Gjuha, monarkia dhe Skenderbeu

Gjuha, monarkia dhe Skenderbeu

Nga Daut Dauti - 03/03/2021

Me 25 qershor 1807, në një lloj shtëpie të improvizuar me drunj e dërrasa mbi lumin Tisit, janë takuar perandori francez, Napoleoni, dhe perandori rus, Aleksandri I. Takimi i këtyre dy armiqëve është mbajtur në gjuhën franceze. Aty është vërejtur se frengjishtja e carit rus ka qenë e shkëlqyeshme kurse ajo e peranadorit francez e dobët. Ky ka qenë ai momenti kur Napoleoni është turpëruar. Çudi shumë e madhe, apo jo? Më mirë flet frengjisht rusi se sa francezi, do të thoshim. Por, këto gjëra duhet të shikohen ndryshe.

A e dini pse?

Sepse Napoleoni ka qenë me prejardhje të rëndomtë italiane nga Korzika kurse Aleksandri I ka qenë aristokrat me themel dhe në oborrin e tij, pra të carit rus, gjuhë zyrtare ka qenë frengjishtja. Madje, shumica e familjes mbretërore ruse as që kanë dijtë e as që janë munduar të flasin rusisht. Kjo situatë ka ndryshuar pas vitit 1812 kur rusishtja ka filluar të zyrtarizohet dhe kjo është bërë si reakcion (nacionalist) ndaj pushtimit francez të udhëhequr nga Napoleoni. Pa marrë parasyshë prejardhjen dhe gjuhën e përbashkët (franceze) të dy perandorëve, këta do ta vrisnin njëri tjetrin: i pari në emër të Francës kurse i dyti në emër të Rusisë. Madje, Napoleoni as që ka qenë francez, siç e kërkon teoria e nacionalizmit puritan, por ai ka hyrë në histori si patrioti dhe kryeheroi i Francës.


Nga shek. XI e deri në shek. XIV në Angli gjuhë zyrtare ka qenë frengjishtja për shkak se monarkia ra në në duart e pushtuesve normanë. Familja mbretërore, atëherë angleze e më vonë britanike, as që janë lodhur të flasin anglisht. Më vonë gjuha e pallatit mbretëror britanik është bërë gjermanishtja. Kjo është për shkak se prejardhja e familjes mbretërore britanike ka qenë dhe është edhe sot gjermane.


Mbretëresha Victoria (1819 – 1901), monarkja më e suksesshme në historinë britanike, ka qenë ajo që e ka ndaluar gjuhën gjermane të flitej në pallat. Por, edhe ajo kur fliste anglisht, vërehej se në të folurit e saj dominonte theksi gjerman. Sa për burrin e saj, princ Albertin, i cili ka qenë i lindur dhe i rritur në Gjermani, mos të flasim. Anglishta e tij ka qenë sikur e një ‘foreigner’- i. Vetëm në vitin 1917 familja mbretërore britanike i ka ndaluar emrat dhe titujt gjermanë që i kanë bartur deri atëherë. Pra, nga ky vit familja mbretërore britanike është bërë tamam britanike. Ky ndryshim ka ndodhur për shkak të frikës nga nacionalizmi që filloi të rritej në Britani dhe gjithkund në Evropë në kohën e Luftës së Parë Botërore.

Që nga shek. XIV sunduesi i Perandorisë Otomane, pra sulltani, me ligj është kërkuar të ketë lindur nga nëna evropiane. Ky veprim është bërë për shkak që brenda perandorisë të mos lindnin familje të krushqisë që mund të pretendonin fronin e të destabilizohet vendi në rast të ndërrimit të monarkut. Pra, sunduesit otomanë kanë lindur nga gratë që kanë qenë ukrainase, greke, shqiptare, serbe, italiane, franceze dhe në një rast edhe angleze. Sulltanët kanë qenë evropianë komplet dhe kanë folur nga disa gjuhë, por të gjithë e kanë zbatuar politikën otomane. Gjuha zyrtare e pallatit otoman ka qenë osmanishtja që nuk ishte tamam turqishtja që e flitnin njerëzit e zakonshëm.
Pra, ka qenë e parëndësishme se cilën gjuhë e kanë folur familjet mbretërore dhe nga cila familje është prejardhja e sunduesit nëse origjina është aristokrate - fisnike. Me rëndësi ka qenë se si ka folur populli dhe se interesin ekzistues të atij populli e ka mbrojtur monarkia që ka sunduar. Dhe, interesat e popujve të atëhershëm, së bashku me miqësitë apo armiqësitë, nuk kanë qenë sikur që janë sot.


Njësoj duhet të shihet e trajtohet edhe rasti i Skenderbeut. Është tërësisht e parëndësishme nëse ai ka folur apo nuk ka folur shqip. Është poashtu e parëndësishme nëse ai ka prejardhje serbe apo tjetër nga nëna e nga babai. Me rëndësi është që Skenderbeu, sikur të gjithë monarkët tjerë, është deklaruar se i takon atij populli, pra shqiptarëve, dhe se duke qenë edhe sundimtar i tyre, i ka zbatuar interesat e tyre. Ne sot nuk duhet të presim më shumë nga Skenderbeu.


Njësoj duhet të trajtohet edhe Princ Wiedi. Ai ka qenë gjerman, por e ka deklaruar veten monark të shqiptarëve, të cilët e kanë pranuar me shumë dëshirë. Madje, sikur rrethanat të ishin zhvilluar ndryshe, Wiedi me siguri do të dilte patrioti më i madh që kanë patur shqiptarët ndonjëherë.

Poenta këtu është se, nëse nuk i kemi parasyshë këto gjëra, nuk mund të debatojmë për këtë temë. Prandaj, këto ditë kjo temë është bërë e gërditshme për shkak se e dominon injoranca dhe një ‘patriotizëm’ i cili mendon se në mesjetë gjërat kanë qenë sikur që janë sot. Por, nuk shikohet mesjeta e as e kaluara e afërt me syza që i kanë xhamat me ngjyrë nacionaliste të shek. XXI.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco