Listat zgjedhore, 'anonimusat' dhe 'Shën Valentini'

Listat zgjedhore, 'anonimusat' dhe 'Shën Valentini'

Nga Astrit Veliqi - 17/01/2021

Gara zgjedhore po bëhet gjithnjë e më interesante, ku së fundi edhe subjektet politike kanë zyrtarizuar listat zgjedhore me të cilat do të ofertojnë para qytetarëve me 14 shkurt, pikërisht në ditën e të dashuruarve.

Por këto lista dhe kandidatët brenda tyre, nga ajo që bie në sy nuk janë asgjë me shumë sesa riciklim i të vjetërve, pa ndonjë risi të madhe, ku pjesa më e madhe e tyre janë 'anonimusa' që nuk i njeh 'mahalla' e vetë e lëre më të njihen për ndonjë 'sihariq' pozitiv nga shoqëria jonë.

Këto lista janë me shumë sesa tallje me elektoratin që kryesisht janë bërë për pazare të ndryshme politike, sa me ia plotësue dëshirat ndokujt e ku i ngjajnë me tepër një 'dyçani' ku futen produkte nga me të ndryshmet, e ku pjesa me e madhe duken me afat të skaduar.

Të tillët janë pothuaj në të gjitha listat e subjekteve politike, pa përjashtim një mish- mash i përzier pa ndonjë kredo të lartë profesionale, intelektuale e akademike.

Por përveç listave për kandidatët, bartësit e listës pothuaj tashmë i kemi njohur të gjithë ngase pjesa ma e madhe e tyre e kanë shijuar tanimë karrigen e pushtetit, disa më pak e disa më shumë.

Por sikur të jetë kjo e gjitha, këto zgjedhje kanë zgjuar interesim të madh jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj, sidomos për mërgatën, e cila si duket edhe kësaj here ka nisur të mobilizohet për ta kryer obligimin e tyre qytetar.

E nëse ndalemi të sondazhet, kemi parasysh se ata të fundit po i japin një mbështetje bukur të lartë VV-së së Albin Kurtit, e aq më tepër garimit në një listë me Vjosa Osmanin, si kandidate për presidente e bën edhe më interesante.

Megjithatë, a do ta shohim ndryshimin e pritur, ketë do ta mësojmë në mbremjën e 'Shën Valentinit' me 14 shkurt!

Por një qeveri e fortë do të jetë e pamundur pa një parti tjetër politike, e ku këtu nuk përjashtohet AAK-ja e Ramush Haradinajt, por as ajo e PDK-së, e cila në këto zgjedhje po hyn e hendikepuar pa dy liderët 'mitik' të saj, sikur janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Derisa LDK dhe Nisma të cilat po i shijojnë ditët e fundit në detyrë të pushtetit, përveç disa shërbimeve qeveritare që i kanë kryer ndaj qytetarëve gjatë përiudhës së rrezikshme të pandemisë Covid-19, nuk po shihen shumë me entuziazëm për votuesit potencial.

Kjo me tepër po shihet nga përfundimet e disa sondazheve që si të tilla edhe mund të mos jenë faktike dhe të pranueshme, derisa si të tilla po hidhen poshtë nga strukturat udhëheqëse të këtyre dy subjekteve politike.

Sido që të jetë, subjektete politike i kanë prezantuar kandidatët e tyre para sovranit dhe i mbetet atij qe me votën e tyre të lirë të zgjedhin me të mirët në mënyrë që e ardhmja e tyre dhe mirëqenia të ketë me shumë siguri dhe shpresë për të vazhduar jetën në Kosovë.

E kjo nuk varet vetëm nga një individ, por manifestohet nga vota juaj, e cila duhet ta ketë motiv të mirën e përgjithshme, para asaj individuale.

Të paktën votuesi e ka mundësinë që t'i ndeshkojë kandidatët e vjetër dhe të iu ipet mundësia kuadrove të reja, megjithatë luftën e 'madhe' do ta shohim edhe brenda vetë kandidatëve për ta zënë një karrige të deputetit, apo kolltukun, pse jo të ndonjë ministri.

Pritjet dhe entuziazmi veç po rriten gjithnjë e me shumë, dhe tashmë jemi futur në atmosferën e garës zgjedhore, ku në vitin 2021 si duket kemi mbetur me më pak analista, gazetar, profesor, biznesmen, etj.

Me fat...e urime dita e zgjedhjeve për 'Shën Valentinin'.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco