‘Revolucioni’ kosovar që la në hije virusin

‘Revolucioni’ kosovar që la në hije virusin

Nga Syri.net Kosova - 05/04/2021

 

Më meritori pa dyshim është votuesi kosovar. Sovrani ia dha pushtetin Lëvizjes Vetëvendosje në koalicion me Nismën ‘Guxo”. Një shumicë e tillë parlamentare, është luks për çdo qeveri.

Meritë në aktin përmbyllës të konstituimit të institucioneve ka edhe LDK-ja e Lumir Abdixhikut. Pa votat e saj, edhe ashtu të pavlefshme, Kosova po ia mësyente një procesi të ri zgjedhor.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, pra, i morën krejt, Kuvendin,  qeverinë, presidencën.

Vetëm Kushtetutën nuk mund ta ndryshojnë dot të vetëm pa opozitën dhe pakicat. Çdo vendim dhe politikë qeveritare mund ta shtyjnë përpara pa pikë problemi.

Kjo është qeveria e parë në vendin tonë, e cila mund ta realizojë nëse do, programin elektoral. Nuk ka kurrfarë pengese për ndryshimet e shumëpritura dhe të premtuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pushteti i ri nuk mund të justifikohet para qytetarëve të Kosovës se nuk i ka numrat apo se duhet të bëjë kompromise për emërime të dyshimta në pozita me rëndësi, siç ka ndodhur më herët.

 Ky është një shans i jashtëzakonshëm, për ta kthyer normalitetin qeverisës në shtetin e lënë pas dore, të shpërdoruar e të vjedhur.

Gjithashtu, ky është një moment për ta rikthyer shpresën te sipërmarrja private. Përmirësimi i ambientit biznesor, forcimi i sundimit të ligjit dhe mbështetja e sektorit privat, janë të domosdoshme, për të ecur përpara.

Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e Presidentes, Kosova përmbylli kështu një “revolucion” politik në mes të një pandemie të rëndë. Para një viti, në pushtet ishte një qeveri VV-LDK, që nuk i mbijetoi ish-kapove të politikës kosovare.

Rrëzimi i saj, përcaktoi edhe votën plebishitare të 14 shkurtit, që më tepër se votë partiake për Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, ishte një ndëshkim për regjimin e kaluar.

Opozita aktuale po e akuzon Albinin se po instalon një diktaturë, ende pa e parë se si do të qeverisë ai. Kosovarët votuan për t’u çliruar nga sundimi i Hashimit, Isës, Kadrisë, Ramushit,Fatmirit, Behxhetit, Agimit.....

Kurti e di mirë, se një sundim i ri, do të ndëshkohej edhe më keq. Pritjet janë të mëdha, vështirë të përmbushshme shpejt. Megjithatë, fryma e ndryshimit dhe shpresa, më të forta nuk kanë kanë qenë kurrë.

Krejt i morët, e tash po ju shohim nëse do të punoni drejt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco