Në emër të Zotit apo të dreqit

Në emër të Zotit apo të dreqit

Nga Syri.net Kosova - 03/11/2020

Sulmi terrorist në Vjenë, pas atij në Francë, dëshmoi edhe një herë pasojat e rënda të ekstremizmit dhe terrorizmit, që ushqehen nga grupet radikale në emër të fesë.

Bota po vuan shumë nga njerëzit e zhveshur prej çdo arsyeje e morali. Të pandjeshëm ndaj jetërave të pafajshme, ekstremistët nuk përfillin asgjë që u del para. Të mbushur vrer e urrejtje, ua drejtojnë tytën e armës njerëzve në mes të qytetit, në shkollë, në kinema, në kafe, në tramvaj, në sheshe...

Pasiguria kurrë nuk ka qenë më e madhe. Reagimet shtetërore ndërkohë përpiqen të ruajnë vendosmërinë në luftën kundër së keqes. Por, jo gjithnjë janë të dobishme. Si në rastin e Francës. Publikimet e karikaturave të profetit Muhamed, fyese ndaj botës myslimane, edhe pse nxitën tragjedi, nuk kanë të ndalur. Një revistë mediokre, në emër të lirisë së shprehjes po nxit trazira nëpër botë.

Liria e shtypit është e rëndësishme, por gjithçka e ka një kufi, sidomos kur cënohet paqja dhe siguria, kur vihen në rrezik jetët e njerëzve, kur nxiten deri edhe konflikte të përmasave jo thjesht ndërfqinjësore, por rajonale e globale.

Përfshirja edhe e ndonjë bashkëkombasi në këto akte kriminale të tmerrshme, është dëshpëruese dhe e ka zanafillën te propaganda fetare ekstreme, që prej vitesh i ka shtrirë degët edhe në rajonin tonë.

Qarqet radikale kanë hedhur fonde pa fund për të përhapur ideologjinë e tyre, pa u penguar nga autoritetet shtetërore, të zëna me ‘administrimin’ e pushtetit. Si rrjedhojë, kanë ‘lindur’ emra të urryer nga  Lavdrim Muhaxheri deri te Kujtimi , kamikazi i Vjenës.

Është trishtuese kur përmendet edhe ndonjë terrorist me origjinë shqiptare, si në rastin e sulmeve në qendër të Vjenës.  Kjo është ana e errët e medaljes. E ndritshmja është kur sheh protagonistët me origjinë shqiptare që u përballën me kamikazët.

Ekstremistët nuk kanë as fe e nuk njohin atdhe.  Pavarësisht origjinës, ata nuk mund të na përfaqësojnë, sepse populli ynë si popujt e botës që mbështesin vlerat demokratike dhe të drejtat njerëzore, është i renditur në krah të atyre që janë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Por, ka një problem në mbështetjen që e shprehin politikanët shqiptarë për luftën kundër kësaj të keqeje të madhe dhe solidaritetin me viktimat. Nuk është e sinqertë që në njërën anë të deklarohesh kundër ekstremistëve e në anën tjetër të flirtosh vazhdimisht me ata që janë shndërruar në burim frymëzimi për akte terroriste. Ka ndodhur në Kosovë, ka ndodhur në Shqipëri, ka ndodhur në Maqedoni.

Zërave radikalë duhet t’u mbyllet çdo hapësirë mediale e sociale, sepse propaganda e tyre ka marrë në qafë shumë familje, plot të rinj e të reja, gra e fëmijë. Kosova duhet t’i kushtojë vëmendje më serioze edukimit dhe rolit të fesë, ndërsa të jetë dukshëm më e ashpër ndaj çdo burimi të ekstremizmit.

Ata që vrasin në emër të Zotit, po e vrasin besimin e vërtetë. Është një betejë e gjatë si duket, me pasoja, prandaj duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë edukimit dhe arsimimit, në frymën e vlerave perëndimore e jo duke shikuar drejt Lindjes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco