Komandantët, e fituan luftën me Serbinë, e humbën me hajninë

Komandantët, e fituan luftën me Serbinë, e humbën me hajninë

Nga Syri.net Kosova - 06/11/2020

 

Një ditë pasi presidenti i Kosovës dhe dy ish-kryeparlamentarë fluturuan drejt Hagës, reagimet e vetme ishin në rrjetet sociale. As dy vetë nuk u bënë bashkë që të shprehin në shesh dikund, mllefin për arrestimin e çlirimtarëve.

Pak vite pas luftës, një situatë e tillë do të prodhonte tensione e protesta, turma njerëzish të zemëruara e reagime pa fund. Dy dekada pasi armët u dorëzuan e Kosova u çlirua, ndjeshmëria ndaj politikanëve të krahut të luftës, ka pësuar një metamorfozë të thellë.

A ju kujtohet kur nisej për në Hagë Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj? Mijëra njerëz dilnin në rrugë. Qindra mijëra dhuronin mjete financiare për mbrojtjen e tyre.

Është ndryshe sot. Tmerrësisht ndryshe. Thellë-thellë, pjesa dërrmuese e njerëzve e kanë një ndjenjë lehtësimi. Ata, të fortit, të paprekshmit, nuk janë më në krye të shtetit. Aktakuzat janë të rënda, për shumë vrasje, krime të pazbardhura, ku shumica e viktimave janë shqiptarë.

Megjithatë pakkush beson se Gjykata Speciale, do të arrijë t’i ndëshkojë çlirimtarët në fund të proceseve që  pritet të zgjasin me vite. Në sytë e kosovarëve, është më tepër një mekanizëm politik drejtësie, sesa një Gjykatë që do të ndajë drejtësinë. Për çfarë drejtësie mund të flasim, për sa kohë dhjetëra masakra të orkestruara nga Serbia, nuk morën përgjigjen e merituar  nga forca e ligjit?

Disa i shohin Dhomat e Posaçme si mjet për eliminimin nga politika të komandantëve, të cilët edhe në pandemi dëshmuan se janë në gjendje ta kthejnë përmbys edhe vullnetin e sovranit të shprehur në zgjedhje.

Dëshira e njerëzve është t’i shohin komandantët e pasuruar pas lufte, në ballafaqim me drejtësinë për bëmat e tyre në pushtet, për aferat, korrupsionin, shpërdorimin e pozitave zyrtare dhe një sërë abuzimesh të tjera. Asnjë hetues, prokuror apo gjykatës kosovar, nuk do ta nxirrte kurrë në bankën e të akuzuarve asnjërin prej ‘kokave’ që tashmë janë në sitën e Speciales.

Kur James Rubin ua tërhoqi vërejtjen për largim nga pushteti faqebarcdhë, komandantët nuk dëgjuan. Të rrekur pas pushtetit dhe parasë, atyre nuk u dilte asgjë përpara. Siç ka thënë një politikan i rryer kosovar, “nuk ua linte shenjë”.

Me një fjalë, të jemi të sinqertë. Populli është i brengosur për pasojat e pandemisë e nuk ka ndonjë merak të madh për punët e Speciales. Fundja, shumica e këtyre që po përfundojnë në Hagë, kanë bërë presion të jashtëzakonshëm që Gjykata Speciale të miratohej. Kishte prej tyre që i quanin tradhtarë ata që e kundërshtonin. Një gjykatë që e themelon vetë, duhet së paku të jetë e besueshme për ta.

Në emër të luftës, u bë kërdi pas luftës.

Dalëngadalë, ky ajsberg ligësish po zbulohet gjithandej. Lufta e UÇK-së, ishte e pastër dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo luftë e solli NATO-n, e më pas lirinë. Vërtet liria ka emër, por nuk mund të privatizohet nga askush.

Nuk ka vend për gëzim, por për reflektim dhe veprim. Kosovës i duhen sa më parë zgjedhjet e reja parlamentare, për të legjitimuar qeverinë e re.

Vendit i duhet një kthesë e fortë politike, ku partitë, nëse duan të punojnë për shtetin, duhet të reformohen dhe t’i hapin rrugën sundimit të ligjit e zhvillimit ekonomik.

Komandantëve t’u heqim kapelen për sakrificën e treguar, por pasuritë e paligjshme nëse i kanë, duhet t’u konfiskohen e të hetohet origjina e milionave pa mbulesë.

Dhe jo vetëm atyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco