'Çakërdisje' në përvjetorin e 22-të të dhjetorit 1998

'Çakërdisje' në përvjetorin e 22-të të dhjetorit 1998

Nga Enver S. Morina - 01/12/2020

Shkruar në dhjetor, sa herë vjen dhjetori për dhjetorin e vitit 1998, në kushtim të Afrimit dhe Beqirit. Dy vrasje në muajin dhjetor: Afrim Maliqi me 2 dhjetor 1998 dhe Beqir Gashi me 14 dhjetor 1998. I pari më dy bashkëmendimtar dhe i dyti me 36 bashkëluftëtarë...

Kur ndodhi çlirimi i disa vendeve në Ballkan nga nazifashizmi, në vitin 1944 dhe vitin 1945, Kosova mbet në Jugosllavi. U gozhdua. Regjimet e errëta vazhdonin shtypjen e një kombi të tërë. Patriotët më të mirë, ishin ata që sakrifikuan, në çdo kohë, në çdo regjim, në çdo sistem. 

Shqiptarët shpërnguleshin me dhunë nga Kosova, sikur moti nga Serbia Jugore! Vitit 1968, 1981 e pastaj dhjetë vite (1989-1999) luftë dhe përballje e pakompromis mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve sllavë. Kishte edhe shqiptarë që ishin sllavizuar. Ishin serbizuar. Lufta e drejtë e luftëtarëve më të përkushtuar për kombin, intelektualët patriot me idealin e tyre për etnikumin nga Dardania në Shqipëri, dëshmorët e rënë par Atdhe kurorëzuan fitoren historike të popullit shqiptar në Kosovë. 

Përherë anashkalohen Ata, nga këta që përfituan duke e sjell vendin në varfëri të plotë, në padituri të frikshme. Më të rrezikshmit janë veteranët e shpifur të luftës, hajnat e pasurisë së vendit, vjedhësit e pronës shtetërore. Është goditje e rëndë e eshtrave të luftëtarëve të lirisë së brishtë, që kaloj nga ngjyra kuq e zi tek dizajni trengjyrësh bardhë, kaltër e “sarih”. Të mbeturit “peng” të shkollave vetëqeverisëse jugosllave, nëse nuk vënë flamurin trengjyrësh në shtëpi, mund të të shpallin tradhtarë. Por, ja që, tri ngjyrat urrehen së bashku! Bardhësia nuk shndrinte dhe ajo në pak institucione të përgjysmuara punëtorësh. 
Tashmë ata janë zbehur përtej përditshmërisë. Kaltërsia identifikohet gati më të gjithë ngjyrat e flamujve të popujve jugosllav në triptikun e diskursit të heraldikës mesjetare. Verdhësia e sotme, jo vetëm ngjyra e yllit pesëcepësh, të bënë më të lehtësuar ndaj shkëlqimit të artë të fanellave të reprezentacionit brazilian në futboll. Flamuri më i çuditshëm dhe inkandeshent më është dukur në mëngjesin e hershëm të Ditës së Rrenave të vitit 1999 në Bllacë. 

“Sa më shumë që serbët shtrëngonin, shqiptarët homogjenizoheshin. Ata bojkotuan zgjedhjet serbe, përkundër këshillës së SHBA-ve se një pakicë parlamentare e vendosur do të mund të bënte presion të konsiderueshëm politik. Politika e dorës së fortë e Milosheviqit kishte vënë shqiptarët në rrugën e pakthim drejt pavarësisë së plotë nga serbët.”, shkruan ambasadori i fundit amerikan në Jugosllavi Uoren Cimerman në jetëshkrimin e Tij për rënien e Jugosllavisë, artikull i gjatë ky i cili u botua edhe në shqip te “Bujku” në mars të vitit 1995. 

Një fotografi e takimit mes Ibrahim Rugovës dhe ambasadorit amerikan Uoren Cimermanit, të dalë në oborrin pa grila e pa asfalt të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, përcakton qëndrimin e matur të presidentit në raport me një diplomat të lartë amerikan.

Kur isha profesor në Klinë, në një nga muajt e parë të fillimit të këtij shekulli, kur u kërcënova në FushëArrëz nga një bandit i sapo dal nga burgu, për shkak të mjekrës së qëndisur që mbaja të parruar, emrat e dy shokëve më shpëtuan. Ishte nga herët e para që shkoja në Tiranë. Ishte mesnatë. Biseda filloj edhe në prani të një polici të rendit. Çuni me kokë të rruar e kundërshtonte mjekrën time. U çakërdis. 

Në anë të kundërt, një skenë e tillë më ndodhi një vit më parë në mesnatë në Tiranë me aktoren Tinka Kurti. I kisha thënë aktores se në një nga emisionet që udhëhiqte Koço Devole duke rrëfyer për rolin e Nënë Pashakos lartësoje edhe figurën liderit komunist! Tash ishte krejtësisht ndryshe. “Fshihesha” në emrin e heronjve të rënë. Intelektualit të ri Afrim Maliqi dhe heroit të njomë Beqir Gashi. Të dy të vrarë në pritë. Të dy të vrarë në dhjetor të vitit 1998. Beqir Gashin e kisha shok shkolle në gjimnaz në Kijevë. Afrim Maliqin e kisha shok gjenerate në studimet në Fakultetin e Letërsisë.

Me Beqir Gashin kapërcyem vitet 1980 e 1981 në Kijevë. Demonstratat e Pranverës i kishim përballë të mundshmes. Leximi i gazetave “Liria” dhe “Zëri i Kosovës” kishte kuptim. Ne adoleshenteve, profesor Anton Gjin Kolaj na këshillonte më urtësi të ardhmen. 

Me Afrim Maliqin përmbyllëm vitet 1988-1989 në Prishtinë. Grevat dhe protestat tashmë i kalonim bashkërisht. Finalizimi ishte i trishtuar: lëshuam konviktet për “pelegrinët” sllavë të një Beteje me përmasa perandorake. Miti shpaloset vrazhdët në gjashtëqind vjetorin e rapsodisë mesjetar. 
Vetëm ndarja bashkon njerëz. Ndarja me të keqen. Inkoshienca transcendentale nënkuptohet kur mësojmë se dëbimi i mijërave vetëve, rrënimi i gjithçka shqiptare në rajonin e Toplicës dhe përreth, një shekull e gjysmë më parë i ka bërë regjimet e Serbisë pronar të “tokave të premtuara” sikurse që sot edhe letrarët më fanatik temën e “muhaxhirëve” e kanë tabu! Nga veriperëndimi erdhi M. K. dhe u bë kryetar akademie, nga verilindja erdhi I. A. dhe u bë themelues i gjuhësisë “së provincës”, nga juglindja erdhi A. V. dhe na ligjëroj poezinë. Babai i kombit dhe albanologjisë R. Q. qëndron lart në panteonin e stërmbushur me fushata refuzimi diletant, siç i ndodh herë pas here liderit të VV jo vetëm me ruajtësit e rendit e njëkohësisht vjedhësve të “dhomave të mëkatit” por edhe në ligjërimet parlamentare të nivelit analogjik ala e ish-mbledhjeve të LDK-së në Mejtepin pranë vendkishës së Gllarevës. 

Të kthehemi në të kaluarën e afërt, tek fjalimi i liderit të VV në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Nga tri arsyet pse po ratifikohet kjo marrëveshje e imponuar prej Qeverisë, sipas Tij, e dyta “dojnë me minu rezistencën e Gjermanisë” thotë A. K. Dikush në këtë kontest racist të kontekstualitetit shtetformues mund të dyshoj, në një mënyrë a tjetrën, se pse Angela Merkel mund të jetë shpëtimtarja e Republikës?!

Nuk besoj që Prokuroria e Shtetit të ketë kërkuar dhe urdhëruar (pardon) policinë e Kosovës dhe kjo e fundit të guxoj të arrestoj të riun e akuzuar me dhjetëra vepra penale! Prandaj kur të mbërri piktori i ri në Gjermani do t’i shkruaj një letër Mathias Lutenbergut në shenjë falënderimi dhe kujdesi, e mbi të gjitha mbështetëdhënësi për kulturën dhe filmin përgjatë viteve kur punoja gazetar dhe kur e pamja e vdekjes zgjaste një javë. 

Gjysmëshekulli më parë besonim se Evropa ishte kontinent i paprekshëm nga “jashtë”. Dhe ndodhi që ishte më e bashkuar se sot. Ballkani përgatiste shpërndarjen e vetvetes. E kishte bërë edhe në vitin 1914 në Sarajevë. Bije Vokshi kapërcente kufijtë në Bujan. Asnjëherë nuk e pyetën Enver Hoxhën se pse e vizitoj Beogradin e asnjëherë Prishtinën? Apo pse nuk e takoj Çe Guevarën në Tiranë? Takimi mbi dy orë, mes presidentit të Kosovës dhe liderit të VV, dy personalitetet më pragmatike në anë të kundërta, ende më rri pezull më afër enigmatikës mes ngjyrimeve të mirëpritjeve shtëpiake nga Beli Dvor tek White House. Globalizmi ideolatrik sillej si fantazmë. Njëzet e një vite më parë, në Ditën e Rrenave, takoheshin protagonistët nën hijen e bombardimeve të NATO-s në Dedinje në Beograd. Dëshmitari “në hap më Rugovën” e ka të pamundur të tregoj realitetin tekanjoz të mosmarrëveshjes së shekullit, në kohën e shpërfytyrimeve të robërisë, sepse ishte vetëm njëri nga truprojat e sigurisë së afërt. Prandaj, takimet e sotme televizive bëhen të rëndësishme për debatin dhe fyerjet e munguara në të kaluarën.

Nga 2 dhjetori e deri me 14 dhjetor lëvizën dekadat. Një vit më pas edhe mileniumet. Ishin kujtimet, një çast i ngrirë përjetësisht. Fatmirësi për një popull që nuk e njeh ende Mesjetën. Fatkeqësi për një historian që nuk e njeh të sotmen përmes së shkuarës.

Pasi lexova veprën monumentale të Gëzim Qëndros në kushtim të Kinostudios “Kinostudioja “Shqipëria e vjetër” seç më shkoi në mendje kompozicioni i shtatores së Gjergj Kastriotit në Prizren dhe i Knjaz Llazarit në Mitrovicë. I pari me një dekret princëror a dipllomë nga Fakullteti i Edukimit në Prishtinë si një plak i urtë nën veladonin e një kleriku i afrohet grigjës së Perëndisë të krijoj artin e një ushtaraku paqësor (edhe Naimi thotë “po vjen si pëllumb i shkruar”) dhe i dyti duke rrënuar parahistorinë bizantine, me gisht urdhëron të pranishmit se “atje ndodhi thyerja”, “atje ndodhi humbja”, se në Gazimestan festohet Beteja! Dardania e kryqëzimit modern?! Sikur vlera e filmit sovjetiko-shqiptar i vitit 1953 vjen e bëhet më enigmatik edhe kur kineastët e moderuar ndërhyjnë në të për ta shpërfytyruar ligjërimin e aktorëve të vjetër, gjuhën e tyre. Nëse autorësia në shqip e librit të Barletit ka “mbetur” dhe “gozhduar” në amanetin e përkthyesit Henrik Lacaj cili do ishte dënimi për ata që patën guximin për ta ridubluar filmin?! Cili do jetë aktori i parë që do të dal e të kërkoj falje për pjesëmarrjen në autorësinë e gjuhës së aktorëve të vjetër?!

U bënë 22 vite që kërkoj nja aktor për monodramatizimin e vargjeve të poemthit monolog “Laokoonti” të Ismail Kadaresë, për premierën e shfaqjes në vitin 2022, si palimpsest për gjithë kontributin patriotik të Jeronim de Radës dhënë përmes “Krutan i mërguar”. Thirrja dhe klithja e Laookontit kadarean, vazhdon për Ne dhe për Ju: “Vërtiteni,/ Flisni për teatrin e për plazhet,/ Për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,/ Pa ju shkuar mendja se ai mund të shfaqet/ Në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi.” Në mes hyrjes së “daljes” Mesi i Artë filmi bardhë e zi “The Artist” shërben si gërshetim nostalgjik për shqiptarët mysliman në Anadoll dhe arbëreshët ortodoks në Kalabri. Skenografia e gjënë aktorin e përgatitur shekuj më parë nëpër skenat shëtitëse të Rilindjes evroaziatike. Prandaj festa nuk ka fund për të pasionuarit e BrExit-it ishullor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco