Sondazhet, Valdete Daka...Kur s’ke ç’i bën gomarit, i bie samarit

Sondazhet, Valdete Daka...Kur s’ke ç’i bën gomarit, i bie samarit

Nga Syri.net Kosova - 21/01/2021

 

Mllefin paraelektoral partitë po e shfryjnë në adresa të gabuara. Dy partitë e vjetra, PDK e LDK janë zemëruar me një televizion privat, ku u publikuan rezultatet e një sondazhi parazgjedhor.  Ky nuk është shqetësimi i tyre për pavarësinë e mediave, sepse dihet se si janë sjellë në të kaluarën.

Këto dy subjekte që e qeverisën gjatë Kosovën, nuk kanë shprehur asnjëherë kritika për shembull ndaj mediumit publik, që dihet se kujt i ka shërbyer prej vitesh, edhe pse me ligj duhet të jetë në shërbim të publikut, e jo të partive, liderëve apo klaneve të caktuara.

Mediat në një shoqëri demokratike, janë të lira të bëjnë, porosisin, publikojnë sondazh, vetë ose në bashkëpunim me organizatat e specializuara në këtë lëmi. Përgjegjësinë e marrin vetë autorët e sondazheve bashkë me  mediat që ua japin hapësirën e transmetimit, publikimit.

Sondazhi i radhës, që edhe ngjalli reagimet e ashpra nga PDK e LDK, dukej jo fort serioz bazuar në prezantimin e dhënave nga disa studentë të një kolegji privat, ku jep mësim një ish-analist, kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Secila parti ka të drejtë të pajtohet ose ta kundërshtojë një sondazh të tillë, megjithatë nuk duhet harruar respektimi i lirisë së shprehjes dhe punës së pavarur të mediave, që publikojnë anketime të tilla të zakonshme sidomos në kohë zgjedhore. Për një media profesionale, me rëndësi është të jepen me saktësi të dhënat rreth sondazhit, margjina e gabimit, mostra e të anketuarve etj.

Është ironike t’i dëgjosh eksponentët e PDK-së e LDK-së, që akuzojnë oligarkët, kur janë vetë ato që u kanë shërbyer e kanë marrë shërbime nga oligarkët për vite të tëra, në forma të ndryshme.

Këto reagime, megjithatë janë një përpjekje e dëshpëruar për ta zvogëluar efektin e një frymë ndryshimi në politikën kosovare, që hetohet lehtë nga çdokush, edhe pa bërë sondazhe.

Një formë e tillë reagimi, është edhe fushata akuzuese e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, pas njoftimeve se Albin Kurtit do t’i ndalohet kandidimi në zgjedhje. KQZ është e detyruar të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin, i ndalohet kandidimi në zgjedhje secilit kandidat që ka një dënim të formës së prerë për vepra penale në 3 vjetët e fundit.

Pasojat e këtij vendimi, prekin të gjitha partitë, por Vetëvendosje është në shënjestër.  Edhe pse duket absurd, është vendim i ligjshëm. Si i tillë, nuk mund ta zhbëhet nga Valdete Daka, e cila është bërë tabelë qitjeje nga VV-ja. Vendimi i Kushtetueses, me prapavijë të qartë politike, na ka sjellë në këto rrethana të tensionuara në prag të çertifikimit të listave.

Partitë, duhet të tregohen më të matura dhe të mos i fryjnë zjarrit paraelektoral, duke ngritur tensione panevojshëm që nuk i shërbejnë askujt.

Zgjedhjet e 14 shkurtit janë edhe një test i maturisë kosovare në demokracinë ende të brishtë, ku një shkëndijë e vogël, gjithnjë rrezikon ta ndezë gjakrat mes rivalëve të vjetër e pretenduesve favoritë për të marrë pushtetin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco