Dy fjalë për Murat Jasharin, i cili ndërroi jetë

Dy fjalë për Murat Jasharin, i cili ndërroi jetë

Nga Enver Robelli - 04/03/2021
Njoftohet se paska vdekur në Prishtinë Murat Jashari nga fshati Orizare i Kumanovës. Murat Jashari kreu një krim në mars të vitit 2017: e plagosi politikanin dhe avokatin Azem Vllasi. Pa fije dyshimi: ky ishte një krim i rëndë. Por të vërtetën e plotë me gjasë Murat Jashari po e merr me vete në varr. Çka i parapriu kësaj plagosjeje? Murat Jashari viteve të fundit kishte probleme të rënda psikike. Kush e manipuloi dhe nxiti për të kryer krimin? A do të dihet ndonjëherë?

Përtej kësaj njolle të madhe në biografinë e tij, duhet shënuar: Murat Jashari gjatë gjithë jetës së tij (para krimit) bëri gjithçka që ishte brenda mundësive të tij për të çliruar Kosovën. Çlirimin e Kosovës ai e shihte si parakusht për çlirimin e shqiptarëve në Maqedoni e Luginë të Preshevës. Vëllai i tij Ismet Jashari (“Komandant Kumanova”) u vra gjatë luftës së Kosovës. Murat Jashari nga Zvicra i siguroi armë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet zvicerane e arrestuan dhe akuzuan për kontrabandë me armë. Një gjykatë në St. Gallen të Zvicrës e dënoi me burg (me kusht). Gjykatësi tha: Murat Jashari, po, ju keni kryer vepër penale, sepse keni kontrabanduar armë. Por motivet tuaja për të kontrabanduar armë kanë qenë fisnike, sepse populli juaj ka qenë i rrezikuar. (Vetëm një gjykatës i një vendi demokratik mund të arsyetojë kështu verdiktin!).

Murat Jashari pas luftës ishte i zemëruar dhe i dëshpëruar me të bëmat e shokëve të tij nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Ata u grumbulluan në të ashtuquajturën Parti Demokratike të Kosovës (PDK) dhe lirinë e shndërruan në biznes. Murat Jashari nuk ishte biznesmen. Dhe ai nisi të shtrojë pyetje... Pse ndodhi kjo e pse ndodhi ajo pas luftës? Dhe ç’ndodhi me këto para, me këta dhe ata miliona që u mblodhën për fondin “Vendlindja thërret”? Murat Jashari mori me vete shumë sekrete. Fatkeqësisht. Disa nga shokët e tij të LPK-së është mirë që tani të mos derdhin lot krokodili dhe të mos ia ndotin ceremoninë e varrimit. Në fund të jetës së tij Murat Jashari kreu një krim... Por kjo nuk është tërë biografia e tij.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco