Një dosje “zhurmuese” përtej intervistave me kineastë

Një dosje “zhurmuese” përtej intervistave me kineastë

Nga Enver S. Morina - 19/01/2021

Kur miqtë komunikojnë me celular dhe kur Tirana vizitohet e pranishme me facebook nga rrëmuja e makinave nga Zogu i Zi deri tek acari i tharë te Dajti:
Tirana frymonte heshturazi. KryeQyteti i artistëve të moderuar, të identifikuar me emrin e rrugëve “Dibra”, “Elbasani”, “Durrësi” e “Kavaja” lëviz teka-teka në katër drejtimet e hapësirës unike të qenies njerëzore. Koka si dimension i pestë, rri pezull në kërkim të një epilogu të brishtë arbëror dhe ngulitet në anët e sheshta të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, ndërtesave qeveritare dhe ndërtimeve të reja postdiktatoriale! 

Me njerëz të panjohur nuk mund të takohesh te Blloku. Takimet tashmë tek Bulevardi i Dëshmorëve janë të pakta. Stacioni i Trenit është varrosur për bukuri. Me miqtë e mirë mund të takohemi tek libraria “Adrion”. Teatri i mungon kryeqendrës. Aktorët ngushëllohen nga kolegët. Asnjë revistë kinematografike. Për të përfunduar një studim për filmin artistik shqiptar duhet lexuar edhe “Letërsi e painterpretuar” (2010) dhe “Realizëm SOCIALIST në Shqipëri” (2020). 

Në 41 vjetorin e ikjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në amshim: Për herë të parë në Tiranë, në përvjetorin e vrasjes kriminale në Undergrubenbah të Gjermanisë. AQSHF mbetët përherë institucioni që vizitoj. Një arkiv filmi në Prishtinë mbeti në letër sepse ministri u bë akademik dhe ende nuk ka lindur stërnipi i “Kosovafilmit”. Askush në Tiranë nuk flet për zgjedhje! Secili në Prishtinë vuan për kritikën letrare të Rugovës dhe pranimin shndritës të Tij pranë Katedrales katolike në qendër të Prishtinës. Prandaj i rëndësishëm është studimi i plotë i autorit Gëzim Qëndro “Kinostudioja “Shqipëria e vjetër”. 

Turpi i mosbotimit të intervistave me kineastë në një libër nuk ka brirë, por shihet përtej shpirtit “të nëpërkëmbur”. Sa më vjen të puth ato vende ku takova Dritëro Agollin, Sulejman Dibrën, Drita Pelinkun, Todi Bozon, Kiço Blushin, Besa Imamin, Muharrem Fejzon. Për të vazhduar për tek vendi ku pimë kafe, në Elbasan me Demir Hyskjen, në Vlorë me Albert Vërrinë, në Shkodër me Skënder Drinin, në Durrës me Gjergj Vlashin, në Korçë me Dhimitër Orgockën. Shkova një herë e një kohë për Hajrije Rondon në Fier dhe në Himarë. Mbaj ende një mesazh të saj telefoni vetëm pak ditë para lajmit të mortit. Dhe sikur kthehem në Prishtinë në të cilën vend gjej Xhanfise Kekon e vitit 2003, Gjergj Xhuvanin e vitit 2004, Ismail Ymerin e vitit 2005, Viktor Gjikën e vitit 2006, Lazër Filipin e vitit 2009 etj.

Dy ditë e një natë në Tiranë: Telefonata me poeten Natasha Lako kapërcente maskën e vënë në fytyrat tona të heshtura. Titulli i tregimit tim të parë shkruar e botuar në fundshekullin XX ka një titull urdhëronjës, i ardhur nga kodi i këshillës pandemike, si mision i “kollës së keqe” “Mos i humbisni sytë”. Më tej folëm edhe për “Rr’nimi i Arbërit”. Shkrimi “Aktorët nuk vdesin të parët” sikur ishte vënë në antologjinë e painterpretuar si një palimpsest gjithë krijuesve të artit të shtatë që ikën nga kjo botë, për tu futur në personazhet e përjetësisë së pashkruar, në vargun e karakterin kushtim. 

Pikturat në sytë e mbyllur reflektonin përtej mbulesës së shkrimtarit argjentinas në vargun e fundit të tregimit “Utopia e një burri të lodhur”: “Në studion time në rrugën Meksiko, në Buenos Aires, e ruaj kanavacën ku do të pikturojë dikush, mijëra vjet më vonë, me lendet që sot janë të hapërdara nëpër të gjithë planetin.” Pritja në dyert e daljes së Jorge Luis Borges nga “Pika Pa Sipërfaqe” tashmë digjet nga afshi i një vargu të vënë në faqen tre të përmbledhjes së plotë poetike “Duke kërkuar Itakën” (“ Përveç syve po të jep dhe lirikën e mrekullueshme të Reshpjes.”), të cilën zhanër nuk e njoh as nga ecejaket nëpër historinë e të burgosurve nën regjimin komunist, siç shkruajnë postmodernistët e naivitetit realist.

Kurrë më bukur nuk sh’driste monumenti i Adem Jasharit në rrugën e Durrësit i kthyer me shikim nga Kosova. Megjithatë, reflektimet analogjike të ikjes hyjnore të doktor Ibrahim Rugovës drejt Qendrës së Kryeqytetit i bënë më diskret homazhet tek varri i Presidentit, nga një konvergjencë intrige më përmasa fetare, tek diktati për një skulpturë realiste të kohës. 

Një ish i njohur me pasuri paraje të pafundme, i cili më pas u bë një mik i keq, kishte lënë amanet që varrin e tij ta zgjerojnë për disa centimetra, aq sa hapësira e xhirimit të filmit te hershëm te Woody Allen-it, i cili interpreton edhe rolin kryesor, me titull të gjatë sentencial dhe pyetje “Everything You Always Wanted to Know About Sex*(*But Were Afraid to Ask)”, por kockat e Tij nuk pranuan dhe reaguan ashpër nga vetmia që do mund të krijohet nga që mishi ndan boshllëk! 

Një nga dialogët dramatik më përmasa konflikti tekanjoz është ai i filmit “Hijet që mbetën pas” (1985) i regjisorit Esat Musliu i cili ishte njëherazi edhe bashkëskenarist me shkrimtaren Diana Çuli, e sidomos në kontekstin e përballjes monologu i Benit (interpretuar nga Ndriçim Xhepa) drejtuar familjarëve të tij, babait Adnan Kodrës (Reshat Arbana), motrës Marjeta (Matilda Makoçi): “E keni gabim të gjithë. Ai nuk ka faj. Unë pi se më pihet. Edhe kam dëshirë t’ju mërzisë. Siç më mërzisni ju të gjithë! Përveç Astritit. Vetëm ai, jo. Por ju atë nuk e doni sepse ai nuk ju ngjanë. Ai nuk është hipokrit, kështu si ju! Hë!? E thashë më në fund! Nuk ju duroj dot! Ty t’parin, baba! Sa falls që je!” 

Sa fals paska qenë kandidati i një strehimi “të vjetër” politik me kalimin në partinë më të re!? E frikshme dhe e dhembshme!? Sa pak vlera mbart njeriu për një “kafshatë bukë” në epokën moderne! Do të doja të jetoja një periudhë në Lubjanë e Bjellovar që të kuptoj se sa rëndë e ka pësuar vendi im, qyteti im ku jetoj, lagjja me rrugë me baltë në tri stinë, e në një me pluhur! 

Nga këtu sikur e dua të atjeshmen, nga atje më bëhet më e bukur e këtushmja, prandaj rrjedhojë një këshillë idiolatrie për Arkivin e Filmit: Hiqeni filmin “Këngë dhe valle nga gurra popullore” (1969) i regjisorit dhe me skenar Gëzim Erebara, nga njësia e filmave artistik dhe vënë tek njësia e filmave dokumentar! 

P. S. Fotografia ndërlidh dy ditët “e vështira” për të ndërtuar një marrëveshje dhe realizuar një telefonatë...  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco