Si sot, më 1 dhjetor 1918 u themelua Jugosllavia ose burgu i kombeve

Si sot, më 1 dhjetor 1918 u themelua Jugosllavia ose burgu i kombeve

Nga Jahja Drançolli - 01/12/2020

Si sot, më 1 dhjetor 1918 është themeluar Jugosllavia ose burgu i kombeve: Kjo ngjarje shënon njëkohësisht dhe 102-vjetorin e riokupimit të Kosovës i shoqëruar me krime, pastrime etnike e grabitje ushqimi sidomos në trevën e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit e Ferizajit!

Në fillimet e veta, më 1 dhjetor 1918, shteti është quajtur Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene, ndërsa nga viti 1929 zuri të quhet Mbretëria e Jugosllavisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti komunist i Jugosllavisë është quajtur Republika Federative Popullore e Jugosllavisë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, dhe pas zhbërjes së Jugosllavisë komuniste më 1992, zuri të quhet Republika e Serbisë dhe Malit të Zi për të mbijetuar deri në vitin 2003, vit ky që shënon dhe fundin e Jugosllavisë. 

Në të gjitha këto etapa të zhvillimit të shtetit është shprehur sundimi serb në institucionet shtetërore i mbështetur në rregullimin centrist dhe interpretimin e bashkimit të sllavëve të jugut si vazhdimësi e shtetit serb. 

Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbretëria jugosllave është mbështetur në Francë dhe Britani të Madhe, ndërsa shteti komunist është mbështetur në shtete komuniste. Nga mesi i viteve 1950-ta, Jugosllavia konsiderohet për njërin ndër themeluesit e Lëvizjes së Painkuadruarve, e cila kundërshtonte dominimin e fuqive të mëdha në marrëdhënie ndërkombëtare. Si e tillë, në një Europë të ndarë në blloqe, neutraliteti jugosllav ishte një faktor joshës sigurie dhe kishte mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare.

Në aspektin demografik, nëse u besohet të dhënave statistikore të vitit 1918, numri i popullatës shqiptare kapte shifrën (3,6%, kjo përqindje duhet dyfishuar, meqë një pjesë e shqiptarëve janë regjistruar si myslimanë dhe turqë), ndërsa në vitin 1981, 7,7%, në krahasim me serbët 36,3%, kroatët 19,8%, muslimanët 8,9%, sllovenët 7,8%, maqedonasit 6%, malazezët 2,6%, dhe hugarezët 1,9%. Pas demarkacionit përfunduar të shtetit komunist jugosllav nga kapërcyelli i viteve 1950-ta, Krahina Autonome e Kosovës (dhe Metohisë), zotëronte territor prej 10.887 km². 

Burimet historike të kohës provojnë se pas Luftës së Parë Botërore është realizuar riokupimi klasik i Kosovës nga Serbia për ta inkuadruar më pastaj në mbretërinë e porsaformuar të SKS, e cila për të shpronësuar shqiptarët kishte praktikuar reformën agrare, duke sjellë kolonë serbë e malazezë nga viset e ndryshme të mbretërisë së atëhershme. Kolonizimi qe shoqëruar dhe më serbizimin e popullatës vendore, e cila kishte reaguar me kryengritje të mëdha të shoqëruara dhe me migrime drejtë Turqisë dhe vende të tjera (për këtë duhet parë Programin e shpërnguljes të V. Çubriloviç-1937, dhe elaboratin e nobelistit Ivo Andriç-1939). 

Më kapitullimin e mbretërisë jugosllave më 1941, pjesa më e madhe e Kosovës i përkiste sferës okupuese italiane, më pastaj gjermane dhe bullgare. Në mbledhjën e dytë të AVNOJ-it 29/XI/1943), Kosova mori atributet e një formacioni shoqëror politik të pavarur, respektivisht qe pranuar për provincë të pavarur në shtetin socialist në formim e sipër. Këto atribute do të afirmohen dhe më shumë në Konferencën e Bujanit më 31/XII/1943-2 janar 1944. Me themelimin e Jugosllavisë komuniste jemi dëshmitar të aneksimit të Kosovës nga Republika e Serbisë. Pas ashpërsimit të marrëdhënieve ndërmjet të Jugosllavisë dhe Shqipërisë më 1948, represioni madh mbi shqiptarët ishte shoqëruar me shpërnguljen e madhe të shqiptarëve përsëri në Turqi. Gjatë kësaj periudhe janë dënuar një numër i madh i shqiptarëve në procese të montuara politike.

Me Kushtetutën e vitit 1963, zuri të zë fill vetëqeverisja shoqërore, që spikati reformat ekonomike dhe politike, dhe në këtë kuadër konfliktet qeveritare të evidentuara në Plenumin e Brioneve (1966), çuan në zëvendësimin e nënkryetarit jugosllav, A. Rankoviç. Gjatë këtyre viteve, si pasojë e ndarjeve historike shqiptaro-serbe, si dhe të ndarjeve kombëtare kanë vështirësuar stabilitetin e marrëdhënieve në mes të dy popujve. Aq më shumë kur dihet se mbizotërimi politik i serbëve dhe malazezëve qe mjaft i dukshëm, pavarësisht përfaqësimit të tyre numerik më të ulët.

Dy vite pas Plenumit të Brioneve (1968), i gjithë shteti do të përfshihet me domostrata të fuqishme të Nëntorit në Kosovë dhe më gjerësisht në treva të tjera shqiptare të Jugosllavisë, ngjarje këto që sollën një sërë ndryshime në të gjitha fushat e jetës duke kulmuar me shpalljen e Kushtetutës së vitit 1974, sipas të cilës Kosova mori pavarësi më të madhe autonome, pothuajse të përafërt me atë të republikës. E gjithë kjo ishte shoqëruar me reagime të ashpra nga opinioni politik e popullata serbe, cila gjatë viteve 1945-1991 në Kosovë numëronte rreth 200.000-260.000 banorë. 

Vdekja e Titos (1980), solli ndryshime të mëdha, të cilat u shprehën sidomos në funksionimin kolektiv të Kryesisë së shtetit në përbërje nga një përfaqësues prej çdo republike dhe province autonome. Ndryshimet në fjalë, u shoqëruan me krizë ekonomike dhe politike të shprehura në gjithë vendin por me theks të veçantë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco