Pakti i Albinit me Vjosën drejt ‘referendumit’ të 14 shkurtit

Pakti i Albinit me Vjosën drejt ‘referendumit’ të 14 shkurtit

Nga Syri.net Kosova - 14/01/2021

Për kryeministër nuk kemi garë, por për president po. As Ramush Haradinaj, as Vjosa Osmani nuk e kanë të garantuar zgjedhjen. Për Albin Kurtin, posti i kryeministrit për herë të dytë, është i garantuar. Koalicioni me presidenten në detyrë, e vulos një fitore bindëse në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Por, pse u kandidua për presidente, Vjosa Osmani? Partnerët nuk dhanë përgjigje të qartë, ndërsa arsyeja mund të jetë edhe një këmbëngulje e Vjosës që krah Albinit të mos mbetet thjesht, dyshi në listë.

Kurti thotë se nuk janë këto thjesht zgjedhje, janë referendum. Deri diku ka të drejtë, sepse dyshja Albin-Vjosa, përballë Isës, Ramushit, Fatmirit, Behxhetit, Avdullahit,Enverit, paralajmëron një lumë votash për Vetëvendosjen dhe partneren e saj.

Megjithatë, kandidimi për presidente i Vjosa Osmanit, është manovër elektorale e qartë. Me këtë veprim, votuesve u ofrohet edhe një emër konkret për postin e presidentit, përveç atij që është në garë tashmë, Ramush Haradinajt.

Kjo marrëveshje e godet liderin e AAK-së, por nuk ia humb shpresat. Edhe pse besohet se rezultati zgjedhor do të jetë i thellë në favor të Vetëvendosjes, askush nuk e pret që shifrat të jenë 80 me 40 për Albin Kurtin. Këtu po përfshijmë edhe ulëset e pakicave, 20 deputetë.

PDK, LDK, AAK, mund të jenë konsumuar si subjekte, megjithatë kanë kontingjente besnike të votuesve. Së bashku, marrin së paku 40 deputetë, në rastin e një rënie dramatike. Me një fjalë, Vjosa Osmani, i ka gjasat minimale që të jetë presidentja e ardhshme e Kosovës.

Sidoqoftë, kandidimi i saj, mobilizon votuesit që e duan atë, pasi e shohin si presidente të Republikës. Maksimizimi i fuqisë elektorale, në “referendumin” siç e quan Kurti, është synimi i çdo partie.

Hyrja në një listë e dy politikanëve më të votuar në zgjedhjet e fundit, që u kanë qëndruar besnikë parimeve të shprehura në fushatën e atëhershme, është goditje e rëndë për partitë e tjera. Beteja e tyre, do të fokusohet në kufizimin e përmasave të fitores së paralajmëruar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithsesi, partia e Albin Kurtit hyn për të triumfuar në referendum, por pa një përgjigjje për zgjedhjen e presidentit. Edhe Abini e di se gjasat për Vjosën, janë minimale.

Kush do të jetë atëherë kreu i ri i Republikës? Shanset për Ramush Haradinajt janë ende në tavolinë, por mos të injorojmë partitë e tjera, PDK-në dhe LDK-në. Befasira të tjera mund të na presin pas 14 shkurtit.

Deri atëherë, le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë qeverisje e pret Kosovën dhe të “shijojmë” aderimet e “çuditshme” nga drejtori i policisë në radhët e PDK-së te analistët që po i “japin fund” pavarësisë së tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco