Mbi 80% të muslimanëve në botë sot janë jo arabë!

Mbi 80% të muslimanëve në botë sot janë jo arabë!

Nga Xhabir Hamiti - 03/05/2021

Mbi 80 % të myslimanëve në botë sot  janë jo arab që luten në gjuhën arabe të Kuranit, e të cilën nuk e flasin dhe nuk e kuptojnë,  përfshirë edhe ne shqiptarët me përkatësi islame. 

Adresimin e Kuranit, përmbajtjen dhe mësimet të cilat dalin nga brendësia e tij  nuk mund të kuptohen e as të praktikohen drejtë, pa e ditur edhe domethënien e tyre, prandaj Kuranin, për ata që nuk e dinë arabishten duhet lexuar në gjuhën nga e cila  kuptohet përmbajtja dhe diskursi i tij.

Kurani në mesin shoqërive myslimane, më shumë  është kënduar se sa që është lexuar, studiuar dhe analizuar, gjendje e cila  vazhdon edhe sot !

Por, cilat janë kërkesat thelbësore  të tekstit të Kuranit për njeriun në raport me veten, dhe njashtu   edhe me misionin e tij në tokë dhe me shoqërinë në të cilën jeton.
Nga leximi i ngadaltë dhe i thellë i Kuranit mund të përmblidhen disa nga to si në vijim:
O njeri !

-Ti je një krijesë e tokës me peshë të madhe , por  që ke një fillim dhe ke një përfundim. Lind, rritesh, formohesh, plakesh dhe një ditë vdesë, prandaj mos u bë i padrejtë dhe tiran.
-Ti njeri  njashtu je edhe qenia e  privilegjuar e Zotit, por edhe krijesa e vetme e tokës  e  cila,  në një ditë-moment të caktuar  do të  përgjigjesh para Tij, do të gjykohesh për gjithçka që ke bërë në këtë botë- qoftë ai veprim yt  edhe në errësirën e thellë, kur ti  ke menduar e besuar se nuk të ka parë sy, e nuk të ka dëgjuar vesh  njeriu.

-Ty të kam dhënë fuqinë e mendimit, hulumtimit, studimit, analizës dhe krahasimit, dhe të gjitha në funksion të vetës tënde. Prandaj kujdes, se nga e orienton fuqinë e mendimit dhe veprimit, sepse nxjerrja e saj nga parimet e njerëzores  të shpie në ferrin e kësaj bote dhe në ferrin e përhershëm të botës tjetër. 

- Kur do  që të kesh mundësinë e ndarjes së drejtësisë, gjyko drejtë, e mos e përbuz  askënd, vetëm pse ke mundësinë që t`i mohosh të drejtën e dikujt  padrejtësisht,  me vetëdije dhe qëllimisht.

- Jeto me etikë të lartë, me moral dhe sjellje njerëzore. Ecë mbi tokë i qetë, paqësor e jo kryelartë e mburravec, sepse sado që mundohesh ti nuk mund të arrish as gjatësinë dhe as  lartësinë e maleve dhe të  kodrave në tokë.

- Ti nuk je engjëll, nuk të krijova të tillë që të mos biesh në gabime, por engjëllit megjithatë mund t`i përafrohesh, kur askujt asnjëherë nuk i ja bënë një të keqe apo të lig  të cilën nuk do ta dëshiroje edhe për veten.  
  
- E gjithë bota e dukshme dhe e padukshme është e imja, të gjithë njerëzit janë robërit e mi. Dielli dhe Hëna bëjnë dritë për të gjithë ju, por nga rrezet dhe energjia e tyre fitojnë vetëm ata që krijojnë kulturë të punës, punojnë pa hile, si për veten në rend të parë e njashtu edhe për vendin dhe për të ardhmen e fëmijëve të vet.

-Njerëzit pa dallim burojnë nga i njëjti shpirt krijues, prandaj respekto të gjithë njerëzit pa dallimi ngjyre e race, sepse kur ti i respekton ata e respekton edhe vullnetin krijues të Zotit.

 

MBI 80% Të MUSLIMANËVE NË BOTË SOT JANË JO ARABË ! Mbi 80 % të myslimanëve në botë sot janë jo arab që luten në gjuhën...

Posted by Xhabir Hamiti on Monday, May 3, 2021

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco