Ramës i mungon Thaçi, Vuçiqit do t’i mungojnë të dy

Ramës i mungon Thaçi, Vuçiqit do t’i mungojnë të dy

Nga Syri.net Kosova - 19/04/2021

 

Aleksandër Vuçiq ua dha edhe një argument të fortë shqiptarëve për votën e 25 prillit. Me qëndrimet e qarta në favor të kryeministrit socialist në shkuarje, presidenti serb rikonfirmoi aleancën  e tij me Edi Ramën në kurriz të interesave tona kombëtare.

Së bashku, me ish-presidentin Hashim Thaçi, ata u përpoqën ta ndajnë Kosovën, një skenar që dështoi, edhe pse duket që qarkullon ende në tavolinat ballkanike, siç e dëshmoi një dokument jozyrtar i kryeministrit të Sllovenisë.

Përpjekja për t’i akuzuar kundërshtarët e pazareve territoriale si mbështetës të idesë së Shqipërisë së Madhe, është qesharake.

Vuçiqi, pas përmbysjes politike në Kosovë, ku përfundimisht e humbi ndikimin në vendimmarrjen e Prishtinës zyrtare, shpresën e vetme e ka te mbijetesa e Edi Ramës, por kjo është e pamundur.

Në zgjedhjet e 25 prillit, shqiptarët do t’ia japin përgjigjen e merituar  arrogancës dhe paaftësisë së Ramës pa ta çuar përpara Shqipërinë. Këtij të fundit, po i mungon Hashim Thaçi, të cilin e përmendi në një ceremoni elektorale me rastin e hapjes së Aeroportit në Kukës.

Treshja Vuçiq-Rama-Thaçi, e humbi ndikimin për fatin e mirë të shqiptarëve. Ndryshimi politik në Shqipëri, i hap rrugën një partneriteti të munguar me Kosovën, duke dalë përfundimisht nga ndërhyrjet e Beogradit.

Ky është një lajm i keq për Batonin, këshilltarin e përjetshëm të Thaçit e Ramës, por është superlajm për shqiptarët këndej e andej kufirit.

Një Shqipëri e udhëhequr drejt dhe me qeveri të besueshme e të aftë, është me mjaft rëndësi për zhvillimet në Kosovë, sidomos në dialogun që pritet të nisë me Serbinë, tetë vjet pas Marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet i normalizuan e forcuan Vuçiqi, Thaçi e Rama, por jo shtetet. Në fund, tentuan të bëjnë pazar me territoret mbi kurrizin e sovranitetit të Republikës, por reagimi qe aq fuqishëm, sa ai plan nuk mund të kalonte.

Edhe pse qëllimi dashakeq, është gjë e mirë që Vuçiqi ua thotë të vërtetën shqiptarëve se ka frikë nga fitorja e demokratëve në zgjedhjet parlamentare.

Për ata që ende hezitojnë apo edhe të tjerë që kanë besuar se Edi është patriot e burrë i mirë, mjafton ta pyesin veten para se të shkojnë te kutia e votimit: Çfarë mund të na bëjë një lider, i mbështetur kaq hapur nga Serbia?

Vota e shqiptarëve nuk ka vetëm peshë të brendshme në Shqipëri, por edhe një ndikim serioz në fatin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Një Shqipëri e ndryshuar së bashku me Kosovën e ndryshuar tashmë, është garanci për faktorizimin e shqiptarëve, si asnjëherë më parë.

Faleminderit Vuço, por edhe Bato, që nuk leni rast pa ua hapur sytë shqiptarëve, që të mos gabojnë në zgjedhje!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco