‘Sekserat’ e Abinit dhe  Vjosës

‘Sekserat’ e Abinit dhe Vjosës

Nga Syri.net Kosova - 07/04/2021

 

Opozita kosovare, ende në dëshpërimin e humbjes dërrmuese të 14 shkurtit, është hedhur në aksion kundër qeverisë dhe presidentes së sapozgjedhur. Fatkeqësisht, rruga që kanë zgjedhur dhe argumentet që po paraqesin, janë zhgënjyese.

Të dëgjosh Ramushin që akuzon ‘sekserët’ e Albinit, është vërtet qesharake. Ai sikur ka harruar kur ia mësyeu shtëpisë së Haxhi Shalës në mesnatë bashkë me Hashim Thaçin, për ta siguruar votën vendimtare. Po aq përcaktuese ishte edhe vota e Ethem Arifit, i cili në vend se të ishte duke vuajtur dënimin në burg, u shfaq vjet në parlament për t’ia bërë numrat qeverisë Hoti.

Gjërat kanë ndryshuar thellësisht në zgjedhjet që lamë pas. Në krye të qeverisë, Kuvendit dhe presidencës tani ka legjitimitet të fortë. Nëse për zgjedhjen  e qeverisë, nuk kishte asnjë pengesë për numra, për presidenten është e qartë se pa bashkëpunimin me opozitën dhe deputetët minoritarë, Kosova mund të shkonte sërish në zgjedhje.

A kishte pazare? Kishte marrëveshje politike të qarta. Pak para votimit të Osmanit, Kurti emëroi disa zëvendesministra nga pakicat. Njëri rezultoi i dënuar për korrupsion, që dha dorëheqje pas presionit publik duke lënë pas shijen e keqe për fillimin e qeverisë Kurti.

Megjithatë, a më mirë të ndash disa pozita qeveritare për përfaqësuesit politikë në Kuvend në mënyrë të ligjshme, apo ta dërgosh vendin sërish në zgjedhje në valën e radhës të pandemisë?

A u trafikuan votat e deputetëve? Nëse është trafikuar e Haxhi Shalës, qenka trafikuar edhe e Albulena Reshitajt e Adelina Graincës. Deputetët janë autonomë në vendimmarrjen e tyre. Në rastin e presidentes, është një vendimmarrje me peshë, sepse dështimi shkaktonte krizë të re politike.

Nuk mund t’i hedhë askush hi syve publikut se në përpjekje për sigurimin e kuorumit prej 80 votash, nuk ka pasur lobim të fuqishëm nga fituesit e zgjedhjeve.  Mbështetja nga LDK, e ka lehtësuar këtë lobim. Pa kushtëzim. Së paku për aq sa dihet jo.

Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë pazari për interesa të ngushta, pozita, trasnferi deputetësh, etj, megjithatë askush deri tani nuk ka publikuar as faktin më të vogël për një gjë të tillë. Deputetët e opozitës e kuptojnë se shkuarja në zgjedhje, është zvogëlim i mundësisë për të qenë prapë pjesë e parlamentit.

Të ndërrosh partinë pasi je zgjedhur nga elektorati përkatës, është e pamoralshme, por kush janë këta që sot na flasin në emër të moralit politik e deri dje, nuk lanë gjë pa bërë që të zënë një hise të majme pushteti...

Sekserët janë ata që ndërmjetësojnë marrëveshje të pista e korruptive. Të tilla kanë ndodhur më herët, kur politikanët kanë përfituar nga resurset shtetërore në mënyra të dyshimta.

Të marrësh një pozitë politike, si pjesë e një marrëveshjeje për votimin e presidentes, fundja është në dorën e partnerëve dhe liderëve fitues. Kosova nuk e ka luksin të kthehet mbrapa, për një pozitë zëvendësministri, qoftë kjo edhe për Adem Hoxhën, deputetin goran që flirton me Listën serbe, për interesat e grupacionit të tij. Apo për Albena Reshitajn që mendohet se mund t’i bashkohet Listës “Guxo” e të garojë për kryetare të Suharekës.

Opozita duhet t’i dallojë pozitat politike me pozitat profesionale që bazohen në kritere profesionale. Nëse te këto të dytat, qeveria Kurti bën pazare, siç opozita e sotme bënte dje kur ishte në pushtet, atëherë kritikat do të ishin me vend dhe Vetëvendosje duhet të bëhet përgjegjëse deri në fund.

Sekserët, janë specialitet i qeverive të kaluara. Dihen me emër e mbiemër, dihen përfitimet në tenderë, pozita, etj. Në këtë fillim, ky nuk është rasti me qeverinë aktuale. Albin Kurti e Vjosa Osmani u votuan për t’i dhënë fund kësaj praktike e për t’i hapur rrugën reformave në sektorin publik, meritokracisë në emërime e avancime dhe dhënies fund nepotizmit me pasoja dramatike në institucionet shtetërore.

Në koordinim me euforinë mediale e llafollogët e ekraneve kosovare, opozita e ka nisur keq rezistencën dhe kritikën e saj ndaj pushtetit. Kështu, veç mund t’ia shtojë edhe ndonjë përqindje, se ‘shejë nuk ia len’.

Ngjashëm po sillen për vaksinat. Ekzekutivi duhet të jetë çdo orë nën presion për sigurimin e vaksinave, por jo për vaksinat kineze e ruse, që ende nuk janë të miratuara nga agjencitë përkatëse evropiane. Nuk është momenti për t’u përzier me fushatën elektorale në Shqipëri, ku vaksina është shndërruar në instrument politik nga një qeveri që po e humb pushtetin.

Vendimet për vaksinim nuk mund të merren sipas preferencave politike, por institucionet kompetente në koordinim të ngushtë me mekanizmat ndërkombëtarë.

Disa muaj pas krijimit të vaksinës dhe shpërndarjes së saj, Kosova ka humbur një kohë të çmuar dhe tani është në përgjegjësi të plotë të autoriteteve tona, që të gjejnë zgjidhje për të sjellë dozat e nevojshme që të imunizohet popullata.

Çdo zvarritje dhe jotransparencë në këtë drejtim, duhet të ballafaqohet me presionin e kritikat e opozitës, mediave e qytetarëve, pa e kursyer askënd.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco