Legjislacioni në fuqi dhe meritokracia

Legjislacioni në fuqi dhe meritokracia

Nga Naza Krasniqi - 03/03/2021

Fryma e legjislacionit në Kosovë, në vend se të ndikojë pozitivisht në promovimin e meritokracisë, po bën të kundërtën. 

Për rëndësinë e rekrutimit, sipas meritave në institucionet publike, japim një mendim të filozofit të madh amerikan Francis Fukuyama, profesor i Universitetit të Harvardit, i cili vlerëson lart reformat e Bismarkut në themelimin e Gjermanisë moderne. 

Sipas Fukuyamas themelet e Gjermanisë demokratike, me një fuqi kaq të madhe ekonomike, janë meritë e instalimit të meritokracisë në administratën publike nga ana e Otovon Bizmarkut.

Një prej parimeve kryesore në administratën publike është parimi i profesionalizmit,  parimi i meritës, mundësive të bararabarta, etj. Andaj Administrata funksionon dhe  vepron duke u bazuar në politikat zhvillimore të shtetit, e jo sipas programeve partiake dhe duke imponuar (kopjuar) ligje nga vendet tjera. 

Kjo pako ligjore (legjislacioni për zyrtarë publikë) është promovuar si pjesë e  reformës në administratë dhe si punë madhështore e një dikasteri të trashëguar nga  qeveritë e kaluara, por gjatë zbatimit po përjashton mundësinë e parimit të  barabartë dhe meritor për avancim të zyrtarëve brenda njësisë dhe institucionit.

Andaj ky ligj me aktet tjera nënligjore vetëm e ka komplikuar procedurën e punësimit, avancimit dhe transfereve të zyrtarëve publikë duke dhënë përparësi lëvizjes nga një njësi në njësitë tjera dhe të njëjtën kohë e mohon të drejtën e avancimit nëpunësve.

Neni 6 i Ligjit Nr.06/L për zyrtarë publikë e thekson, se pranimi në detyrë i nëpunësit  civil, nëpunësit të shërbimit publik , nëpunësit administrativo- teknik dhe mbështetës,  bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.

Ndërsa Rregullorja (QRK)Nr.16/2020 për pranimin dhe karrierën në shërbimin civil  të Republikës së Kosovës është në kundërshtim me parimin e barazisë e meritore.
Neni 5 i Rregullores (QRK)Nr.16/2020 për pranimin dhe karrierën në shërbimin  civil të Republikës së Kosovës e specifikon: 

1.Një pozitë e lirë në shërbimin civil, në kategorinë profesionale, kategorinë e ulët  dhe kategorinë e mesme drejtuese, fillimisht është e hapur për t’u plotësuar nga nëpunësit civilë ekzistues të së njejtës kategori, nëpërmjet procedurës së lëvizjes brenda kategorisë.

2.Lëvizja brenda kategorisë është procedurë konkuruese. Konkurimi organizohet dhe  zhvillohet procedura e konkurrimit

3. Konkurimi për lëvizjen brenda kategorisë është e mbyllur dhe në të kanë të  drejtë të marrin pjesë vetëm nëpunësit civilë ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar në të njëjtin apo në një institucion tjetër të shërbimit civil. 

Neni 41 i rregullores në fjalë te kushtet dhe kërkesat për lëvizjen brenda kategorisë  e specifikon:

Për të aplikuar për lëvizjen brenda kategorisë, duhet të plotësohen kushtet për lëvizjen brenda kategorisë dhe kërkesat e veçanta për pozitën e lirë për të cilën zhvillohet procedura e konkurrimit

Me dispozitat e legjislacionit aktual për zyrtarët publikë konkretisht theksohet:

Nëse hapet konkursi për një pozitë avancuese, p.sh udhëheqës i divizionit, të drejtë për të  kandiduar në procedurën e parë kanë vetëm zyrtarët që kanë pozitë të udhëheqësit 
në divizionet tjera (e nuk ka të drejtë të konkurrojnë zyrtarët që punojnë në atë  njësi për 10 e më shumë vite).

Nëse nuk ka kandidat të kësaj kategorie, atëher rihapet konkursi dhe kanë të drejtë për konkurim zyrtarët e kategorisë më të ultë apo zyrtarët porfesionalë. 

Me legjislacionin aktual me procedurë të hapur, e drejta e lëvizjes në të njëjtën kategori brenda insitucioneve publike ka përparësi në raport me të drejtën e avancimit. Andaj zyrtarëve që ju mohet e drejta për kandidim për një pozitë më të lartë duhet të presin dështimin e konkursit herën e parë, e pastaj në herën dytë  kanë të drejtë të konkurojnë për një pozitë më të lartë për avancim. 

Në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat duhet të kërkohen kriterët bazë,  (kualifikimi dhe përvoja, varësisht nga pozita, por jo edhe përvoja profesionale me  më shumë se dy vite për një zyrtar apo asistente ekzekutive.
Shtrohet pyetja, ku do të marrë përvojën profesionale një student i mirë, nëse për  gjitha pozitat përcaktohen kritere të vështirësuara në inistitucione publike, e që 
studentëve nuk i jepet asnjë mundësi për aplikim. 

Me këto dispozita ligjore avancimi i një zyrtari brenda njësisë ku punon është në  kundërshtim me parimin e meritës, pasi që një prej metodave të stimulimit ka qenë 
avancimi brenda institucionit ku punon, ku dhe logjikisht dhe praktikisht më mirë e  njeh punën zyrtari që punon p.sh 10 vite në atë njësi se një zyrtar i lartë, shef i sektorit apo drejtor i departamentit nga njësi tjetër apo institicioni tjetër.

Pra, me dispozita të tilla ligjore nuk ka reformë në administratë publike dhe ky zbatim i procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi më shumë i gjason një sistemi të mbyllur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco