Çka janë çartë ‘çlirimtarët’

Çka janë çartë ‘çlirimtarët’

Nga Syri.net Kosova - 07/05/2021

 

Tensione në Kuvend, posterë linçues, mbishkrime në veturë, retorikë e ashpër deri në krahasimin e ministres së jashtme me Sllobodan Milosheviçin !

Pas refuzimit të Hashim Thaçit&CO që të mbrohen në liri, Partia Demokratike e Kosovës ka nisur një fushatë të egër kundër qeverisë së Albin Kurtit, por shigjetat i ka drejtuar ndaj Donika Gërvallës. Ministrja e Jashtme, mund të ketë gabimet e saj, në një pozitë tepër me rëndësi, por ta krahasosh me kasapin e Ballkanit, është një mjerim politik.

PDK-ja është më mirë të reagojë ndaj idiotësive si ajo e e Nasim Haradinajt, që po u kushton taksapaguesve kosovarë qindra mijëra euro vetëm në fillim të procesit gjyqësor. Publikimi i pagesave për avokatët është veprim i drejtë dhe kosovarët duhen ta dinë se sa po u kushton Gjykata Speciale, sepse ata që përfunduan atje, nuk po shesin pasuritë e tyre të pajustifikueshme për të paguar mbrojtjen, por po marrin nga arka e shtetit.

Shumë akuza po bëhen ndaj qeverisë e cila sipas akuzuesve kryesisht nga PDK-ja, nuk po garanton për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së. Albin Kurti dhe partia e tij kanë qenë kategorikisht kundër Speciales dhe ende nuk pajtohen me të. Kjo Gjykatë u themeluar me presionin e jashtëzakonshëm të Hashim Thaçit.

Me gjasë, ish-presidenti nuk e ka parashikuar se vetë do të mbetej prapa grilave. Gjithsesi, ballafaqimi me drejtësinë është i vështirë, por i pashmangshëm. Etiketimi i qeverisë dhe presidentes si bashkëpunëtorë të Serbisë, është skandaloz.

Partia e Kadri Veselit e ka humbur udhën në oborr. Në prag të zgjedhjeve lokale që vijnë së shpejti, kanë zgjedhur rrugën e linçimit dhe nxitjes së tensioneve, në përpjekje për të hedhur njolla turpi mbi qeverinë e Kosovës, ende pa i bërë 100 ditë.

Fushata denigruese ndaj bijës së një patrioti të madh siç ka qenë Jusuf Gërvalla, do të ketë efekte negative për autorët e saj.

Për dy dekada, PDK dhe partitë e tjera që e humbën pushtetin turpshëm në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë bërë çfarë kanë dashur në Kosovë. Sidomos në diplomaci, është një situatë e tmerrshme. Në këtë sektor kaq të ndjeshëm, janë rehatuar gjatë viteve të kaluara militantë e kushërinj, analfabetë e banditë dhe tash sfida kryesore për ministren e re, është pastrimi i terrenit të kontaminuar në shërbimin e jashtëm.

Gjithandej, ka ‘mina’. Në secilën sferë. Qeveria duhet të sfidohet e të kritikohet në çdo moment, por faturën e degradimit, le ta mbajnë ‘çlirimtarët’ dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Nëse ende ka njerëz në politikën kosovare që mendojnë se fjala UÇK sjell vota, atëherë le ta harrojnë rikthimin në pushtet. Kaq shumë e kanë diskredituar luftën për liri, saqë mirë do të ishte një moratorium në hapësirën publike, që mos ta përmendin së paku përkohësisht.

Njeriu i luftës,  pas luftës, me kalimin e kohës, i identifikua si njeriu i paprekshëm, milioner, që është mbi drejtësinë, që vendos si do vetë, që nuk i jep askujt llogari, që e bën kënd të dojë deputet e profesor, drejtor e kryetar bordi, që e cakton paraprakisht fituesin e tenderit publik.

Çlirimtarët e vërtetë, ose ranë në fushën e betejës, ose e refuzuan batërdinë e pasluftës. Pjesa dërrmuese, bëjnë jetë modeste apo shpesh përballen me mbijetesën, sepse nuk kanë të ardhura.

Politikanët e ngritur mbi imazhin e luftëtarit të UÇK-së, janë varrmihësit e këtij imazhi. Së paku heshtni, se u bëtë horë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco