Rroga e vogël, fitimi i madh-Korrupsioni ka emër

Rroga e vogël, fitimi i madh-Korrupsioni ka emër

Nga Syri.net Kosova - 16/04/2021

Kosovarët e etur për ndryshim e të lodhur nga sundimi korruptiv, e votuan masivisht Lëvizjen Vetëvendosje. Tash, pritjet janë aq të mëdha saqë nëse kalon dita pa e parë një vendim të ri të qeverisë kundër krimit e korrupsionit, reagimet janë të ashpra.

Për kaq pak ditë, nuk mund të presësh ndonjë mrekulli. Por, gjërat po lëvizin dhe kjo është lehtësisht e vërejtshme. Në asnjë qeverisje tjetër, nuk ka pasur një aktivizim të tillë të organeve të sigurisë si gjatë kësaj periudhe të shkurtër. Arrestime gjithandej, për mitmarrje, abuzime me pozitën zyrtare, hajni e dallavere.

Albin Kurti e hapi debatin shoqëror e politik me nxjerrjen e një draft-dokumenti për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme. Korniza e deritashme ligjore dhe pushtetet e kaluara, dështuan në adresimin e kësaj sfide të fortë. 180 milionë euro është vlera e pasurive të sekuestruara nga shteti gjatë viteve që lamë pas e vetëm 3.5 milionë është vlera e konfiskuar.

Qeveria është vënë menjëherë nën rrebeshin e kritikave se po tenton të hakmerret ndaj kundërshtarëve politike përmes krjimit të një Agjencie të re prokuroriale që do të konfiskojë pa aktgjykim dënues pasuritë e kosovarëve të kamur paligjshëm.

E drejta e pronës është një ndër të drejtat themelore në sistemet demokratike. Si e tillë, edhe në Republikën tonë mbrohet me ligje e me Kushtetutë. Pakkush mund ta besojë se edhe një qeveri politikisht e fuqishme si kjo aktualja, mund të ndërmarë veprime antikushtetuese e antiligjore, sepse pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

Megjithatë, teknikalitetet duhen tejkaluar e pasuria e paligjshme duhet konfiskuar. Opinioni publik është në pritje të veprimeve konkrete në drejtim të luftimit të korrupsionit që e ka gërryer në themele shtetin.

Sidomos viteve të fundit, njerëzit e pushtetit, të afërmit e miqtë e tyre, nuk e kanë fshehur fare luksin e mundësuar nga lidhjet kriminale, tenderomania, ryshfetet e majme. Në një vend të vogël si Kosova, merret vesh gjithçka e protagonistët as që e kanë marrë mundimin të tregohen modestë së paku.

Nuk mundesh me një pagë shteti, të kesh një çantë që vlen mijëra dollarë, një veturë që kalon njëqind mijë euro, vila në Kosovë e në bregdet që shkojnë te milionëshi e të bësh shpenzime pa fund, që nuk justifikohen asnjëherë.

Ka plot zyrtarë, ish-zyrtarë, familjarë e miq të tyre, që nuk mund ta arsyetojnë pasurinë që e kanë bërë pas luftës. Korrupsioni e ka shtrirë përtoke Kosovën. Institucionet shkuan në prag të kolapsit, ndërmarrjet publike në prag të falimentimit. Çdo gjë publike e shtetërore, qe shndërruar në mjet njëpërdorimësh nga ish-kapot e Republikës dhe rrjetet e tyre mafioze.

Dëmi i shkaktuar është i pamasë, por shpresa që t’i thuhet STOP më në fund kësaj tragjedie kombëtare, është ngjallur.

Qeveria Kurti II nuk ka alternativë tjetër, përveçse ta lehtësojë veprimin shtetëror për konfiskimin sa më të shpejtë të pasurive të pajustifikueshme. Kosovarët presin sundim të ligjit për të gjithë.

Pyetje një milion dollarëshe është se a do ta guxojë Kurti ta drejtojë gishtin së pari nga krerët e pasurimit të jashtëligjshëm në Kosovë, pa amnistuar as partinë e vet? A do t’i verifikojë kjo qeveri pasuritë e pafund të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit &CO?

Përballja me komandantët e pasuruar pas luftës, është e vështirë, por e pashmangshme. Në Kosovën e varfëruar ku hendeku social është thelluar viteve të fundit, funksionarët publikë janë më të pasur se biznesmenët e ndershëm.

Politika deri dje, ka qenë biznesi më efikas për të bërë miliona. Figura të njohura për publikun, nga zeroja brenda një kohe të shpejtë, janë bërë pjesë e “aristokracisë” së re kosovare.

Vilë në Prishtinë, vilë në Brezovicë, vilë te Gjiri i Lalëzit. Porche, BMW, Q7, Maybach...Pushime super të shtrenjta, jetë prej sheikësh, luks i shfrenuar. Ky është emëruesi i pushtetit në Kosovë, që u rrëzua me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nëse konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme quhet hakmarrje, le të ndodhë atëherë një hakmarrje e tillë. Pa u kryer kjo punë, nuk mund të themi se po e luftojmë korrupsionin. Në rrugëtimin drejt BE-së, kjo është traseja e vetme që kemi, në të cilën nuk kemi shkelur ende.

Liria ka emër, por nuk është anonim as korrupsioni.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco