Llampa e Hashimit dhe djali i Haxhisë

Llampa e Hashimit dhe djali i Haxhisë

Nga Syri.net Kosova - 25/11/2020

Për një gjë, Hashim Thaçit nuk ke pse i bie në qafë. Fjalën e dhënë, kur e bën pazarin, e mban. Kur rrezikohej kuorumi i zgjedhjes së tij në postin e presidentit, i rehatoi të gjithë hezituesit.

Në një farë forme, duket si magjistar. Si Aladini. T’i kërkosh një favor në këmbim të votës, është njësoj si në përrallen e famshme-ta kesh llampën çudibërese. Dhe mrekullia ndodh sa hap e mbyll sytë.

Vëllezërit e ‘luftëtarëve’ të LDK-së, Armend Zemaj e Arben Gashi, sot njëri ministër e tjetri shef grupi parlamentar, ua rehatoi në ambasada. Deputeten e Lidhjes Demokratike, Alma Lama, e bëri ambasadore në Romë.  Djalin e Vlora Dumoshit, gjithashtu e sistemoi në Amerikë.

Edhe ndonjë deputeti të partisë së tij, ia kishte ndërruar mëndjen. Si Nait Hasanit për shembull. Sot ai është ambasador në Shqipëri me dekretin e Hashim Thaçit. Për motrën e Ganimete Musliut që veç i ndërron ambasadat e ndonjë rast tjetër, mos të flasim se janë histori të njohura të këtij turpi shtetëror të politikës kosovare.

Rasti më i freskët i djalit të Haxhi Shalës, është edhe një konfirmim i ‘besnikërisë’ së liderëve kosovarë. Në një mesnatë vere, Hashimi e Ramushi, ia kishin mësyer deputetit ende të Nismës në atë kohë, që e ndërroi partinë pasi u bind që ta jepte votën vendimtare për qeverinë e Avdullah Hotit.

Në fakt, duket pak e padrejtë t’i biesh në qafë pse iu bë djali pa një orë përvojë pune në diplomaci, konsull në Pragë. Pazari ky është. Ma jep votën, ta plotësoj dëshirën. Tender, pozitë, para apo çfarë të duash...Hape gojën!

Kësisoj, në dekadën e dytë të shtetësisë dhe të tretën të çlirimit, kemi prekur brigjet e një Banana Republike, të udhëhequr nga një qeveri e paaftë t’i ndalë abuzimet e shpërdorimet e përditshme që bëhen nga pushteti.

Më e rëndë është se këtyre as shenjë nuk ua lënë lajmet dhe reagimet, kritikat dhe akuzat. Thjesht, bëjnë çfarë të duan.

Po cili është mesazhi në fund? Pse duhet të rrijë në Kosovë një i ri, me perspektivë, i arsimuar, që ka njohuri dhe aftësi, kur shteti nuk i jep kurrfarë mundësie?

Rreziku që po e kërcënon shtetin është zëvendësimi i një gjenerate politike të korruptuar, nga trashëgimtarët e saj. Djemtë e Hashimit, Isës, Kadrisë, Fatmirit, Ramushit, e deri te ai i Haxhisë, po e marrin stafetën.

Kjo është një situatë e nderë, një moment kur nëse edhe tash nuk ka reagim dhe ndryshim, zgjedhje të reja dhe qeveri të përgjegjshme, vajhalli për Kosovën.

Në mesin e një pandemie me pasoja të rënda, kurrë më shumë, nuk na është dashur një lidership që punon për vendin.

Këta punojnë për xhepin e tyre, familjarëve dhe klientelës, prandaj edhe janë bërë bashkë, sepse e dinë që fundin nuk e shmangin dot. Por, edhe sa të këqija do t’ia bëjnë Kosovës?!


 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco