Dyqani i Ndranghetës dhe dyqankat e Ramës

Dyqani i Ndranghetës dhe dyqankat e Ramës

Nga Agim Xhafka - 27/01/2021

Më në fund kryeministri foli pas ditës së tretë. Pasi bllokoi në media përgjimet e prokurorisë antimafia italiane, pasi lëshoi nga zinxhiri Ballën që të thonte se mafiozët janë miqtë e Bashës, pasi Bolino torri lesh duke sjellë prova se Ndranghetan në Tiranë kishte veç një dyqan u turr vetë me pallë në gojë tamam si i quajturi Skënderbe.

Egër e me ckërmitje dhëmbësh na tha se ne populli t’u pijmë lëngun përgjimeve, nuk ka pse hetohen qeveritarët e qershia mbi tortë, e thënë nga çdo analist e militant, po ç’mafie zeza është kjo që në Tiranë nuk mban dot asnjë dyqan.

Pas këtij zulmi nisën të punojnë televizionet, me ritëm e papushim, njësoj si betonierat. Emisione, lajme, komente, tallje, ironira e në thelb, Ndrangheta me dyqan rrobash.

Në fakt nuk ndodhi siç Rama priste.

Opinioni ngeli te perceptimi se qeveria jonë është më keq se Mafia. E dinë të gjithë, e kanë provuar, në asnjë derë të shtetit nuk hyn dot po mos fute duart në xhep. Do një dokument në hipotekë, bëj gati pagesën. Do vizitë te mjeku, fut dorën në xhep. Do një vend pune, merr kredi. Do t’i shpëtosh një krimi, mbush një qese me euro.  Kështu nga mëngjesi në darkë ngelen duart te portofoli. Djersa e mundi i shqiptarit derdhen te qesja e qeveritarit, deputetit, gjyqtarit, policit, mjekut, sanitarit.

Ky perceptim është kaq i fortë sa shprehja, uji është i lagur.

Mes kësaj bindjeje masive erdhën përgjimet që e bënë mutin mullar. Diskutimet për to kishin brenda inat e vrer. Inat me këtë shtet që nuk mbajti qoftë një premtim dhe vrer pse ky vend po rrokulliset në greminë.

Rama si Rama, ia nisi refrenit bajat. Shpresonte që ndonjë nga Ndrangheta të qe fis me Saliun. Nuk i eci, atëhere, t’ja ngjeshim Bashës. Edhe pak Metës e më tej na shpëtoi dyqani që zbuloi Bolino. Dyqani, dyqani nisi kënga. Po harroi mavriu i gjatë plot koncesionarë të tij që nuk kanë as dyqane, kanë veç ca dyqanka.

Kështu një dyqankë në Berat mori koncesionin e dializës, miliona euro nga buxheti.

Një dyqankë tjetër u bë mirëmbajtëse e radarëve të ushtrisë.

Të tjera dyqanka projektuan rrugë e morën autostrada. Tamam si Ndrangheta, ngri një dyqan e thuaj, hapu Suzam!

Rama ka fatin e keq që është në vitin e tetë të qeverisjes. Pa një bilanc pozitiv e me thes rrenash. Të qepura kaq keq sa tani edhe po të thotë, o milet, unë quhem Edi Rama do i thonë, uf çfarë gënjeshtari!

Jeta e tij politike fiks si jeta e Xhezo arixhiut.

-Ky kalë që po shet është qorr, - i thoshin.

-Jo, jo nuk është qorr. Ashtu duket se...po ma bën mua me sy.- mashtronte Xhezo Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco