Sloganet në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga akademizmat te muskujt

Sloganet në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga akademizmat te muskujt

Nga Syri.net Kosova - 25/01/2021

Në  këto zgjedhje me fitues të paracaktuar dhe në rrethanat e pandemisë, zbehet rëndësia e fushatës dhe motove partiake. Megjithatë, sloganet e subjekteve në garë, shfaqin karakterin e tyre në këto zgjedhje dhe ambiciet drejt pushtetit. Secila parti, është përpjekur të shprehë me një ose dy fjalë të vetme, thelbin e pretendimit të tyre elektoral. Më ambiciozja kuptohet, është Lëvizja Vetëvendosje

“Krejt dhe Drejt”

Albin Kurti e do krejt besimin e popullit, për të qeverisur në mënyrë të drejtë. VV-ja po lufton që të marrë deri në 60 deputetë, edhe pse duket e pamundur, për shkak të hartës elektorale në Kosovë. Sondazhet serioze e nxjerrin aleancën e Kurtit me Vjosa Osmanin, mbi 45 për qind që do të thotë  mbi 50 deputetë. Me një përfaqësim të tillë, zgjedhja e qeverisë duket punë e lehtë, por sharra mund t’i hasë në gozhdë VV-së te zgjedhja e presidentit, që kërkon kuorumin e dy të tretave. Afatet strikte kushtetuese imponojnë zgjidhje të shpejtë dhe racionale, por edhe kompromis me partitë e tjera. Ana pozitive e zgjedhjeve është se janë hequr vijat e kuqe, por thellimi i hendekut mes VV-së e të tjerëve, e bën të paqartë rrugëdaljen.

“Rimëkëmbje”

Kur e lidh me pandeminë, duket një gjetje praktike. Megjithatë për një parti e cila ka qeverisur me dorë të hekurt pjesën dërrmuese të viteve që lamë pas, është slogan “vetëvrasës”. Çfarë mund të rimëkëmbë PDK-ja, që është bërë sinonim i kapjes së shtetit, korrupsionit dhe klientelizmit? Rimëkëmbjen nuk e bëjnë ata që nëpërkëmbën sa ishin në pushtet, por opozita si alternativë qeverisëse që duhet të provohet pas zgjedhjeve. Pa kaluar në opozitë dhe pa u reformuar, Partia Demokratike, nuk konsiderohet as përafërsisht si kontribuese e një rimëkëmbjeje të synuar nga të gjitha partitë në garën elektorale. Për shkak të keqqeverisjes së saj, gjasat që të bindë votuesit për një besim të ri, janë zero. Rimëkëmbjen e vërtetë, partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, mund ta zbatojnë në radhët e subjektit, që po përballet me krizë lidershipi që nga shkuarja në Hagë e dy shefave të saj.

 

“Shteti.Shtet.”

Parulla që nxiti të qeshurat më të shumta, ishte kjo e LDK-së. Kushdo që ka qenë ideatori i saj, ia ka huqur keq. Duket se ideja ka qenë të tregohej se Lidhja Demokratike është parti shtetformuese, shtetndërtuese dhe institucionaliste, për dallim nga VV-ja, që ata e shohin si anarkiste dhe radikale, edhe pse janë sërish gati të bëjnë koalicion paszgjedhor  me Albin Kurtin. Shteti, shtet apo buka, bukë e kripa, kripë... Reagimet negative pas publikimit të këtij slogani, janë të natyrshme, por akademikëve të LDK-së, nuk u bëjnë përshtypje rrjetet sociale. Kjo parti, që lufton me PDK-në për të dalë e dyta në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka luajtur rol të rëndësishëm, por që prej vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova, nuk po e merr dot veten.

“Forca e Kosovës”

Edhe pse mund të mos e kenë ndërlidhur pikërisht me muskujt e liderit, slogani i AAK-së, të shpie aty. Ky subjekt funksionon tërësisht me emrin e Ramush Haradinajt, që tani i është rrekur ambicies presidenciale. Fuqia e AAK-së, është në forcën e Ramushit. Në momente të caktuara, ai dallohet për rezistencën politike, si në rastin e planeve për ndarjen e Kosovës, kur dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas presioneve të shumta, pa hequr dorë nga qëndrimi i tij. Gjithsesi, kjo nuk është një rezistencë konstante. Në rastin e demarkacionit, pas ardhjes në pushtet, Haradinaj bëri një tërheqje taktike, ndërsa marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, u ratifikua ashtu siç e kishin pranuar Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Sloganet e sivjetme, shfaqin deri diku fytyrën e partive dhe qëllimet e tyre, krizën në të cilën ndodhen dhe justifikimin për humbjen e besimit te votuesit.

Pavarësisht cilësisë, këto slogane nuk pritet të ndikojnë në ndonjëfarë mobilizimi befasues votuesish. Në Kosovë, edhe pas njëzet vjetësh në liri e demokraci, vota shkon për liderët. Më bindësit, janë fituesit në ardhje, pavarësisht programeve, zotimeve, sado serioze qofshin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco