A ia la shenjë Agim Veliut disfata në Llap?

A ia la shenjë Agim Veliut disfata në Llap?

Nga Syri.net Kosova - 30/11/2020

Pasi e kishte shkarkuar nga pozita e ministrit të Brendshëm, nënkryetari i LDK-së qe hedhur në aksion për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Në fakt, Agim Veliu ishte thjesht preteksti. Arsyeja, siç u mësua më vonë, më e thellë rezultoi. Lideri i Vetëvendosjes e nuhati herët rrezikun nga një partneritet i kërcënuar ku dallimi me partinë që bashkëqeveriste, ishte vetëm një deputet.

Pandemia në njërën anë, presioni nga Grenelli në tjetrën, mjaftonin për ta vetërrrëzuar qeverinë e “shpresës”. Doli që ishte më shumë një qeveri e zorit dhe e prapaskenave. Mbahet mend deklarata e Veliut pas shkarkimit. “As shenjë s’ma ka lanë’, ishte shprehur ai.

Isa Mustafa ia doli ta realizojë planin e tij me Hashim Thaçin. E rrëzuan Kurtin, e vendosën Hotin. Por, marrëveshje finale me Serbinë nuk pati. Ndryshimi i shpresuar, për të cilin kosovarët votuan me 6 tetor 2019, u bllokua.

Agim Veliu, një nga hisedarët e mëdhenj në Lidhjen Demokratike, iu rikthye Ministrisë së Brendshme, duke lënë pas të hapur garën për kryetarin e Podujevës, një nga bastionet e partisë së tij. Zgjedhjet lokale nuk ishin një përballje mes Shpejtim Bulliqit dhe Nexhmi Rudarit, por një duel i fortë mes Albin Kurtit dhe Agim Veliut.

Asetet qeveritare nuk i hynë në punë LDK-së, sepse tashmë dëmin ia kishin bërë vetes në momentin që e rrëzuan qeverinë e tyre me VV-në. Pjesa dërrmuese e votuesve, e kishin mbështetur programin e Lidhjes, duke besuar se në një koalicion me Vetëvendosjen, një qeveri e pakorruptuar dhe e dobishme, do të udhëhiqte Kosovën. Zhgënjimi qe i madh e humbja e thellë.

Albin Kurti i mundi Isa Mustafën e Agim Veliun, pa balotazh. Në bastionin e LDK-së qe 20 vjet pa e humbur pushtetin. Një sinjal frikësues se çfarë i pret në zgjedhjet parlamentare, kurdo që mbahen.

Rezultati i Podujevës është tregues serioz për rritjen e pakënaqësisë ndaj LDK-së dhe partive të tjera, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka arsye të besojë për një shumicë të fuqishme parlamentare së shpejti.

Pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara që do të bëjë koalicioni aktual që ta mbajë në këmbë qeverinë Hoti, shkuarja drejt kutive të votimit duket e pashmangshme. Një kryeministër që nuk e dëgjojnë as vartësit e tij, nuk i duhet Kosovës. Më i fortë po del  Rrahman Jasharaj i SBASHK-ut se Avdullah Hoti!

Zgjedhjet në Podujevë dëshmuan edhe një herë se, pavarësisht pandemisë, Kosova mund të organizojë zgjedhje demokratike ku rezultatet nuk kontestohen. Është në të mirë edhe të vetë partive që presin humbje, të mbahen sa më parë zgjedhjet nacionale.

Sa më shumë që e zgjasin, aq më e fortë do të bëhet partia e Albin Kurtit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco