Para se të votoni, shikojeni edhe një herë këtë asfalt të shkapërderdhur

Para se të votoni, shikojeni edhe një herë këtë asfalt të shkapërderdhur

Nga Syri.net Kosova - 12/01/2021

Me 14 shkurt, është mirë që para se njerëzit të nisen drejt kutive të votimit, ta shohin edhe një herë asfaltin që u shpërbë, si të mos kishte ekzistuar fare në komunën e Malishevës. Natyrisht, nuk është faji i reshjeve, por efekti korrupsion.

Gjithandej Kosovës, asfalti e betoni janë shndërruar në ikona korruptive. Prandaj, edhe buxheti zakonisht orientohet drejt projekteve të tilla, ku një zinxhir i tërë kriminal, funksionon qe dy dekada përmes tenderimeve abuzive.

Kështu ndodh në qeverinë e Kosovës, kështu bëhet edhe në qeveritë lokale. Tashmë ky është një mentalitet i të qeverisurit në Republikën tonë. Nëse pushtetin e rimarrin sërish të deritashmit, kjo fotografi e tmerrshme e asfaltit në Malishevë, do ta na shoqërojë edhe disa vjet.

Një shans, për të ndryshuar gjërat, e kemi para nesh në zgjedhjet parlamentare.

Në Kosovë kanë ndodhur edhe gjëra të mira, por korrupsioni sistematik, është duke e gërryer në themel shtetin. Shikoni se ç’ndodh kur ka reshje të shumta. Vendi ynë nuk shquhet për resurse ujore, ka pak lumenj e nuk do të duhej të kishte kaq përmbytje.

Shumica e dëmeve, shkaktohen për faj të mosmarrjes së masave me kohë dhe kaosit ndërtimor e urbanistik.

Sa vjedhin para me thasë në tenderët e asfaltit, më mirë të ishte investuar në sistemet e kanalizimeve dhe infrastrukturën përkatëse që minimizon dëmet nga përmbytjet.

Përgjegjësia këtu bie edhe mbi bizneset dhe individët e papërgjegjshëm, që ndërtojnë vend e pa vend, nuk përfillin kriteret urbanistike e lejet ndërtimore.

Të mësuar me këtë stil qeverisjeje, për njëzet vjet, ka vazhduar kjo bashkëjetesë partiake dhe heshtje popullore, që duket se po merr fund.

Pritjet janë të mëdha, megjithatë ndryshimi është i vështirë. Na duhet një rikthim i normalitetit, respektim i ligjit dhe ndëshkim i secilit që e pengon ecjen përpara.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, secila parti do të mundohet të fitojë besimin e votuesve duke ofruar programe ambicioze zakonisht të pazbatueshme. Parashikimi më i beueshëm është se ky do të jetë momenti i ndëshkimit të madh elektoral për politikën e vjetër dhe krijimi i një mundësie për një qeverisje ndryshe.

Janë të kuptueshme rezervat ndaj pushtetarëve në ardhje, megjithatë, alternativat janë të pakta.

Ose do të votohet edhe një herë për asfaltin Made in Malisheva, ose për ndryshimin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco