'Filmi erotik' i Kishës Ortodokse Serbe

'Filmi erotik' i Kishës Ortodokse Serbe

Nga Enver Robelli - 21/11/2020

Është kohë pandemie. Është pandemia më fatale në 100 vitet e fundit. Mjekët thonë: reduktoni kontaktet sociale. Dhe çdokush që i ka dy mend në krye thotë: kujdes.

Por kjo nuk ju bën përshtypje popëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe shumë besimtarëve ortodoksë. Kur vdiq metropoliti Amfillohije, në Podgoricë ngarendën t’ia puthin kufomën plot besimtarë.

Pa maska dhe me buzët gati – thua se po luhej një film «erotik» i Kishës Ortodokse Serbe. Patriarku Irinej ishte po ashtu në Podgoricë. Nuk dihet nëse u infektua aty apo gjetiu, por edhe ky e hëngri.

Tash mbetjet mortore të tij janë shtrirë në Katedralen e Shën Savës në Beograd. Kufoma është izoluar me një xham plastik. Besimtarët e guximshëm nuk po arrijnë ta puthin kufomën, por po e puthin xhamin. Njëri pas tjetrit.

Gati askush s’bart maskë. Kushte ideale që Zoti Korona, aktori kryesor i filmit «erotik» kishtar serb, të luajë rolin që e di më së miri: t’ua kthejë puthjet besimtarëve të devotshëm me infektim vdekjeprurës.

Ndërsa në Katedralen e Shën Savës po vazhdon orgjia e puthjeve dhe këtë film po e xhirojnë plot kameramanë, gazeta e pavarur “Danas” njoftoi se ka vdekur ish-peshkopi Artemije. Mos pyetni kush e vrau Artemijen. Korona! Dihet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco