Si nuk e takova asnjëherë Naim Malokun, dhe ... ?!

Si nuk e takova asnjëherë Naim Malokun, dhe ... ?!

Nga Enver S. Morina - 12/01/2021

Ai shte Naim Maloku: Viti 1984. Në një nga kazermat ushtarake të Lubjanës. Ishte e diel. Ditë vizitash. Në altoparlant kërkohet edhe Enver Morina. Pas emrit Gëzim Ukaj, i cili ishte paralajmëruar një ditë më parë. Babai i Gëzimit më kishte sjellë një lloj barne shëruese nga Gjermania që t’më hiqte lythat në gishta. Ndoshta një mundësi që të dilja në qytet tërë ditën. Zbritëm shkallët. Ishte ditë e bukur fundvere. Nuk e dija ende kur binte gjethi, në vjeshtë a pranverë. 

Në oborrin e pastër pa gjethurina i drejtohem portave të daljes së kazermës. U shtanga. Një imazh siluete që rrezatonin diell, ndriçim e ngrohje. Ishte baci Salih me prindin e Sokolit. Nga malli e dëshira si në delirium u drejtova për tek dyert e mëdha nga hynin makinat. Kur unë u drejtova të dilja, oficeri i rojës, vetëm qeshi nga kjo situatë, duke më lejuar të vazhdoj. Loti ishte i paktë, gëzimi nuk kishte fund. Po halli?! Unë nuk kisha të drejtë të dilja nga kazerma pa paralajmërim. 

Oficeri ushtarak kur mësoi që Ne ishim shqiptar na këshilloj për një kërkesë të mundshme sepse kujdestar oficer i kazermës në atë paradite ishte eprori i lartë Naim Maloku. Jo pse unë vija nga “çeta” e kapitenit ushtarak Bashkim Kalaveshi, jo pse unë kisha zënë vendin e parë në shenjëqitje, jo pse unë isha futbollist që luaja edhe për ekipin e përzgjedhur të oficerëve të lartë ushtarak, jo pse unë kisha zënë një nga vendet e para në atletikë, në vrapimin 3 kilometra, por nga që kujdestar ishte Naim Maloku, u bë e mundshme që të dal tërë ditën të bashkudhëtoj dhe qëndroj ma bacin Salih. Vizituam Postojnën, Vërhnikun në të cilin shërbente shoku i fëmijërisë dhe i shkollës, fqinji Fadil Abazaj. Aty ishte edhe Emin Gërbeshi, të cilin nuk e takuam... 

Më pas, Naim Malokun e kam parë vetëm një herë në qendër të Prishtinës. Isha me një mik. Ai “i shkarkuar” nga petku politik, ashtu siç e kam njohur në kazermë,  kaloj përskaj nesh i vetëm. Mua më bëri përshtypje sikur fliste më vete. Miku më tha: “Kështu do i bëj politika të gjithë intelektualet dhe njerëzit e tillë të mëdhenj, të urtë dhe të ditur!” Në të vërtetë miku sikur pëshpëriti emrin e njeriut të fuqishëm të regjimit politik të kohës. Ky ishte dhe Ai ishte Naim Maloku, i veçanti, ushtaraku i moderuar që këto ditë e lexoj si autor në disa reagime në facebook. Sa herë thirret emri nëpër altoparlantë, në subkoshiencën e arbitraritetit dhe sigurisë ushtarake për të kaluar një vikend të bukur më babain, sikur me del Naim Maloku dhe më gëzon duke bërë një “përjashtim të vockël” (në Shentvid në kazermën “Boris Kidriç”) për një ditë të madhe, të papërsëritshme me prindin nëpër Lubjanë, në verën e vitit 1985...  

Liria aka emër edhe “Liria ka emër” atëherë kur veterani i fundit fals del dhe pranon gabimin dhe pendohet publikisht për mashtrimin që i ka bërë veprës më sublime, heroizmit të të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për këtë vend. “Liria ka emër” atëherë kur rrëfimtari që na zbriti heroin nga avioni e kupton se sa shumë dhe pa kurrfarë kërcënimi fyen mijëra bashkëluftëtar të liderit. Nuk besoj që televizori “i Tij” mund të pranoj lajme të tilla për marketing në kohë zgjedhjesh! ...

Ditët zgjasnin gjatë, ditë që nuk do të përsëriten kurrë më më atë gjatësi të frikshme! Isha me mikun dhe me motrën duke u kthyer këmbë nga Pagarusha për në Astrazubë. Në pasditen e 25 gushtit 1998 kumtin e vrasjes së Ismet Jasharit-Kumanova na e dha një ushtar rreth moshës 25 vjeçare. Oh, sa e dhembshme ishte ai çast. Ushtari i UÇK-së qante si fëmija dhe klithte gjatë asaj udhe të shkurtër, që u bë dhembje e pafund. “A e dini se kush është vrarë sot!?”, klithte sikur na pyeste! Sikur fliste më vete!  Dhe qante me dhembje. Dhembja e ushtarit të panjohur edhe sot me dhemb. Dhe më vret sa herë vije 25 gushti tash e 22 vjet ...

Post Scriptum: Ditë më parë mediat lajmëruan se në Dubai, në një ceremoni madhështore, në mesin e disa trofeve të vlerësuar ishte ai i trofeut të veçantë për futbollistin më të mirë të shekullit të fundit. U shpall Kristiano Ronaldo?! I cilit shekull? I shekullit XX a i shekullit XXI?! Në kapërcim nga një shekull në tjetrin futbollisti portugez kishte moshë 15 vjeçare. Nëse flitet për shekullin më të ri atëherë ky shekull ka edhe 80 vjet për të përfunduar! Edhe nëse është menduar për shekullin XV sipas kalendarit arab, është vitit 1442 që nuk ka të bëj me një fundshekull!  

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco