërinë), ngase respektimi i këtij detyrimi mundëson, që bartësit e funksioneve të zbatimit të ligjit, të veprojnë:
- Në mënyrë të ndershme;
- Të paanshme;
- Bazuar ekskluzivisht në ligj dhe prova;
- Pa presion apo influencë nga jashtë dhe frikën e ndonjë ndërhyrje tjetër.

Thelbi i parimit të pavarësisë është liria e plotë, për shqyrtimin e çështjeve që vijnë në trajtim.

Përtej kësaj, koncepti i pavarësisë gjyqësore i referohet si pavarësisë personale të gjyqtarit, prokurorit, avokatit në njëren anë dhe në anën tjetër pavarësisë institucionale. Pavarësinë duhet kuptuar si një mentalitet dhe një set (mjet/vegël) organizimesh institucionale e operacionale që garantojnë pavarësinë e institucioneve në përgjithësi.

Pavarësia personale i referohet pavarësisë së gjyqtarit, prokurorit apo avokatit individual në ushtrimin e funksioneve të tyre. Pavarësia institucionale i referohet marrëdhënieve të gjyqësorit, prokurorisë dhe OAK-ës me degët e tjera të pushtetit ekzekutiv apo legjislativ në mënyrë që të sigurohet funksionimi i pavarur i këtyre institucioneve qoftë në kuptimin formal ashtu edhe në atë praktik.

Korrelacioni në mes të këtyre dy aspekteve të pavarësisë është i tillë që një bartës i funksionit të zbatimit të ligjit (Gjykatës, prokuror, zyrtarë tjerë në zbatim të ligjit apo avokat), ndonëse mund të kenë një liri personale, nuk mund të quhet kurrsesi i pavarur nëse gjykata, zyra e prokurorisë apo avokatisë, apo zyrtar të qeverisë, në të cilin ai/ajo punon nuk është i/e pavarur nga pushtetet e tjera në ushtrimin e funksioneve. Kjo duke qenë i determinuar nga:
• Influenca e ushtruar nga ekzekutivi;
• Presion nga legjislatura;
• Lidhje të mëparshme politike;
• Ndërhyrje nga kolegë më të vjetër në detyrë;
• Ndikimi i personave privat dhe sektorit të biznesit;
• Ndikimi i marrëdhënieve familjare ose shoqërore.

Në themel të konceptit të pavarësisë qëndron teoria e ndarjes së pushteteve e cila ndikon që gjyqësori, si një nga tre shtyllat kryesore në një shtet demokratik, duhet të funksionoj në mënyrë të pavarur nga dy pushtet e tjera: legjislativi dhe ekzekutivi. Marrëdhënia në mes të këtyre pushteteve nuk mund të jetë veçse një marrëdhënie njohje dhe respekti reciprok i rolit të secilit prej të tjerëve. Ky raport derivon nga roli dhe kompetencat e gjyqësorit në raport me dy degët e tjera të pushtetit. Kështu në raport me ekzekutivin, gjyqësori ka për detyrë të sigurohet që veprimtaria administrative e pushtetit ekzekutiv është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërsa në raport me legjislativin, një pjesë e gjyqësorit ushtron funksionin e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së ligjeve, ose të përputhjes së këtyre të fundit me traktatet ndërkombëtare të aderuara nga vendi.

Për tu realizuar kjo, gjyqësori duhet të jetë i imunizuar nga lidhjet dhe ndikimet e papërshtatshme të degëve të pushtetit. Në këtë mënyrë pavarësia shërben si një garanci për paanshmëri.

Paanësia është cilësia themelore që duhet ta karakterizojnë punën e një gjyqtari, prokurori, avokati, etj. Kështu pavrësia e ushqen paanësinë.

Paanësia mund të rrezikohet nga veprimi i shumë faktorëve të brendshëm ose të jashtëm të tillë si:
• Ndjenja të forta personale mbi çështjen ose palët;
• Interesa financiare të familjes;
• Njohje personale;
• Urdhra dhe komunikime ex parte;
• Deklarata publike;
• Oferta për punësim pas largimit nga detyra;
• Mocione për përjashtimin e gjyqtarit.

Paanësia kështu duhet të ekzistojë:
- në fakt;
- garancione ligjore e procedurale;
- të përceptohet nga çdo vëzhgues i jashtëm.

Shpjegimi më i qartë për përmbajtjen dhe kuptimin e parimit të paanshmërisë vjen nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në një nga vendimet e saja ka sqaruar se parimi i paanshmërisë përbëhet nga dy aspekte: Së pari, gjyqtari/prokurori duhet të jetë subjektivisht i pavarur (shembull, gjyqtari/prokurori apo ndonjë zyrtar tjetër nuk duhet të ketë ndonjë paragjykim apo interes personal për çështjen në trajtim). Paanësia e gjyqtarit/prokurorit në këtë kuptim duhet të prezumohet se ekziston përsa kohë që nuk ka ndonjë provë që e dëshmon të kundërtën. Së dyti, gjyqtari/prokurori apo ndonjë zyrtar tjetër duhet të jenë objektivisht të paanshëm. Paanshmëria në këtë kuptim të dytë (objektiv) nuk është gjë tjetër veçse tërësia e rregullave të procedurës të cilat garantojnë largimin e gjyqtarit/prokurorit apo ndonjë zyrtar tjetër nga vendimmarrja në rast se palëve në proces iu lindin dyshime të arsyeshme në këtë drejtim. 

Në kuptim objektiv, edhe dukja e paanshmërisë është një problem serioz. Ajo çka vihet në diskutim në këtë rast është besimi i publikut tek institucionet e drejtësisë. Kjo mund të pasqyrohet nga: Sjellja në sallën e gjyqit, komunikimi ex parte, sjellja jashtë gjykatës, konflikti i interesave, marrja pjesë në gjykimin/hetimin e çështjeve me interes personal, rastet kur justifikohet përjashtimi i gjyqtarit/prokurorit nga vendimmarrja, parimi i nevojës etj.

Integriteti si vlerë duhet të reflektoi në apo nga jeta private, konformitet me standardet e komunitetit, mos respektimi i ligjit, sjellja në gjykatë, që mund të marr formë tek sjellja personale e paqortueshme, standard sjellje në jetën publike dhe private, integriteti në gjykatë/prokurori, ekzekutiv, kuvend, respektimi rigoroz i ligjit, etj.

Sjellja e hijeshme në shoqëri, si vlerë do të reflektoj në kontakte shoqërore me profesionistet e fushës, mikpritja sociale e zakonshme, ushtrimi i lirisë së fjalës, shpërdorimi i prestigjit të gjykatës, dhënia e informacionit konfidencial, pjesëmarrja në aktivitete të komunitetit, pranimi i dhuratave, duke i dhënë formë një stili jete me kufizime, kontaktet shoqërore me profesionist tjerë, marrëdhëniet me palët, marrëdhëniet me pjesëtarë të familjes dhe miq, liria e shprehjes dhe asocimit, keqpërdorimi i prestigjit të funksionit gjyqësor/prokurorial, pjesëmarrja në edukimin juridik, keqpërdorimi i të dhënave konfidencale, pjesëmarrja në aktivitetet e komunitetit, pranimi i dhuratave, etj.

Barazia - Përmbajtja e rregullave/parime të veçanta nga Kodet e Kosovës që i korrespondojnë vlerës, si: zbatimi i standardeve ndërkombëtare, stereotipimi, reagimi ndaj shumëllojshmërisë së kulturave, diskriminimi gjinor, manifestime të paanshmërisë ose paragjykimit nga ana e personelit të gjykatës, prokurorisë apo zyrtarëve tjerë në zbatim të ligjit, çon tek ajo që njihet si vlerë e kompetencës dhe kujdesit.

Kompetenca dhe kujdesi - determinojnë mbajtjen e nivelit të kompetencës profesionale, përpikërinë në kryerjen e punëve, dhënien e vendimeve të caktuara, transparencën, korrupsionin në gjykatë, zbatimin e standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Kjo  nënkupton: trajnim i vazhdueshëm, rendiment në ushtrimin e funksionit, detyrim për të mbajtur rendin dhe rregullat e mirësjelljes, detyrim për të treguar durim, dinjitet dhe kortezi në ushtrimin e detyrave, ndarja e drejtë dhe e ndershme e punës, (mos) keqpërdorimi i stafit administrativ, etj.

Vlerat si: Pavarësia, Paanësia, Integriteti, Sjellja e hijeshme shoqërore, Barazia dhe Kompetenca e Kujdesi, mund të jenë garancionet më të fuqishme për të lindur dhe jetuar vettingu në funksion të lirisë dhe demokracisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco