Liria ka emër, por viktimat kërkojnë drejtësi

Liria ka emër, por viktimat kërkojnë drejtësi

Nga Syri.net Kosova - 23/11/2020

Posterat “Liria ka emër”, i has ngado në Kosovë.  Në Graçanicë, një billbord u dëmtua nga persona të paidentifikuar. Kamerat janë përballë vendit të ngjarjes, por policia nuk ka zbuluar asgjë. Incidenti, fatmirësisht nuk mori përmasa serioze.

Fushata në mbrojtje të të akuzuarve nga Haga, duket më tepër si një revoltë ndaj veprimeve të Speciales, që u vuri prangat ish-anëtarëve të Shtabit të UÇK-së. Njeriu më i pushtetshëm pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, sot gjendet në qelitë e burgut, bashkë me ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë e pas lufte.

Reagimi i vobektë në Kosovë pas valës së arrestimeve, i ka nxitur mbështetësit e Thaçit&CO, që të shfrytëzojnë resurset në dispozicion për të mos lejuar rënien e mënjëhershme të reputacionit. Megjithatë duket, një përpjekje e dëshpëruar. Është absurde t’u tregosh njerëzve të tu, një histori që e kanë bluar sa e sa herë.

Ajo për të cilën thuajse askush nuk flet, janë krimet për të cilat prokuroria i ka ngritur aktakuzat e rënda. Për viktimat, thuajse asnjë zë. Gati askund. Vetëm në raste përv jetorësh, siç është ky i vrasjes së Xhemajl Mustafës, dilet me ndonjë deklaratë të shkurtër për media. Pastaj, sërish, Kosovën e mbulon heshtja.

KDMLNJ, një organizatë që do të duhej të ngrinte zërin për fatin e viktimave, shqetësohet kryesisht për trajtimin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, që bëhet sipas rregullave të Gjykatës. Një Tribunal, i miratuar me presionin dhe dakordimin e vetë këtyre që sot ranë në rrjetën e Dhomave të Posaçme.

E ndërsa, në ekranet televizive vlon ‘Liria ka emër’, emra të tjerë mund t’u bashkohen komandantëve në Hagë.

Tezave të ndryshme se Gjykata është nën ndikimin e Rusisë dhe Serbisë, mjafton t'ua përmendësh emrat e amerikanëve aty, për të hequr mëdyshjet e kota.

Çdo përpjekje për të mbuluar të vërtetën dhe krimet, nuk i shërben aspak Kosovës. Por, në këtë përballje, kemi të bëjmë me liderë, që prej kohësh e kishin nxjerrë në treg vendin.

Liria ka emër, por nuk ka pronar. Viktimat janë emër, por nuk ka pasur drejtësi për to.

Nisja e proceseve në Speciale, mund të jetë një moment shtytës, që shteti të bëhet serioz dhe të grumbullojë dëshmitë e injoruara për vite të tëra për krimet monstruoze të Serbisë në Kosovë.

Mosadresimi i përgjegjësise penale për masakrat dhe gjenocidin serb, nuk do të jetë megjithatë, kurrfarë alibie, në raport me Specialen.

Pas kaq kohësh, me siguri, edhe ata që sot janë prapa grilave, janë bindur se sa e rëndësishme është drejtësia e pavarur. Një gjë utopike edhe më tutje në Republikën tonë.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco