Faktorët e rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës

Faktorët e rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës

Nga Musa Limani - 13/04/2021


Siç dihet, në periudhën e pas çlirimit, veçmas pas Pavarësisë, si dhe tani, Ekonomia e Kosovës është përballur dhe po përballet me sfida dhe probleme të natyrës politike, shoqërore, ekonomike e sociale, me ç’rast secila prej tyre ka ndikuar dhe po ndikon në mënyrë të vetë në rrjedhat dhe proceset ekonomike, të vendit tonë. Në Kosovë, në periudhën e pas çlirimit, qoftë deri te pavarësia apo edhe pas saj, vazhdimisht dominonin temat politike, ndaj atyre ekonomike. Kur krejt kësaj i shtojmë se zhvillimi ekonomik gjatë tërë kësaj periudha u zhvillua pa politikë konsekuente të zbatuar ekonomike, ad hoc, pa vizion dhe pa strategji zhvillimore afatgjate, del konstatimi se, dukurit e tilla kushtëzuan që treguesit global makroekonomik me të cilët shprehet niveli i zhvillueshmërisë të kenë rrjedha negative. Kështu, mbështetur në treguesit global kryesor makroekonomike, si: Bruto Produkti Vendor për një banorë, norma e lartë e papunësisë, deficiti i lartë i bilancit të tregtisë së jashtme, struktura e pa volitshme ekonomike, evazioni fiskal, nepotizmi, korrupsioni, krimi i organizuar etj., e karakterizojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Andaj, duke u bazuar në treguesit e sipër cekur, nuk është vështirë të konstatohet se, për kah niveli i zhvillimit ekonomik, Kosova tani paraqet vendin më të pa zhvilluar në rajon, Evropë e gjetiu.

Rrjedhat negative makroekonomike në ekonominë e Kosovës janë rezultat, në rend të parë i jo profesionalizmit dhe mungesës së politikës së zbatuar adekuate ekonomike. Asnjëra nga Qeveritë e deritanishme të Kosovës nuk arriti të bëjnë kurrfarë reformash ekonomike, të hartojnë dokumentin më të rëndësishëm në të cilin do të mbështetej zhvillimi afatgjatë, siç është “Strategjia e zhvillimit afatgjatë e Republikës së Kosovë, edhe pse kishte përpjekje, e as të krijojnë një sistem dhe politikë ekonomike konsekuente, të krijojnë ambient biznesor efektiv, që do të ishte në funksion të zhvillimit të bizneseve vendore dhe të ekonomisë së përgjithshme. Politikat e zbatuara ekonomike të deri tashme, ishin të gabuara dhe si të tilla sollën ekonominë e Kosovës në udhëkryq, në një rrugë pa rrugë, në krizë të thellë dhe para falimentimit. Andaj, për të dalur nga kaosi ekonomik, Qeveria aktuale duhet që, në kuadër të prioriteteve të programit të saj, zhvillimi ekonomik të zë vend meritor, nëse dëshirohet të dilet nga kaosi ekonomik që e ka kapluar Kosovën.

Andaj, duke u bazuar në parametrat e sipër cekur, nuk është vështirë të konstatohet se, për kah niveli i zhvillimit Kosova tani gjendet në fazën e recesionit dhe stagflacionit. Fazën e recesionit, e karakterizon: mungesa e prodhimeve vendore, me eksport të ulët e me import të lartë, me papunësi të madhe, me nivel të lartë të varfërisë dhe nivel të ulët të standardit jetësor të popullsisë etj. Ndërkaq, faza e stagflacionit shpreh nivel të lartë të normës së papunësisë, si dhe procese joekuilibruese ekonomike, që është karakteristikë e ekonomisë së Kosovës. Po ashtu, stagflacioni karakterizohet me tepricë të ofertës ndaj kërkesës në tregun e punës, siç është rasti në Kosovë, ku kërkesa është dukshëm më e madhe sesa oferta për punë, që është pasojë e nivelit të

ulët zhvillimor. Këtë situatë edhe ashtu të rëndë, edhe më tepër po e rëndon epidemia Covid 19, që nga viti 2020. Tani nga Qeveria aktuale lypset që të gjenden forma dhe mënyra, së pari, për të dal nga kriza epidemike, që ka kapluar vendin dhe botën, që shprehet dukshëm në rrjedhat ekonomike, së dyti, të hartojë programe sanuese për të dalur nga kriza ekonomike dhe të bëjë reforma rrënjësore, përkatësisht të hartojë politika konsekuente të zbatuar ekonomike, për të filluar fazën e prosperitetit zhvillimor. Kjo fazë, ndër të tjera, kërkon profesionalizëm, pragmatizëm, e mbi të gjitha avancime të konsiderueshme investive në të gjitha lëmit dhe degët ekonomike, duke veçuar sektorin prodhues, që momentalisht i mungon ekonomisë së Kosovës.

Siç dihet, bartëse kryesore e zhvillimit ekonomik tani në Kosovë është sektori privat, i cili nuk ka mbështetje adekuate institucionale nga Qeveria e vendit. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, sektori privat nuk ka mundësi për avancime të mëdha investive, sepse karakterizohet me mini biznese, që një pjesë e konsiderueshme e tyre ashtë sa për të gjallëruar. Prandaj, me qëllim që të sigurohen mjete materiale për avancime investive, Qeveria aktuale duhet të orientohet në tërheqjen e investime direkte të huaja, e në veçanti të diasporës shqiptare.

Andaj, me qëllim që t’i realizojë qëllimet e lartë cekura, Qeveria aktuale, si bartëse, hartuese dhe zbatuese e politikave zhvillimore makroekonomike, duhet t’i ndryshojë politikat e zbatuara ekonomike të deri tanishme, duke bërë reforma rrënjësore ekonomike, të cilat mund të bëhen me hartimin e dokumentit “Strategjia zhvillimore afatgjate e Republikës së Kosovës”, e cila duhet të përfshi një periudhë kohore më së paku 10 vjeçare, si dhe duke i futë në funksion të gjitha masat dhe instrumentet të politikës fiskale, të tregtisë së jashtme dhe të politikës kreditore, në zhvillimin e bizneseve vendore. Këto ndryshime, nuk mund të bëhen pa kuadro profesionale e me përvojë. Po ashtu, Qeveria aktuale duhet të ndryshojë politikën investive, si instrument me rëndësi të veçantë në politikën e zbatuar ekonomike. Mungesa e politikës investive, bëri që kapitali i sektorit privat të orientohet kryesisht në degët shërbyese, e shumë pakë në degët përpunuese. Andaj, në mungesë të degëve përpunuese, sidomos agro-industriale, si dhe të degëve të tjera industriale përpunuese, pra të një strukture të pavolitshme ekonomike, Kosova do të mbetet për herë vend agrar dhe në varëshmëri nga importi i të mirave materiale nga vendet e tjera.

Investimet direkte të huaja. Pos faktorëve të tjerë, faktorë mjaft i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës në periudhën e ardhshme, paraqesin investimet direkte të huaja. Siç dihet, zhvillimi ekonomik i Kosovës si në periudhën e deritanishme, ashtu dhe aktualisht, përballet me mungesën e avancimeve investive. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, mundësia akumuluese, apo më mirë me thënë investimet e brendshme (të subjekteve-bizneseve vendore) janë tejet modeste. Andaj, për të sigurua mjete materiale (investime), nevojitet që të krijohet ambient për tërheqjen e investimeve direkte të huaja. Prandaj, me qëllim të shfrytëzimit sa më racional të të gjithë faktorëve të brendshëm të prodhimit dhe krijimin e kushteve materiale për një zhvillim më dinamik, më perspektivë e më stabil, nevojitet që pos investimeve të brendshme (që janë tejet të vogla), të krijohet ambient politikë, shoqëror dhe ekonomik për tërheqjen e investitorëve të jashtëm që të avancojnë kapitalin e tyre në vendin tonë.

Investimet e diasporës shqiptare. Po ashtu, avancimet investive nga diaspora shqiptare, do të jenë faktori kryesorë material në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në periudhën e ardhshme. Diaspora, si për herë, edhe tani është e gatshme të ndihmojë Kosovën, të avancojë kapitalin e tyre në vendlindje, por duhet krijuar ambient e mbështetje institucionale për tërheqjen e investimeve nga mërgata. Deri më tani Kosova nuk u ofroi kushte për avancimin e kapitalit të mërgatës shqiptare. Siç është e njohur, Kosova ka një numër të konsiderueshëm të të punësuarve në botën e jashtme, në kuadër të cilëve bënë pjesë edhe një numër i madh intelektualësh të profileve të ndryshme dhe një numër i konsiderueshëm i biznesmenëve të suksesshëm shqiptar në fusha të ndryshme, bile me famë ndërkombëtare. Ndihma e diasporës deri më tani ishte nëpërmjet remitencave dhe formave tjera që iu kanë ofruar familjeve të tyre. Në mungesë të politikave të Qeverisë për diasporën, përkatësisht programeve, ndihmat e diasporës kryesisht u bën nëpërmjet remitencave që rreth 90,0% e tyre kanë shkuar në konsum, si dhe në blerja të patundshmërisë si: banesa, shtëpi, tokë, pajisje bujqësore, por jo edhe në kapacitete prodhuese.

Andaj, me qëllim që diaspora të bëhet faktorë kryesorë në avancime investive në Kosovë, Qeveria duhet që institucionalisht të mbështet avancimin e investimeve të tyre, me masa dhe instrumente të politikës së zbatuar ekonomike, dhe orientimin e këtyre mjeteve materiale në lëmenj dhe degë kryesisht prodhuese dhe në degë të tjera me interes të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Është imperativ kohe që avancimi i këtyre investimeve të bëhet sipas politikave zhvillimore makroekonomike, e mos t’i lihen vetvetes si deri më tani. Andaj, me qëllim të realizimit të këtyre qëllimeve, Qeveria duhet të hartojë planë të veçantë, për tërheqjen dhe orientimin e kapitalit (investimeve) të diasporës, si në pikëpamje sektoriale, ashtu dhe territoriale. Për këtë qëllim, Qeveria duhet të organizojë takime institucionale me Asociacionet e bizneseve në Evropë, SHBA dhe vendet e tjera, me përfaqësues të Odave Ekonomike që veprojnë në Kosovë, me Asociacione e Aleanca të bizneseve, me biznesmen të dalluar, duke u ofruar projekte konkrete sektoriale sipas strategjisë zhvillimore të ekonomisë së Kosovës në periudhën e ardhshme. Kosova me resurset e saja, është shumë atraktive për investime nga diaspora shqiptare, si në: turizëm, xehetari, agro-industri, në degë të ndryshme të industrisë, infrastrukturë, veçmas në energjetikë etj.

Në periudhën e ardhshme, zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet mbështetur në metodën e industrializimit, por krejtësisht ndryshe nga koncepcioni i deritashëm, duke i zhvilluar degët prodhuese e propullsive industriale që krijojnë të ardhura më të mëdha kombëtare, punësim më të madh dhe inkuadrim adekuat në ndarjen ndërkombëtare të punës, apo më mirë me thënë që sigurojnë konkurrencë të mirëfilltë në tregjet ndërkombëtare dhe kyçjen në proceset integruese ekonomike ndërkombëtare (globalizim). Duhet insistuar që zhvillimi ekonomik në periudhën e ardhshme të mbështetet në krijimin (formimin) e strukturës bashkëkohore ekonomike dhe zhvillimin e degëve bashkëkohore industriale, të cilat do të mundësojnë perfeksionimin e progresit aktual tekniko-teknologjik dhe kyçjen e industrisë, përkatësisht ekonomisë së Kosovës në ndarjen adekuate ndërkombëtare të punës. Tani për këtë koncept më nuk ka dilema, vetëm duhet gjetur mënyrën dhe formën e implementimit në jetën praktike. Për realizmin e këtij koncepti, së pari,

nevojiten mjete të nevojshme materiale (investime) dhe, së dyti, kuadro profesionale përkatëse e me përvojë. Faktori i parë do të zgjidhej nga investimet vetanake, që do të sigurohen nga bizneset dhe investimet privato-publike, dhe nga investimet plotësuese, që do të sigurohen nga investimet direkte të huaja, veçmas nga diaspora shqiptare, apo edhe me kredi të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Fondi për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian, me koncesione dhe forma të tjera financiare. Ndërkaq, faktori i dytë, sigurohet me angazhimin e kuadrove profesionale e me përvojë pragmatike. Andaj, me sigurimin e këtyre dy faktorëve, në të ardhmen do të mund të ngritët (dhe duhet të ngritët) ai lloj i industrisë i cili siguron një shkallë të lartë të punësimit dhe të finalizimit të resurseve natyrore me të cilat disponon Kosova.

Me qëllim që të sigurohet zhvillim më adekuat dhe më dinamik në të ardhmen, nevojitet ndryshuar politikat zhvillimore makroekonomike, veçmas politika invstive. Në periudhën e deri tashme, u favorizuan zhvillimi i bujqësisë, degët ekstrakteve-energjetike, infrastruktura ekonomike (kryesisht rrugët-autostradat), lëmit dhe degët shërbyese, duke formuar kështu një strukturë të pavolitshme ekonomike, duke lënë pas dore zhvillimin e degëve përpunuese. Andaj, një politikë zhvillimore makroekonomike e tillë, është e pa pranueshme si për zhvillimin aktual, e aq më pak për zhvillimin perspektivë të ekonomisë së Kosovës. Si çështje në vete në zhvillimin ekonomik të Kosovës në periudhën e ardhshme, paraqitet orientimi sektorial i investimeve në ngritjen e kapaciteteve të reja. Ristrukturimi përbën një fazë të rëndë, por të nevojshme dhe të rëndësishme në proceset zhvillimore makroekonomike. Në analizat empirike, është konstatuar se efikasiteti ekonomik arrihet nëpërmjet ndryshimeve strukturore, që realizohen me perfeksionimin e arritjeve bashkëkohore tekniko-teknologjike, të cilat reflektohen shpejt dhe në mënyrë efikase në proceset ekonomike. Këtu dilemat paraqiten te zgjedhja: a duhet zgjedhur teknologji kapitalo-intesive, apo intesive-punese.

Andaj, para Qeverisë aktuale të Kosovës shtrohet pyetja se cilën nga këto teknologji duhet zgjedhur, për të sigurua zhvillim të hovshëm e perspektiv ekonomik në periudhën e ardhshme. Teknologjia kapitalo-intesive shpreh zvogëlimin e koeficientit prodhues, rritë koeficientin teknik të pajisshmërisë së punës, siguron akumulim (investime) më të madh e punësim më të vogël etj. Ndërkaq, teknologjia intesive-punuese ndikon në rritjen e koeficientit prodhues, shpreh pajisshmëri më të ulët teknike, ofron punësim dhe të ardhura kombëtare më të mëdha në momentin e dhënë, por akumulim të vogël dhe inkuadrim jo adekuat në tregjet botërore. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, nëse dëshirohet të zgjidhet çështja e papunësisë, atëherë si qëllim, për një periudhë të caktuar do të preferohej teknologjia intesive-punuese, por, nëse dëshirohet që ekonomia jonë të inkuadrohet në rrjedhat bashkëkohore ekonomike botërore dhe të krijojë akumulim më të madh, parapëlqehet teknologjia kapitale-intesive. Në jetën praktike tentohet të bëhet kombinimi i këtyre dy teknologjive, e kjo përbën një proces të vështirë. Praktikisht, kompromisi bëhet mes këtyre dy llojeve teknologjish, ashtu që, sipas logjikës ekonomike, teknologjia kapitale-intensive orientohet në sisteme të mëdha ekonomike, siç është rasti i “Trepçës”, pra në ato lëmenj dhe degë ekonomike që kanë rëndësi strategjike për zhvillimin e

përgjithshëm ekonomik, në aspektin e forcimit të eksportit etj., ndërkaq teknologjia intesive-punuese orientohet në sektorët që aktualisht janë bartës të zhvillimit, si psh. në bujqësi në kapacitete agraro-industriale etj. Duke u bazuar në nivelin e arritur zhvillimor të Kosovës, në fazën e parë duhet favorizuar ngritjen e kapaciteteve kapitale-punuese, përkatësisht industrinë përpunuese, duke mbështetur edhe aktivizimin e sistemeve të mëdha industriale. Orientimi i tillë zhvillimor, do të përbënte hapat e parë në rimëkëmbjen dhe në ristrukturimin dhe zhvillimin perspektiv të ekonomisë së Kosovë në periudhën e ardhshme. Shfrytëzimi i resurseve natyrore, nuk duhet të jetë vetëm eksploatimi i tyre si lëndë e parë, por ato duhet të paraqesin parakushte për ngritjen e kapaciteteve të reja për finalizimin e tyre në kuadër të sistemeve të mëdha ekonomike, siç është kompleksi “Trepça”. Është i pa justifikueshëm dhe në pikëpamje ekonomike i pa pranueshëm mos aktivizimi i “Trepçës” për një periudhë mbi 20 vjeçare. Andaj, Kosova me faktorët e vetë të prodhimit: resurset natyrore, faktorin subjekti (kuadrot) dhe me potencialin prodhues, ka bazë solide në të cilën mbështetet rimëkëmbje dhe zhvillimi perspektiv ekonomik i vendit tonë.

Realizimi i qëllimeve të lartë cekura, mund të arrihet me mbështetjen institucionale të Kosovës, duke stimuluar me infrastrukturë juridike, lehtësira të politikës fiskale, të tregtisë së jashtme, me politikë kreditore, investitorët e jashtëm dhe veçmas diasporën shqiptare. Pa dyshim, transferet teknologjike nga jashtë, do të reflektohen në zhvillimin e shpejtë ekonomik, duke sjell kapital, përvojë menaxhuese, teknologji bashkëkohore, sigurim të tregjeve dhe kyçjen e proceseve ekonomike të Kosovës në proceset integruese ekonomike ndërkombëtare. Veçmas futja e degëve moderne industriale në ekonominë e Kosovës, paraqet imperativ kohe. Kuptohet, ky proces ka anët e veta pozitive dhe negative. Anët pozitive shikohen në atë se mundësojnë ngritjen e prodhimit dhe kyçjen në proceset bashkëkohore ekonomike ndërkombëtare, duke perfeksionuar proceset bashkëkohore tekniko-teknologjike. Ndërkaq, anët negative janë se degët moderne industriale punësojnë numër të vogël punëtorësh, në një anë, dhe në këtë mënyrë ndikojnë në zvogëlimin e punësimit. Mirëpo, sido që të jetë, nëse Kosova dëshiron që të kyçet në proceset bashkëkohore tekniko-teknologjike, që duhet të jetë synim dhe intencë permanente dhe të sigurojë zhvillim perspektiv të industrisë dhe ekonomisë në tërësi, duhet të fillojë me ndryshime strukturore në industri, duke implimentuar informatikën, kibernetikën, elektroniken, robotikën etj.

Në fund, duke përfunduar këtë shkrim, me të drejtë mund të konstatojmë se, investimet direkte të huaja, veçmas avancimet investive të diasporës shqiptare, paraqesin faktorë determinues material për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovë në periudhën e ardhshme. Andaj, në të ardhmen me qëllim të tërheqjes sa më shumë të këtyre mjeteve materiale (investimeve), Qeveria aktuale e Kosovës duhet të ofrojë kushte sa më të volitshme e mbështetje institucionale politike, shoqërore dhe ekonomike investitorëve të huaj dhe diasporës shqiptare. Kjo për arsye se, investimet direkte të huaja dhe të diasporës shqiptare mundësojnë ngritjen e kapaciteteve të reja industriale (ekonomike), sjellin teknologji të reja që ndikojnë në formimin e strukturës bashkëkohore industriale e ekonomike, hapin vende të reja pune, rrisin bazën tatimore, ndikojnë në ngritjen e standardit jetësor të popullsisë, inkuadrimin e ekonomisë sonë në rrjedhat botërore të

proceseve ekonomike, sjellin përvoja menaxheriale, organizative etj. Në veçanti, mërgatën shqiptare, në kuadër të së cilës ekzistojnë biznesmen shumë të suksesshëm, me famë ndërkombëtare, duhet stimuluar, përkrahur dhe mbështetur institucionalisht me të gjitha masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike, përkatësisht me instrumentet e politikës fiskale, të tregtisë së jashtme, të politikës kreditore, që kapitalin e tyre ta avancojnë në ngritjen e kapaciteteve industriale, përkatësisht në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

S’ka dyshim, Qeveria aktuale duhet të ndryshojë qasjen institucionale ndaj investitorëve të jashtëm dhe të diasporës shqiptare. Për fat të keq, deri me tani asnjë nga Qeveritë e Kosovës nuk kishin krijuar ambient politik dhe ekonomiko-shoqëror për tërheqjen e tyre. Andaj, në të ardhmen me qëllim të tërheqjes sa më shumë të këtyre mjeteve materiale (investimeve), Qeveria aktuale e Kosovës duhet të ofrojë kushte të volitshme politike, shoqërore dhe ekonomike. Kështu, me qëllim të tërheqjes së investimeve direkte të huaja dhe të diasporës shqiptare, Qeveria aktuale, ndër të tjera, duhet të sigurojë më sa vijon:

a) Mjedis ekonomik, në kuptimin se çka u ofron ekonomia e Kosovës investitorëve të huaj dhe diasporës shqiptare, që do të favorizojë ngritjen e kapaciteteve industriale, apo të lëmenjve të tjerë ekonomikë, stabilizim energjetik, luftën kundër evazionit fiskal, nepotizmit, korrupsionit, krimit të organizuar etj.

b) Infrastrukturë juridike, në thjeshtësimin e procedurave administrative, përkatësisht në ofrimin e shërbimeve formale juridike pa kurrfarë barrierash, konformë ligjeve në fuqi.

c) Sistem dhe politikë fiskale të qëndrueshme dhe favorizuese, që nëpërmjet instrumenteve të saj të mbështeten investitorët e huaj dhe mërgata shqiptare, në kuptimin që me ngritjen e kapaciteteve industriale, apo ndonjë objekti tjetër ekonomik, për pajisje përkatëse, lëndë të para etj. të lirohen nga doganat, për periudhë të caktuar nga TVSH, apo ajo të paguhet pas realizimit të mallit e jo paraprakisht në kufij etj.

d) Politikë monetare-kreditore, në kuptimin që funksionimi i sistemit bankar duhet të jetë i tillë që pa kurrfarë problemi të mund të bëhet transferi i kapitalit në vendin destinues, si dhe marrja e kredive me kushte të volitshme, me normë të ulët të interesit, kohë më e gjatë e kthimit, një gris periudhë 3-5 vjet, e kështu me rradhë.

e) Garantim të kapitalit, pra me ligj duhet të sigurohet pronësia e kapitalit dhe fitimit konform personave fizikë dhe juridikë të vendit. Andaj, Qeveria si institucion ekzekutiv, duhet të jetë garant për avancimin e kapitalit të investitorëve të huaj dhe të diasporës shqiptare.

f) Parimi i tretmanit nacional, në vete nënkupton që investitorët e huaj dhe mërgata shqiptare, përkatësisht subjektet ekonomike të tyre që veprojnë në Kosovë, të trajtohen saktësisht si subjektet ekonomike të vendit, si në fushën e të drejtave, ashtu dhe të obligimeve.

g) Të aplikohen edhe forma të tjera bashkëpunimi (avancimi i kapitalit të përbashkët, dhënia me koncesion etj.), sipas situatës së paraqitur ndërmjet subjekteve ekonomike vendore dhe investitorëve të huaj dhe të diasporës shqiptare.

S’ka dyshim se problem në vete, kur kemi të bëjmë me investimet e huaja direkte dhe të mërgatës shqiptare, paraqet forma e avancimit të kapitalit të tyre në ekonominë e Kosovës. Procedurat për futjen e kapitalit të investitorëve të huaja dhe të diasporës shqiptare, duhet rregulluar me infrastrukturë juridike përkatëse. Mirëpo, edhe për kundër të gjitha anëve pozitive që kanë investimet e huaja direkte dhe të diasporës shqiptare, me rastin e avancimit të tyre, duhet të kihet parasysh, në rend të parë, interesi i ekonomisë vendore, duke bërë vështrim analitikë se cilat janë efektet dhe funksioni i tyre në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Andaj, me rastin e aprovimit të këtyre investimeve, interesi duhet të jetë reciprok (i dy anshëm), si për investitorët e jashtëm, ashtu edhe për ekonominë vendore. Mirëpo, pavarësisht këtyre aspekteve, duke mos i mohuar edhe anët negative që mund të jenë, marrë parimisht mund të themi se investimet e huaja direkte dhe të diasporës shqiptare, kanë ndikim, rol dhe efekte pozitive në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës në periudhën e ardhshme. Ndonëse, tërheqja e këtyre investimeve, përkatësisht të kapitalit të investitorëve të jashtëm dhe të diasporës shqiptare, në rend të parë varet nga mobiliteti që u ofron Qeveria e Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco