Urime 'Vetëvendosje!', në Tiranë e gjithandej!

Urime 'Vetëvendosje!', në Tiranë e gjithandej!

Nga Enver S. Morina - 23/01/2021

Ndryshoni të kaluarën sepse e ardhmja nuk ekziston! Paska “thënë”, që në botimin e parë në shqip, te “I pavdekshmi”, tash e 40 vite, shkrimtari latinoamerikan, shteti i të cilit ende nuk e pranon Republikën e Kosovës, si shtet i pavarur! Nuk ka të bëj me shpresat për diçka që ke ëndërruar. Shqiptarët ishin pjesë e një beteje të humbur që në vitin e largët 1389. Koalicioni ballkanik u mund. Shqiptarët u dëbuan nga trojet etnike në prag të Kongresit të Berlinit. Kurrë më nuk u kthyen në trojet e tyre. Një nga ato familje ishte edhe ajo e paraardhësve të gjyshit. Në Vlorë ishte edhe Isa Boletini, eshtrat e të cilit prehen në veri të Mitrovicës, por që mund të vizitohen lehtë edhe nga zyrtarët politik “kosovar”.

Më afër nesh e më larg realitetit të harruar: Bujani ishte vazhdimësi e Prizrenit. “Kosova e kishte fillimin”. Ndodhi globalizmi ndërkombëtar i marrëveshjeve të dalë nga një prej luftërave më të mëdha në planet, pasojat e të cilës ende janë të dhembshme dhe njëkohësisht kujtesë monumentale. Së paku tek hebraikët dhe gjermanët. Në shtetin e Izraelit gjuhë zyrtare thuhet që janë hebraishtja dhe arabishtja. Ta lexosh historinë e qyteteve dhe metropoleve të kohës së vilajeteve shqiptare, në kuadër të Perandorisë Otomane, si Manastirit, Janinës, Shkodrës e Ulqinit, së paku një herë në jetë duhet vizituar vende si manastirin që ndërtoj Angjelina Araniti në Krushedol a katundin e vëllezërve Frashëri në Përmet.

Sondazhet janë të frikshme para zgjedhjeve! Erdhi viti kyç i një fryme të kamotshme rrënjët e së cilës ngjarje mund t’i kërkojmë tek tregimi i Konstandin Kristoforidhit “Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit)”, tek shkronjat e alfabetit të vitit 1908 dhe tek Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Në Tiranë u mblodhën 87 delegatë dhe mbajtën Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, ngjarje e cila kurrë më nuk do të përsëritet, në përmasa të tilla. As pas 50 vite! Ndoshta 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit bënë përjashtim në një botim voluminoz, integral e antologjik të realizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës “Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, shtypur në dy vëllime nga NSH grafike “Rilindja” në Prishtinë, me kryeredaktor Ali Hadrin e Idriz Ajetin, me redaktor teknik Shyqri Kushevica. Sipas këtij botimi fjalën përshëndetëse hyrëse e ka mbajtur Dushan Ristiqi, kryetar i atëhershëm i Kuvendit të KSA të Kosovës. 

Oh, sa çast i lumtur, ishte kur Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ditë më parë, duke “interpretuar” librin e palexueshëm me shkronja të padeshifruara “Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, në 162 nenet e saj “konservatore”, gjetur në një nga labirintet e Gjykatës Ndërkombëtare dhe në origjinalin e tregimit të Jorge Lusi Borges “Tema e tradhtarit dhe heroit” tha, parafrazojmë, se “vendimet nuk diskutohen por zbatohen”! Sa herë udhëtoj këmbë nga ShënGjini tek “Rana e hedhun”, në një objekt kazermë ushtarake buzëbregdetare, lexoj parullën “Urdhri nuk diskutohet por vetëm zbatohet”.

Kur pavarësia është kompromis?! Albin Kurti është nga të vetmit dhe nga të paktë, që e ktheu Ibrahim Rugovën në majat më të larta të çështjes së pavarësisë së Kosovës në kohë zgjedhjesh e takimesh, nga Prishtina në Bruksel e nga Beogradi në Uashington, duke e cituar frikshëm presidentin historik: Pavarësia është kompromis. Në vitin 1978 në një intervistë dhënë gazetës “Rilindja” Ibrahim Rugova thoshte “Ta forcojmë guximin kur kemi për të thënë diçka.” Po në librin me intervista dhe artikuj “Pavarësia dhe demokracia” (1991), në një intervistë dhënë një mediumi në Lubjanë në vitin 1989, gjejmë të thoshte “Është rrezik i madh kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.” 

Në një intervistë për “Syri net” Albin Kurti do të thotë për Ibrahim Rugovën: “E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rolin e tij në vitet 1989-92. Sidomos është një deklaratë e tij që ka pasur shumë rëndësi të madhe atë kohë e cila vlen jashtëzakonisht shumë edhe për sot. Është kaq e thjeshtë dhe këtë dua ta ndaj me ju. Rugova pati thënë atë kohë: ‘Edhe pavarësia është kompromis për Kosovën’”. Këtë nuk e bënë as pelegrinët e një katedraleje, sepse “koka” në varr, më shikim nga duhet të kthehet çdo mysliman për faljen e namazit, në drejtim të Qabesë në Mekë dhe “trupi” lëvizës, në hap me presidentin, ngjyrë gruri të ndezur, në oborrin pa kangjellat katolike, nuk thoshin asgjë, sipas të tjerëve. Realiteti i Pashës së Tepelenës sikur shndrisin personalitetin e liderit “të heshtur” e të matur pranë zbulimit të bustit të Pjetër Bogdanit i cili i mungon kryeqytetit. 

Nëse një botues librash poetik ka figurën e ipeshkvit të Shkodrës, nëse një dramë e Teki Dërvishit ndërtohet nën eshtrat e zhvarrosur të arqipeshkvit të Shkupit, Bibliotekës Kombëtare i mungon monumenti i autorit të “Çetës së profetëve”! Ndoshta nga që autori i veprës së parë në origjinal në shekullin XVII nuk përmend dhe citon fare kryeheroin Skënderbeu, kur dihet se kjo nuk i ka ndodhur Lekë Dukagjinit, as Frang Bardhit dhe të tjerëve klerik të veriut. Naim Frashëri i këndoi në Stamboll dhe e vjershëroi përjetësisht. Shumë vonë, vetëm 7, 8 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u xhirua filmi bashkëprodhim “Skënderbeu”. Megjithatë filmi u shfaq 11 vite para se Stefan I. Prifti ta përktheu dhe botoi veprën e Marin Barletit në shqip! Vepra e humanistit shqiptar ishte botuar në shumë gjuhë të tjera përkthyer nga latinishtja qindra vjet më parë, ndërsa filmi nderohet me dy çmime të rëndësishme e të veçanta në Festivalin e njohur të Kanës të vitit 1954. 

Personale, një: Pasi e kishin larguan nga partia, për një të qeshur “pjate” si kuzhinier që ishte, me shkas një minutë heshtje për vdekjen e Mosha Pijadës, dy vjet më pas, 1959, babai shkroi parullën dhe e vuri në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, te vendi i quajtur “Lluga e Haxhisë” në Gllarevë, edhe më këtë përmbajtje: “Me 1960 Kosova duhet t’i takoj Shqipërisë...”, “Jugosllavia duhet t’i liroj shqiptarët...”, “Ka për t’filluar lufta në Kosovë kundër Serbisë për shkak te represionit që zhvillohet ndaj shqiptarëve...”, “Kosova vuan prej Serbisë për shkak te porezit (tatimit)...” dhe “Kosova vuan prej Serbisë për shkak të angarisë...”. Për këto vuajti izolim të rëndë, në pranga hekuri, në qelitë e burgut në Pejë. Babai që lexonte revistën “Filmski Svet” në vitet 60-ta, babai që kur ende nuk kishte rrymë elektrike dhe televizor kishte parë në kinema filmat “Zonja me kameliet” e “Kartushi”, babai që kishte interpretuar figurant në filmin “Kur pranvera vonohet”, babai që kurrë nuk arriti të punësohet në gjoja regjimin jugosllav e në të vërtetë serb në Kosovë, babai që ju gëzua marrëzisht hapjes së përfaqësisë amerikane në Prishtinë, kurrë nuk arriti të vizitoj Tiranën dhe gjithandej Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Ishte kjo histori dhe ditari i shkruar që nga viti 1959 e deri sa vdiq në vitin 1996 tashmë si palimpsest, miqtë e mirë e din, që Tiranën ta vizitoj, dhe jo vetëm atë, përgjithnjë për herë të parë. 
Prandaj “Gëzuar, “Vetëvendosje!”, në Tiranë, e gjithandej!”

Personale, dy: Nga tridhjetë e tre bashkëbisedimet me kineastë (nga afër 99 sa kam intervistuar) të vëllimit të parë, në përfundim për botim, tre i takojnë kineastëve nga Kosova: Ismail Ymeri, Hadi Shehu e Adem Mikullovci. Kam udhëtuar në një pasdite dimri për në Gjakovë ta takoj në shtëpinë e Tij aktorin e njohur Hadi Shehu. 
Kam udhëtuar, përmes liqenit Strugës e Librazhdit, për në Elbasan të takoj aktorin Demir Hyskja.
Kam udhëtuar, përmes manastirit të Ardenicës dhe Apollonisë, për në Vlorë të takoj aktorin Albert Vërria!
Kam udhëtuar, përmes tunelit të Kalimashit dhe Milotit, për në Shkodër të takoj skenaristin Skënder Drini!
Kam udhëtuar, përmes minierave të Bulqizës e Peshkopisë, për në Korçë të takoj aktorin Dhimitër Orgocka. 
E të tjera udhëtime! Në Tiranë dhjetëra herë për kineastët, që tashmë, disa prej tyre kanë ikur nga kjo botë.

Oh, sa i gëzohem që kurrë nuk morra përgjigje nga kryeministri kosovar i vitit 2008 e 2009 në rreth nëntë pyetje të dërguara në fletë të shtypur, një nga të cilat ishte: “Relacionet e kulturës dhe shoqërisë së sotme në tri aspekte (koncepti i Baumanit): Nga aspekti gjenetik? Nga aspekti struktural? Nga aspekti funksional? Si e mendon këtë kryeministri?” 
Në mes titujve citat, si një analogji e fenomenit letrar të komentimit të interpretimeve interpretuese nga kritikët “e rinj” për studime diskurseve kontekstuale kushtetuese “Ndryshoni të kaluarën, sepse e ardhmja nuk ekziston” dhe “Urdhri nuk diskutohet por vetëm zbatohet” vendosa gëzimin e lëvizjes më të re më rrënjë qindravjeçare me një titull urate dhe lumturie: 
“Urime “Vetëvendosje!”, në Tiranë e gjithandej!”

P. S. 
Nga letra dërguar KMDLNJ- së, dega në Klinë, në mars të vitit 1996, vetëm 3, 4 muaj para vdekjes së prindit. Dosja 60 faqesh, në dy gjuhë dhe në dy alfabete, latinisht dhe çirilicë, vjen vetëm si një vegim turpërues sepse Kosova po e humb identitetin. Po bënë “përpjekje” të ngjizet në një “komb të ri kosovar”: “... Akti i vuajtjes së dënimit “në emen të popullit” të prindit tim kur Unë nuk isha në këtë botë (kur sot shoh se çfarë mund të bëj një 19 vjeçar në frymën demokratike te paqëndrueshme) duke e lënë mënjanë vet “procedurën”, odisejaden 5 mujore në burg (dokumentacioni, sëmundja e prindit si pasojë e goditjeve të pandërprera) e përjetoj e përjetoj si një vizion që është sendërtuar në përpikmëri dekada më vonë (është kërkuar Kosova Republikë, është hequr stafeta sa ekzistonte vet Jugosllavia, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë “për shkak te tatimit dhe angaris” -siç shkruan në parullë, aktdënim dhe aktvepër) e përjetoj edhe vendqëndrimin e heshtjes së mëvonshme si ngritje intelektuale të familjes...” 
Prandaj, i gëzohem suksesit te “Vetëvendosje!”-s, në Tiranë e gjithandej!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco