Dhuna në shkolla – a jemi vonuar?

Dhuna në shkolla – a jemi vonuar?

Nga Xhavit Rexhaj - 19/01/2021

Këto ditë ndodhën dy raste (Prizren e Prishtinë) të dhunës në shkolla. Njëra prej tyre fatkeqësisht përfundoi me fatalitet. Tash ne të tjerët vetëm mund të marrim me mend dhembjen dhe vuajtjet nëpër të cilat kalojnë prindërit e djalit të ri që ishte viktimë në këtë rast. Uroj që Zoti t’ua japë forcën prindërve për të përballuar dhimbjen e madhe. 

Mirëpo, rrahjet dhe therrjet nuk janë dhuna e vetme që ndodhë në shkollat tona. Kemi dhunë të personave jashtë shkollës ndaj nxënësve, dhune dhe imponim te shperndaresve te drogave, dhunë fizike e psikike të mësimdhënësve ndaj nxënësve dhe anasjelltas, dhunë në mes të mësimdhënësve dhe prindërve, të gjitha këto brenda dhe jashtë shkollës e të tjera. 
Përse ndodhin këto? Përgjigja është komplekse dhe me siguri ngërthen problemet ekonomike e sociale të individëve, të familjes e të shoqërisë. Politika me përqendrim kryekëput në interesa politike dhe me zgjedhjet e shpeshta nuk ka ndihmuar aspak në përmirësim të gjendjes. Politizimi i arsimit dhe angazhimi i militantëve partiakë në vend të profesionistëve prej shkollës, në komunë e deri në Ministrinë e Arsimit vetëm sa e përkeqëson situatën. Kjo për arsyen e thjeshtë se militantët partiakë as nuk e njohin arsimin, as nuk dinë e as nuk e kanë hallin te fëmijët.

Ku është problemi? Shkolla sot nuk ofron asgjë tjetër pos mësimdhënie – jo shumë cilësore! Sot në shkolla, një drejtor i vetmuar përballet me problemet ditore, me prindërit, me arsimtarët, me cilësinë, me objektin, me ngrohjen, me mirëmbajtjen, me administratën, me nxënësit problematikë, me furnizimet e me shumë gjëra të tjera. Njëkohësisht, nuk i ka autorizimet dhe pushtetin për t’u marrë me këto probleme. Në këto rrethana, shkolla sot thjeshtë rropatet duke organizuar njëfarë mësimi dhe duke shpresuar që të këqijat mos të ndodhin. Por, të këqijat ndodhin. Më e keqja është që fëmijët nuk mësojnë dhe nuk shkojnë rrugës së drejtë. Të këqijat ndodhin dhe shkaktojnë shumë dhembje. Këtyre të këqijave duhet t’u paraprijmë pa ardhur puna te dhuna e te krimi e te policia.  
A ka zgjidhje? Unë mendoj se zgjidhja mund të gjendet në (i) forcimin e shkollës, (ii) angazhimin më serioz të organeve për zbatimin e ligjit (policia e shërbimet sociale) dhe (iii) depolitizimin e arsimit. 

Si mund të forcohet e të fuqizohet shkolla? Tashmë muaj të tërë, kam kërkuar në Ministri të Arsimit që të formohet një grup për ristrukturimin e brendshëm të menaxhimit të shkollës! Ky ristrukturim do të siguronte që shkolla të kishte një drejtor të fuqishëm të ndihmuar nga një Këshill Profesional dhe nga një Kolegjium i Departamenteve. Këshilli profesional duhet të kishte Koordinatorin e cilësisë, Psikologun, Këshilltarin e Karrierës, Punëtorin Social (1 në katër shkolla) dhe Koordinatorin e Klubeve të nxënësve (me së paku pesë klube të përhershme). Në Kolegjiumin e Departamenteve do të ishin shefat e shtatë departamenteve – menaxherë të mesëm të cilët punojnë me mësimdhënësit e me nxënësit. Drejtori do të ishte koordinator i këtyre trupave. Në arsimin kosovar sot kemi rreth 4,000 mësimdhënës tepër. Komunat përdorin mjeshtri të ndryshme për të ruajtur numrin e mësimdhënësve përkundër rënies së numrit të nxënësve. Krejt përpjekja është se si të improvizohen orët e mësimit për të siguruar vende pune për të preferuarit. 

Në vend të kësaj, me tepricën e personelit do të duhej krijuar shërbime të tjera – jo vetëm mësimdhënie: shërbime psikologjike, shërbime sociale (me nxënësit problematikë), shërbime të këshillimit në karrierë, aktivitete në klube (letrare, teknologjike, artistike, shkencore), përkrahje pedagogjike e përkrahje për prindërit. Njerëzit i kemi – janë teprica që i fshehim nëpër orë fiktive dhe nëpër numra fiktivë të nxënësve. Mjafton që të ritrajnohen për të ofruar shërbime të llojllojshme profesionale e arsimore. 

Një shkollë e tillë e fuqizuar – me drejtor të fuqizuar - shndërrohet prej objektit të keqardhjes siç është sot në një mekanizëm të fuqishëm transformues të fëmijëve – me fare pak rritje të investimeve (kryesisht për aktivitete në klube dhe për psikologë). Një shkollë e tillë është pastaj partner për organet e sigurisë, sepse ndahet ‘shapi prej sheqeri’. Nxënësit merren me aktivitete mësimore e me aktivitete në klube; huliganët pastaj mbesin vetëm pa përkrahje prej së brendi. Në këtë situatë personat jashtë shkollës do të dalloheshin shumë më lehtë nga nxënësit – sepse nxënësit do të ishin në klasë.

Edhe rastet e vështira disiplinore do të trajtoheshin nga psikologu, punëtori social, shefi i aktivit, këshilltari i karrierës. Çdo dhunues do të ndeshej me pengesa të shumëfishta para se të arrinte te fëmijët tanë – te nxënësit tanë. Çdo prind do ta dinte se e ka shkollën e policinë e shtetin përkrah. Çdo dhunues do të përballej me një nxënës më të formuar e me shumë miq që i gjenden pranë. Nxënësit nuk do të kishin nevojë për thika për t’u mbrojtur sepse mbrojtjen do ta bënim ne – të rriturit. Gjatë një vizite në një shkollë në Amerikë, sa më shumë që i afrohesha shkollës, aq më shumë ndihesha sikur një kriminel. Prej patrullës së policisë në rrethinë, prej njerëzve civil që rastisnin rreth shkollës, prej rojës së shkollës, prej personelit të shkollës - rruga deri te drejtori mu duk dhjetë kilometra. 

Për fat të keq, sa herë që kam propozuar një rregullore të tillë në tetë muajt e fundit, kam hasur në: haaajt se kemi punë tjera, haaaajt se e bojna ma von, shihe ky shihe, a osht kjo në kurikulë (thuase lodhen fort për kurrikulën), e të tjera si këto. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë thotë kadal djalo, çka po ngutesh. Po! Po pajtohem, tepër herët është!!! Kemi kohë! I kemi punët mirë në arsim!        
Por për disa prej nesh, për fat të keq, është bërë tepër vonë! Vetëm se duhet me i pas sytë për me pa!

Dhuna në shkolla – a jemi vonuar? Këto ditë ndodhën dy raste (Prizren e Prishtinë) të dhunës në shkolla. Njëra prej...

Posted by Xhavit Rexhaj on Tuesday, January 19, 2021

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco