Hipokrizia politike e 'pështirë' edhe të masat anti-covid

Hipokrizia politike e 'pështirë' edhe të masat anti-covid

Nga Astrit Veliqi - 10/01/2021

Parafushata e partive politike në Kosovë tashmë ka filluar me premtime të mëdha megalomane,  tubime odash, kafeneshë e restorantesh, duke shkelur masat anti-covid dhe duke e sfiduar edhe vetë ligjin, sikurse duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.

E kjo pamje tregon mëse miri se si liderët dhe strukturat partiake nuk e qajnë shumë kokën për pandeminë, kur atyre iu rrezikohen karriget e pushtetit, duke rrezikuar kështu edhe jetën e qytetarëve në tubimet e tyre që po i mbajnë pothuaj çdo ditë.

Derisa kur po vjen puna për mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve tjera familjare, ato nuk po lejohen të mbahen gjoja shpërthen virusi dhe rriten rastet e infektimeve.

Kjo që në start, është standard i dyfisht i një shteti që nga paslufta nuk ka prodhuar asgjë me shumë se sa pabarazi, varfëri dhe jo-meritokraci.

Por kjo panoramë e keqe, për ata që në fakt e bëjnë ligjin e po na shesin 'kopalla', duke dënuar qytetarët për një maskë, apo kafenetë e restorantet për një karrige shtesë, si mbrojtje gjoja nga koronavirusi, janë këta politikanë e liderë që po i shkelin këto masa me dy këmbët e tyre.

E kjo në shikim të parë duket sa e dhimbshme, aq komike, sikurse merr edhe konatacion tragjik, ngase nuk ka barazi, dhe kjo pabarazi po vazhdon, si tallje edhe ndaj kategorisë tjetër e cila po dënohet e po anashkolohet nga kjo qeveri në detyrë dhe politikat e saj shterpe.

E duke e parë këtë gjendje, ku zyrtarët e partive politike mbushin odat, kafenetë e restorantet në tubimet elektorale, si në 'bashqe të babës', me të drejtë kanë reaguar edhe bizneset dhe gastronomët, duke paralajmëruar edhe ndryshim të masave në ditët në vijim.

A ka me të pështirë të mendohet se pikërisht janë këta politikanë dhe masat e tyre gjoja anti-covid, që kanë lënë pa punë mbi 10 mijë qytetarë në kurriz të këtyre masave, derisa ende pa filluar fushata qeveritarët dhe të tjerët po i shkelin ato masa ditë e natë.

Kjo nuk do me shumë koment! Por duke e parë ketë pabarazi mbi ligjin, ka reaguar ashpër edhe drejtori i Inspekcionit në kryeqytet, i cili ka paralajmëruar se çdo parti politike do të dënohet deri në 2 mijë euro nëse shkelen masat anti-covid.

Por partitë, sidomos financat i kanë pasur gjithnjë si 'fantome' pa e treguar kurrë prejardhjen e tyre, nuk lodhen edhe nëse i dënon me mijëra euro, por ligji si për qytetarin ashtu edhe për zyrtarin dhe politikanin duhet të jetë mbi çdo gjë.

Perndryshe, si duket Kosova mbetet një vend ku ligjin ende si thotë populli po e bën 'maliqi', e kjo kam frikë se do të vazhdojë edhe gjatë, përderisa kemi prokurorë me paga astronomike, por që janë të kapur nga politika.

E ajo që mbetet shqetësuese, është se edhe të huajt i kanë futur 'vesht në lesh', e nuk po reagojnë, ngase në këto raste po harrojnë të thonë se 'Kosova përveç tjerave është edhe projekt i tyre, amerikan e evropian'!

I lutemi Zotit të na mbrojë nga përmbytjet e shiut se turpi e marrja nuk paskan fund!!!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco