Shkurti i tmerrshëm, 'grabisin mandatin e III, ose pas nesh u bëftë kiameti...’

Shkurti i tmerrshëm, 'grabisin mandatin e III, ose pas nesh u bëftë kiameti...’

Nga Kastriot Islami - 28/02/2021

Muaji shkurt 2021, pra një viti pas fillimit të pandemisë në mars 2020, ka shënuar gjendjen më të rëndë në të gjithë aspektet:

• Numri i të infektuarve ka arritur në vetëm 28 ditë shifrën më të lartë deri më sot prej 29040 qytetarë;

• Numri i viktimave po ashtu ka arritur shifrën më të lartë deri më sot prej 416;

• Numri i shtrimeve në spital gjatë këtij muaji ka arritur shifrën ditore më të lartë prej 662;

• Numri i shtrimeve në terapi intensive ka arritur po ashtu shifrën më të lartë prej 48...

    Duket që situata është jashtë kontrollit.. qeveria duhet hetuar nëse kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme (ky lloj hetimi po zhvillohet në vende të tjera)...apo ka ardhur për shkak të paaftësisë e papërgjegjshmërisë së saj...

    Kjo në çdo rast edhe nëse pengohet tani do të ndodhë e duhet të ndodhë me siguri në të ardhmen...

    Thënë të gjitha këto shifra që kanë krijuar panik të madh për publikun, duhet shtuar se sasia e testeve është ende e pamjaftueshme dhe çuditërisht qeveria nuk po merr asnjë masë për futjen e testeve PCR të shpejta që në të gjitha vendet europiane konsiderohen ‘shpëtimtare të jetëve’...

    Por ajo që është më shqetësuese, qeveria duke bërë vetëm propagandë e shou s’ka mundur të sigurojë e realizojë një plan vaksinimi të popullsisë apo sasinë e mjaftueshme të vaksinave... Kjo është makabër dhe qytetarët duhet të reagojnë fuqimisht....pa pritur 25 prillin...

    Përfundimi është i qartë: Shumica e qytetarëve, mbi 70 përqind e tyre, mendojnë se përfundimisht Rama ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, sado të përpiqet me mediat dhe propagandën e tij të tregojë të kundërtën...

    Madje shumica mendon se jo vetëm janë fshehur shumë viktima por edhe shifra zyrtare e viktimave duke qenë shumë e lartë bën përgjegjës drejtpërdrejtë Ramën dhe qeverinë e tij... Asnjë përpjekje e tij nuk do të mund ta shpëtojë nga kjo damkë, gjykim e me shumë gjasa ndëshkim... mos sot, nesër...

    Rama ndërkohë po kërkon mandatin e III me idenë dhe kërkesën idioteske për të realizuar menaxhimin e pandemisë, duke kujtuar  në mënyrë donkishoteske se me mashtrimin për vaksinimin që premton për ta përmbyllur në mesin e 2022, qytetarët do ta konsideronin atë ‘shpëtimtarin e jetëve të tyre’... ndërkohë që mbi 70 përqind e shqiptarëve e konsiderojnë atë të dështuar që sot dhe përgjegjësin kryesor të keqmenaxhimit të pandemisë...

    Në realitet qytetarët duhet të përgatiten të reagojnë fuqimisht në ditët në vijim,  pa pritur 25 prillin 2021, nëse Rama në vijim të strategjisë së tij për panikimin e qytetarëve me gjëndjen e përkeqësuar në muajin shkurt 2021, për shkak të mos marrjes së masave kufizuese në momentin e duhur (ta paktën në dhjetor 2020-janar 2021), dhe me synimin për të ruajtur karrigen e tij, do të tentonte të ‘mbyllte e mbyste demokracinë’ duke penguar opozitën të zhvillojë fushatën elektorale.

    Përmes vendosjes së  ‘masave drastike të karantinimit’ gjë që do të preknin rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe/ose do të hidhnin në erë jo vetëm fushatën elektorale por bizneset që kanë mbijetuar dhe ekonomitë e rënduara familjare... Me idenë makiavelike ‘ose grabis mandatin e III, ose pas meje u bëftë kiameti!’...

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco