Arrestimet e sotme nga 'ndërkombëtarët' dhe Rilindja Kombëtare

Arrestimet e sotme nga 'ndërkombëtarët' dhe Rilindja Kombëtare

Nga Enver S. Morina - 06/11/2020

Në vjeshtë të vitit 1877 formohet në Stamboll komiteti i fshehtë shqiptar i njohur si Komiteti i Stambollit. Rilindasit patriot patën veprimtari të përbashkëta në lartësi gjithëkombëtare në nivel Kuvendi. U mblodhën në Prizren (1878), Gjirokastër e Dibër (1879), Pejë (1905) etj.

Mbahen në vitin 1905 Kongresi shqiptar në Bukuresht dhe në vitin 1909 Kongresi patriotik i Elbasanit. Ishte periudha kur ishte hapur mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë (1877), ishte mbajtur Kongresi i Alfabetit në Manastir. Ishte hapur shkolla Normale në Elbasan, etj.

Ishte kohë kur serbët përgatisnin dhe jetësonin elaborate shfarosëse ndaj fqinjëve! Sami Frashëri botonte veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”(1899).

Një shekull më pas të rinjtë atdhetar u riorganizuan në një formacion “tjetër”. Të dinjitetshmit ju përgjigjen dhe u angazhuan në luftë në një nga periudhat më të rënda që po kalonin shqiptarët e Kosovës. 

Seç mu kujtua kthimi në pranverën e vitit 1998 nga Stambolli me bashkëfsharin (Tafë Veselaj) dhe kontrollet nëpër kufijt e atëhershëm.

Sot nuk mund të kalojmë pa vizë nëpër Bullgari për në Turqi! 

Seç mu kujtua arratisja e banorëve të Gllarevës në verën e vitit 1998 deri te mestunelat e Açarevës. Heroikisht ra Mehmet Haxhaj.

Pasdite, gjatë kthimit takova Sokol Pantinën për herë të fundit. Ai më përcolli të kaloj rrugën e asfaltuar. Kisha kohë që nuk kam parë rrugë të asfaltuar! Motrës Lulavere ju kishin enjtur këmbët nga ecja Açarevë, Gllarevë, Panorc, Damanek, Gurëbardhë e Astrazub. Ishte periudhë që kurrë nuk do e mendoja se vetëm dy vite më pasveprën e Alber Kamy-së “Miti i Sizifit” do e bleja në Tiranë

Seç mu kujtua njëri nga familjarët e familjes Delia. Mësuesi i urtë e i mirë, Habibi, babai i doktorit Sami Delia. Ishin me nipin (Asllan Hoti) në Tërdevc. Që të dy u vranë nga forcat ushatarake sërbe.

Seç mu kujtua Hasrete Zena, shoqe e shkollës së mesme në Prishtinë. Sikur në atë mbrëmje fillimpranvere të vitit 1999 në Bllacë nxirrte flokët. Vetëm munda ta qetësoj për pak çaste. E kërkonte bashkëshortin (Y. H.). 

Arrestimi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është “përcjellur” me dhembje. Me “like” e fjalë përkushtimi në facebook. Disa vijnë edhe nga veteranë të merituar e disa nga veteranë “të shpifur”! Sa e dhembshme! Mujë Krasniqin e kam njohur më mirë se nga shumë luftetarë të tjerë. Dhe heronjë. Sikurse edhe Beqir Gashin. Muja iku herët. Sapo kishte mbushur 31 vite! Rexhepi kishte edhe më pak vite, 26 kur doli në Llaushë (së bashku me Mujën e Dautin) për të bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së.

Ne do të shkruajmë edhe kur do të “arrestohen” figura të tjera të “nivelit” më të lartë, por a do të përsëriten fjalet çirrëse dhe ndonjëherë të varfëra në të njëjtin format edhe për Këta si për Ata?!

Kur në janarin e vitit 1982 u vranë në atentat tre personalitetet të njohura të veprimtarisë kombëtare, njëri nga ta shkrimtari e artisti Jusuf Gërvalla thonë se ka thënë: “Atentatorët i njoha. Nëse janë shqiptarë kurrë mos u zbulovshin!”. Ndoshta ata janë zbuluar dhe dihen...

“Ndërgjegjja” (1972) është një film shqiptar i Kinostudios që përmbyll fazën e parë të filmit artistik shqiptar. Si pikë kapërcimi nga gjuha dialektore në atë standarde, vit në të cilën u mbajtë Kongresi Drejshkrimor i Gjuhës Shqipe, i cili konsideroj është një nga ngjarjet më të mëdha të kombit për shekullin XX. Filmi është ndërtuar në tri nivele kohëreale veta rrëfimi. Një gërshetim imazhi filmik i përkryer. Ka të bëj me një aksident komunikacioni në të cilën e pëson një i ri nga që automekaniku i pakujdesshëm që lë pa rregulluar frenat e makinës.

Kurajo për të treguar të vërtetën vjen nga e dashura. Ndërgjegjja?! Ishte një nga filmat që e shikoja edhe në fundvitet e 90-ta në TVSH, valet e të cilit i ndiçnim që nga koha e xhirimit të këtij filmi. Agim Pantina, i njohur në kohën e luftës si Graniti e takoja të shpeshtën e herave. E kisha patur në klasë për disa vite. Ishim rritur bashkë. Ishte e pamundshme që të mos takohemi më të sidomos në Ditën e Flamurit. Një ditë nxitonte si përherë. Lajmi kishte marrë dhenë. Në një aksion mes UÇK-së dhe forcave serbe kishin rënë disa emra të njohur. Në mesin e tyre edhe Rexhep Selimi. “He!?”, e pyes me një frymë. “Jo, Enver!”, ma ktheu qetazi. Dhe fshehurazi n’pikëdite! “U janë gjetur vetëm letërnjoftimet e tyre!” Sikurse që atë lajm, fatmirësisht nuk u kthye në kumt, e ndjej thellë Ditën e Flamurit (“Sa afër e kemi”, ndoshta, do të thoshin semiologët letrarë postmodern të Çarkut të Prishtinës) të 28 nëntorit 1993 në shkollën fillore të Gllarevës dhe vite më pas në Sllatinë me Lirim Haxhollin, Xhevdet Qeriqin në mbrëmjen festive në të cilën ishte edhe Rexhep Selimi, me të cilin bëmë fotografi. Këtë fotografi do e vëja në Facebook, por kam frikë se do të reflektonte keq Grenelli, para fitorës së pamundshme. Në mos jo ai, pinjollet e Tij nëpër mediumet “anale” opinioniste, sigurisht publike (e jo sekrete), nëpër Prishtinë. Mund të hyjnë këtu edhe ana tjetër jopublike por sekretet e disa “pronarëve” e privatizimeve të institucioneve jo vetëm kulturore. Për metafiziken e lirisë, po të ishte gjallë Tëki Dervishi, do të hezitonim të flisnim. 

Rexhep, të parët e mi u dëbuan dhunshëm nga trojet etnike te Toplicës, e gjithandej, nga paramilitarët e atëhershëm serbë. Një shekull e disa vite më pas në kapërcyell të miliniumit forcat e errëta serbe spatruan Kosovën dhunshëm dhe me terror popullatën e pafajshme. Elaboratët serbe tashmë kishin marr formatin e një gjenocidi të pashembullt në Evropë. Po Ti, Ata, Ju luftëtarët pa profesion ushtarak dhe më pak njohje te “teknikes” militare dolet për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, këtë vend... (Shkruar me 4 nëntor 2020 para mesnate)

P. S. Në frymën e arratisjet konspirative nuk do të doja të përsëritet imagjinata se VV-në e krijoj PDK-ja, sepse edhe mund të shkruhet si trashëgimi e grackës politike në Kosovën e pasluftës. Në këtë vikend, bashkarisht me miqtë e mirë do vizitojmë Pogradecin dhe Voskopojen. Derisa në qytezën, djepin e Rilindjes Kombëtare, e njohur për Akademisë e Re, me shtypshkronjën e dytë pas asaj të Konstantinopojës në Perandorinë Osmane mund të kenë mbijetuar një trashëgimi e rrallë e qytetërimit të kohës së Mesjetës dhe e vizitojmë për herë të parë, në vendlindjen e Poetit e tëra rrëzëllen aromë e ngjyrime valëzuese liqeni. Në vitin 1999 kishte kinema siç kishte edhe në vitin 2006. Kishte edhe linjë hekurudhore Pogradec-Durrës. Po sot?! Lasgushi në Manastir, Lasgushi në Athinë, Lasgushi në Bukuresht, Lasgushi në Grac, Lasgushi në Tiranë. Por Lasgushi përgjithnjë është ngrirë në Po(g)radec. Përballë dhe afër Mitrushit Kutelit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco