'Testet serioze' që e presin Kurtin si kryeministër

'Testet serioze' që e presin Kurtin si kryeministër

Nga Astrit Veliqi - 03/03/2021

Kreu i VV-së, Albin Kurti siç edhe po shihet nuk do ta ketë të lehtë kur ta merr mandatin e dytë si kryeministër.

Përparësia e tij është të vota, derisa sfidat e qeverisjes do t'i ketë jashtëzakonisht sfiduese.

Kjo me shumë po duket si një trumbetim, që tash e sa kohë edhe po glorifikohet në qarqet mediatike por edhe ato të politikave ditore, megjithatë jo rastësisht kjo edhe po ndodhë.

Edhe për faktin, se Kurti ende nuk është zgjedhur zyrtarisht nga Kuvendi i Kosovës, por kjo sfidë të paktën do të kalohet lehtë ngase numrat në bazë të rezultatit nuk i ka problem, derisa kur jemi të posti i presidentit, e që në bazë të marrëveshjes kjo i takon Vjosa Osmanit vështirësitë do të dalin në shesh.

E kjo do të ndodh nëse nuk do të shohim një koalicion me ndonjë subjekt tjetër, në mënyrë që të sigurohet kuorumi për votimin  e saj prej 80 deputetësh në Kuvend.

E derisa ende po vazhdon numërimi i votave nga diaspora, sikur edhe ato me kusht, gjithnjë e me shumë rezultati po shkon në favor të VV-së, të përcjellura nga PDK dhe LDK.

E derisa jemi kah fundi i këtyre votave, KQZ mund të ndodhë që të enjten të shpallë rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Por derisa nuk kemi certifim të vota nga KQZ, zhagitja e ankesat nga subjektet politike, me gjasë do ta shtyjnë edhe formimin e qeverisë se re, ku kryeministër pritet të rizgjidhet,  Albin Kurti.

E kur jemi të kryeministri i ri, ende pa e marrë mandatin zyrtarisht, sfidat dhe problemet veç kanë filluar të shfaqen në horizont.

Kjo po ndodh jo vetëm në planin e brendshëm, ku lufta me pandeminë do të vazhdojë edhe me tej, derisa zbutja e papunësisë, kriza ekonomike, sikur edhe drejtësia e arsimi, priten me qenë një test shumë serioz për Kurtin dhe qeverinë e tij.

Kurse në planin e jashtëm, tema që ka ngjallur reagime, janë letrat e kryeministrit izraelit dhe presidentit turk, që në fakt e kanë futur Kurtin si kryeministër në ardhje në mes 'dy zjarreve'.

Por si do të shpërfaqet kjo edhe në politikën e jashtme të vendit, mbetet për t'u parë, megjithatë pajtimin e Izraelit në njërën anë si shtet të cilin e ka si mburojë Amerika, dhe të një avancimi të raporteve me Turqinë aleate, pritet me qenë një test i jashtëzakonshëm për kryeministrin e ri.

Sido që të jetë, sovrani kësaj radhe e ka dhënë fjalën e tij, dhe si duket ndryshimi do të shihet në horizont, me një mentalitet qeverisës të ri, i cili para qytetarëve ka qenë me gojën plot se do të qeverisin me duar të pastra dhe vetëm në shërbim të qytetarëve.

Kjo paksa duket si një iluzion i cili mund të shpërfaqet me dritën e tij në fund të një tuneli, që Shekspiri në veprën e tij do ta quante si 'Ëndrra e një natë vere'.

Megjithatë pritjet dhe entuziazmi ka qenë i jashtëzakonshëm nga qytetarët për ndryshimin e jetës në Kosovë, prandaj edhe përgjegjësia për Kurtin dhe qeverinë e re të tij gjithnjë e më shumë do të rritet.

Kjo mbetet për t’u parë, kur të kemi edhe zyrtarisht kryeministrin dhe presidentin e ri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco