Efekti ‘Albin’ apo spektakli i radhës?

Efekti ‘Albin’ apo spektakli i radhës?

Nga Syri.net Kosova - 25/02/2021

 

Afera me subvencionet që jep shteti për bujqësinë në Kosovë, nuk është lajm. Ka qenë e ditur prej kohësh, që po nuk dhe ryshfet, nuk përfiton fonde ose në rastin më të mirë, heq të zitë e ullirit derisa vjen te mundësia për të përfituar diçka. Pak rëndësi ka sa i ke plotësuar kriteret.

Fermerët i kanë denoncuar në vazhdimësi keqpërdorimet dhe një zinxhir të tërë kriminal institucional, që ka funksionuar prej vitesh e nuk është luftuar nga asnjë ministër. As nga ky i fundit.

Mesatarisht 50 milionë euro janë grante e subvencione vjetore për fermerët. Para e madhe, që nuk ka mundur të mbetet jashtë vëmendjes së mafies shtetërore. Ato 400 mijë që u zunë, janë vetëm maja e ajsbergut korruptiv. Është e qartë se miliona euro janë zhvatur, ndërsa adresa e tyre nuk dihet.

Një hetim i thellë do të duhej të nxirrte përgjegjësit dhe fajtorët, bashkëpunëtorët në krim dhe krerët politike që e kanë miratuar në heshtje skemën kriminale.

Por, pse pikërisht menjëherë pas zgjedhjeve, policia dhe prokuroria u mobilizuan për t’u shfaqur në aksionin e tyre, efikas në pamje të parë. Kështu dukej edhe rasti i Karaçevës, por aty asgjë nuk u konfiskua, ndërsa kapot e krimit shpëtuan.

Në të gjitha rastet e mëhershme, si atë “Pronto”, skandalin e veteranëve e plot të tjerë, në fund drejtësia ka amnistuar protagonistët. Politika në pushtet zakonisht ka ndërhyrë në zbutjen ose shmangien e dënimeve me burg. Fitorja e Vetëvendosjes, mund të ketë efekte në këtë drejtim, duke ua zgjidhur duart prokurorëve e gjykatësve që kanë qenë nën presionin dhe shantazhin e pushtetit.

Megjithatë, herët është për ta besuar këtë version. Korrupsioni në shtet ka lëshuar rrënjë të thella dhe skemat zhvatëse janë perfeksionuar në qeverisjet e kaluara. Partive që humbën zgjedhjet, nuk u ka interesuar asnjëherë luftimi i krimit, sepse kanë përfituar prej ryshfetit, tenderëve, subvencioneve, etj.

Fondet publike, kanë qenë qershia mbi tortë, për pushtetarët dhe klientelën e tyre. Për dy dekada, hajnia mund të ketë përmasa miliardëshe. Nuk është vështirë të drejtosh gishtin nga të korruptuarit. Është e pamundur të jesh një zyrtar shteti, polic, prokuror, gjykatës, drejtor, anëtar bordi, e të kesh gjithë atë pasuri, vila milionëshe, vetura të shtrenjta, shtëpi pushimi, patundshmëri pa fund, biznese etj, etj.

Drejtësia ka shumë punë për të bërë, ndërsa pritet që vullneti politik të jetë në favorin e saj. Por, ka arsye për të mos qenë edhe shumë optimistë, sepse operacionet policore gjithmonë kanë nisur me vrull, pastaj, janë heshtur. Të arrestuarit janë amnistuar. Gjykata i ka lënë të lirë, ndërsa askush nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen e milionave. A do të jetë edhe ky i fundit, një shembull i ngjashëm??

Ka plot adresa të tjera publike, ku policia e prokuroria do të duhej të mbërrinin, sepse prova ka të bollshme për të dërguar prapa grilave zyrtarët e korruptuar.

Shansi tani është më i madh se kurrë. Qeveria e re që po vjen, nuk ka hipoteka të së kaluarës e si rrjedhojë, asnjë justifikim nuk mund ta shpëtojë nga përgjegjësia për ta dekriminalizuar Kosovën.

Çelësi i suksesit për Albin Kurtin, është pikërisht në veprimin e pakompromis ndaj bandave shtetërore në radhë të parë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco