Dita e Lirisë së Medieve – Të jesh gazetar sot në Kosovë

Dita e Lirisë së Medieve – Të jesh gazetar sot në Kosovë

Nga Astrit Veliqi - 03/05/2021

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit i ka gjetur mediet në situatë të rëndë dhe të përkeqësuar, ku edhe gazetarëve kudo iu shkelen të drejtat e tyre, rrahën, kërcënohen, shantazhohen, por edhe vriten në misionin e tyre të shenjtë.

E kjo ditë, sidomos Kosovën e gjënë në situatë të palakmueshme, shto kësaj edhe faktin se vendi sot nuk e ka asnjë gazetë ditore të shtypur, e kjo për mediet dhe demokracinë është me shumë së zhgënjyese dhe e dhimbshme.

Gazetaria tradicionale e gazetave e ka humbur tashmë pamjen e saj, ku na kujtohet se si prindërit tanë, e sidomos të moshuarit por edhe elita intelektuale dikur gazetën e ka pasur si një objektiv kryesor ku janë informuar me të rejat në vend dhe në botë, dhe e kanë lexuar me endje duke e pirë kafenë e mëngjesit.

Por si kudo tjetër edhe në Kosovën si vend me demokraci të brishtë, por edhe të lodhur nga rrënimi i ekonomisë, pandemia Covid-19 bëri që pothuaj gazetat e pakta që ishin, të kalojnë vetëm në sistemin online.

Por cila është situata e medieve në përgjithësi në Kosovë, sa ato po arrijnë ta dërgojnë informatën, lajmin të publiku, sa janë efektive por edhe të besueshme, e shumë pyetje që pa mëdyshje në ketë rreth vicioz edhe duket e vështirë të marrin një përgjigje adekuate.

Mediet sot sidomos ato online, janë të shumta në treg dhe pothuaj po mbijnë sikur 'kërpudhat pas shiut', të cilat përveç një misioni fisnik që kanë para lexuesit e kanë humbur edhe hapin e tyre, duke u bërë në shumë raste si mjet i keq i propagandës dhe lajmeve të rreme.

Por kjo nuk po ndodh vetëm në vendin tonë, domosdo pothuaj pa përjashtim kudo në planet, megjithatë, rolin e medies, plasimin e informacionit, lajmit, sot më shumë po e luajnë rrjetet sociale, të cilat edhe janë bërë simbol i jetës, komunikimit dhe prezantimit të çdo informacioni.

Kjo ndodh sidomos sa herë ka ndonjë proces zgjedhor në Kosovë, ku klane e grupe të ndryshme të interesit po shfrytëzojnë situatën për të bërë si thonë ndonjë 'kokërr leku'.

Por përveç kësaj kjo dërgon edhe në një rrugë qorre dhe të rrezikshme, ngase lajmet e rreme e dezinformatat po prodhohen si konsum ditor, duke tentuar të futen në rrethin e atyre medieve serioze, që së mision të tyre e ka plasimin në kohë reale të lajmit dhe të informacionit sa më korrekt.

E në ketë mes, hapësirën e vetë të pakufishme e kanë fituar tashmë edhe rrjetet e shumta sociale, duke i lënë edhe mediet vetë nën hije, ngase siç dihet sot bëhet 'luftë' edhe për ‘klikime dhe followers’ të shumtë, duke qenë se një pjesë e madhe edhe përfitojnë nga reklamat dhe marketingu social.

Por kjo ditë, mediat dhe punën e gazetarëve sivjet e ka gjetur në kushte të rënda, ngase pandemia globale, i ka rrezikuar por edhe po i rrezikon seriozisht edhe gazetarët të cilët kanë qenë dhe janë në ballë të pandemisë me virusin e rrezikshëm Covid-19.

Por nuk duhet harruar edhe punën stresuese dhe lodhjen psikologjike që kanë sidomos gazetarët e mediave online por edhe atyre televizive, duke bërë pak e hiq për mbrojtjen e drejtave të tyre elementare.

 Të jeshë gazetarë sidomos në Kosovë, po del të jetë bukur e vështirë, duke përfshirë këtu mungesën e një mbrojtje ligjore, kushtet e rënda, pagat jo të kënaqshme, mungesën e kontratave, punët nën presion, etj.

Por si gjithnjë, edhe pse gazetarët konsiderohen si fuqia e katërt e pushtetit dhe historia ka dëshmuar se kanë rrëzuar edhe 'perandori e pushtete', edhe për këtë  kategori duhet të ngritet zëri më fuqishëm për ditë më të mira në të ardhmen!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco