Ora e Bushit dhe 'nderi' i Surroit

Ora e Bushit dhe 'nderi' i Surroit

Nga Arben Cejku - 29/11/2020
Më 10 qershor 2007, Shqipërinë e vizitoi për herë të parë një president amerikan, George W. Bush. Të gjithë vlerësuan se lajmi i ri dhe më i madh që solli ishte paralajmërimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kur deklaroi se “mjaft është mjaft - enough is enough”! Gjithë kombi ishte në festë atë ditë dhe media ndërkombëtare po na bënte reklamë pozitive si një vend kandidat për NATO dhe për shtetësinë e pavarur të Kosovës. Një mikpritje shembullore dhe asnjë incident. Presidenti Bush vizitoi një qytezë të vogël (Fushë - Krujën) dhe aty u takua e u përqafua me banorët si në asnjë vend tjetër, ku kishte shkelur këmba e tij si President i Amerikës.
 
Media po fliste për këtë risi pozitive, derisa nga skutat e errëta gebelsiane u fabrikua dhe u shpërnda lajmi se, “Presidentit Bush në Fushë-Krujë i kanë grabitur orën e dorës ndërsa ai po përqafonte njerëzit”. Kjo shpifje sensacionale dhe anti-kombëtare gati e përmbysi imazhin pozitiv të nje kombi që në sytë e botës po tregonte një nga cilësitë e tij; mikpritjen dhe po ashtu pro-amerikanizmin e tij. Kjo shpifje cinike vuri në siklet edhe vetë stafin e sigurisë së Presidentit Bush për “mungesë vëmendjeje...”.
 
Pak orë pasi lajmi mbërriti në veshët e tyre, ata e përgënjeshtruan duke thënë se Presidenti e kishte futur oren e tij në xhep dhe se nuk kishte asnjë grabitje. Por pavarësisht këtij përgënjeshtrimi, shija e hidhur e një shpifjeje mbeti gjatë. Kur u hulumtua se kush ishte fabrikuesi i tij, doli se autori ishte lideri opozitës së asaj kohe, Edi Rama. Kjo ishte në kufijtë e të pabesueshmes!
Pak kohë më parë, në ditët kur lideri i opozitës, Lulzim Basha po e nxirrte jashtë loje me propozimet për krizën e pandemisë dhe sidomos pas vizitës së suksesshne që zhvilloi më 20 korrik në Prishtinë, Edi Rama fabrikoi një shpifje për “kasetën e Krushës”, njësoj si për lajmin e dikurshëm për orën e Bushit. Por këtë herë regjisori ishte “kujdesur” ta gjente një dëshmitar...
 
Tani që marrëdhëniet e tij me Kosovën janë prishur, sepse diplomacisë së tij kryeministrore i doli kallaji i patriotizmit fallc, kërkon të prodhojë fajtorët e rastit, siç bën për çdo dështim dhe problem që ka në sundimin e tij. E mbani mend fjalimin e tij panagjerik në parlament në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe kundër Gjykatës Speciale, të cilën sa nuk e shpalli celulë binladeniste..dhe në këtë turravrap “patriotik” shpalli edhe vendimin solemn për tërheqjen e akuzës së tij ndaj ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.
 
Shpata e Dalëzotsit mbarëkombëtar po priste nga të katër anët dhe për pak sa nuk u krijua bindja se oraroria dhe diplomacia personale këtë herë do triumfonin mbi burokracin? ndërkombëtare...U turr drejt Kosovës personalisht me 29 qershor...por Haradinaj nuk e priti dhe në konferencën e tij në aeroportin e Prishtinës dha shenja të qarta se nuk do të kishte më aleatë në Kosovë, të cilët mund t’i (keq)përdorte siç kishte bërë këto vite, kur ai e ktheu qëllim në vetvete realizimin e një batute që i tha Vuçiq, tek e cilësoi me ironi “lider rajonal”..
 
Gjatë kësaj vizite zoti Rama kuptoi që fjalimi i tij kundër Gjykatës Speciale, jo vetëm nuk kish ndihmuar të akuzuarit prej saj, por ndoshta i kishte hedhur benzinë zjarrit. Koha tregoi se përbetimet kryeministrore nga Tirana nuk kishin dhënë asnjë efekt. Kjo u kuptua nga të gjithë, sidomos kur u panë me pranga drejtuesit kryesorë të Kosovës. Vizita e Bashës ishte shqetësuese për Ramën, aq sa ai dërgoi “emisarin special”, Taulant Ballën për të kontrolluar takimet e kandidatit p?r Kryeministër.
 
Në fakt, ai duhej të vlerësonte se sa real ishte zhgënjimi kosovar ndaj Ramës, më shumë sesa vlerësimi për takimet e Bashës. Uroj që Balla t’ja ketë thënë të vërtetën, që Basha u prit si kryeministri në ardhje dhe Rama u trajtua si kryeministri në ikje.
 
Për ftohjen e marrëdhënieve me Kosovën, për traun që i është vendosur këtij bashkëpunimi ekonomik e vellazëror ka një strateg! Rama tani ka vënë në sy intelektualin dhe personalitetin e shquar, Veton Surroi dhe synon të tërheqë vëmendjen nga gjithë saga e dështimeve të tij me Kosovën përmes krijimit të armiqve dhe prodhimit të incidenteve si ai që u shpalos në mbledhjen e këshilltarëve ilegjitim të qarkut Kukës. Nuk e ka me Vetonin, por e ka me Kosovën, të cilën nuk e ka më skenë të lirë teatri, ku ai mund të ngjitet dhe të harbohet me lloj-lloj lektyrash pseudo-nacionaliste. Nuk e kishte me orën e Bushit, por me Presidentin amerikan që nuk e begenisi me një vizitë në Bashki..
 
Unë besoj se Safet Gjici është thjeshtë lajmësi i një fabrikimi cinik kryeministror, që synonte edhe turpërimin e qarkut të Kukësit edhe përdhosjen e një emri të shquar si Veton Surroi. Pak a shumë një kubdërvënie të Kukësit ndaj Kosovës dhe nxitjen e përplasjeve të panevojshme mes besh!
 
Por nuk ja ka arritur të bëjë as njërën e as tjetrën, por vetëm sa ka “shkarkuar” moralisht Gjicin, i cili duhet të mos e dëgjojë kaq shumë shefin e tij aventurier! Përdorimi i problemeve dhe halleve të Kosovës për nevoja elektorale, ashtu sikundër sulmet dhe anatemimet e personaliteteve të saj, janë rruga më e gabuar e çdo politikani në Shqipëri dhe ajo që tentoi të prodhonte Rama në Kukës mund dhe duhet të shërbejë si paralajmërimi i fundit.
 
Për më tepër Kukësi dhe kuksianet e cilitdo krah politik, nuk mund të përdoren kurrë si një mashë, që nxjerr gështenjat nga prushi propogandistik Rama - Vuçiq! Kuksianët mund të mendojnë ndryshe politikisht, por ata janë unik e të bashkuar për Kosovën dhe çështjen kombëtare!
 
Ashtu si ora që ishte dhe mbeti në dorën e Presidentit Bush, edhe Vetoni ishte dhe mbetet nderi i Kukësit dhe gjithë qarkut!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco