Sulmi i Vjenës dhe nevoja për një qasje serioze në raport me diasporën shqiptare

Sulmi i Vjenës dhe nevoja për një qasje serioze në raport me diasporën shqiptare

Nga Valon Murati - 03/11/2020
Sulmet terroriste duke u thirr në fenë islame po tronditin këto ditë pandemie Evropën. Në këtë vorbull sigurisht askush nuk ka pritur që të dëgjohet edhe për emra shqiptarësh ndër sulmuesit. Të gjithë po solidarizohemi me Francën e Austrinë e me të drejtë po i dënojmë sulmet. Por sulmi në Vjenë dhe përfshirja e shqiptarëve atje është një alarm për shqiptarët kudo e sidomos për shtetet tona Kosovën e Shqipërinë por edhe Maqedoninë e Veriut. Ky sulm vë në pah edhe njëherë raportin që duhet të ndërtojmë me diasporën tonë dhe përgjegjësitë tona si shtete për organizimin sa më të mirë të diasporës shqiptare.
Raporti me diasporën shqiptare duhet të jetë më kompleks dhe më i organizuar. Zakonisht diaspora nga këtu është parë nën prizmin e sukseseve të saja atje, të ndihmave financiare që i dërgon në Kosovë dhe të votave që mund të sjell për subjekte të caktuara politike. Është e vërtetë që shumica e shqiptarëve që jetojnë në Evropën Perëndimore por edhe në vendet e tjera janë të integruar mirë dhe janë qytetarë shembullor të vendeve ku jetojnë. Për më tepër gjeneratat e reja çdoherë e më shumë po bëhen pjesë e shoqërive ku jetojnë duke u ngjitur majave të suksesit në shumë lëmi të ndryshme. Sidoqoftë është një pjesë e vogël që mbetet e margjinalizuar dhe potencialisht e brishtë e me mundësi radikalizimi fetar. Është kjo pjesë e pa integruar mirë në vendet ku jeton, ose me probleme identitare e cila rekrutohet më së lehti nga elementet ekstremiste të islamit politik.
Në këtë drejtim Shqipëria, Kosova e besa edhe Maqedonia e Veriut nuk i kanë bërë hapat e duhur. Diaspora jonë nuk duhet të lihet e vetmuar dhe pa dorën e shteteve tona. Organizimi i mësimit të gjuhës shqipe, i aktiviteteve kulturore dhe fuqizimi apo krijimi i mekanizmave që merren vetëm me diasporën (qendrat kulturore, shtëpitë e kulturës etj.) janë një ndër rrugët e duhura. Organizimi i mësimit të gjuhës shqipe ndonëse ndihmohet nga Kosova e Shqipëria ende nuk është në nivelin e duhur. Qendrat kulturore që patën filluar të hapen jo vetëm që nuk përkrahen në mënyrën e duhur por nuk është vazhduar me hapjen e qendrave të tjera. Në cilësinë e ish ministrit të diasporës kam bërë përpjekje që të intensifikojë çështjen e mësimit të shqipes në diasporë dhe hapjen e qendrave kulturore. Për këtë janë realizuar edhe një sërë marrëveshjesh me Shqipërinë. Në realizimin e tyre ka pasur barriera financiare dhe ngurtësi nga nivelet e tjera qeveritare që të vazhdohet me dinamikë të shtuar. Për ta realizuar një plan të gjerë të organizimit të mësimit të shqipes ka qenë e planifikuar që Kosova dhe Shqipëria duhet të shpenzojnë bashkërisht diku 1.5 milionë euro në vit. Kjo shifër krahasuar me miliardat që sjellin diaspora në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut është një shifër shpërfillëse. Por ka qenë dhe gjithnjë është vështirë që qeveritarët e ndikuar nga politika ditore të mendojnë pak më strategjikisht. Ndonëse Shqipëria kohëve të fundit me krijimin e resorit të diasporës brenda qeverisë ka bërë hapa tutje, Kosova e cila ka qenë më përpara ka bërë hapa prapa jo vetëm për shkak se e ka mbyllur ministrinë e diasporës por edhe për shkak se nuk e ka ndjekur Shqipërinë në krijimin e mekanizmave të përbashkët si Këshilli Koordinues i Diasporës Shqiptare. Nuk sukses në bashkëpunimin me diasporën pa koordinimin në mes të Prishtinës dhe Tiranës.
Duke parë radikalizimin e një pjese të vogël të shqiptarëve në Evropën Perëndimore, duke e parë brengën e shqiptarëve atje se një pjesë e të rinjve po radikalizohen, kam pas filluar të bashkëpunojë edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës. Çështjen e radikalizimit fetar si brengë ua kam shpreh edhe niveleve më të larta qeveritare në Kosovë dhe Shqipëri, duke ua bërë të qartë se investimet që duhet të bëjmë në diasporë janë të papërfillshme në raport me përfitimet që kemi dhe që do të kishim e në anën tjetër dëmet nga shpërfillja e kësaj problematike do të jenë shumë të mëdha. Ua kam thënë se radikalizimi i diasporës edhe për shkak të ndikimeve familjare e financiare shumë lehtë mund të bartet në trevat shqiptare në Ballkan. U kam kërkuar strategji për këtë çështje dhe ndërhyrje urgjente të shteteve tona. Në këtë strategji përveç ndërhyrjes në fuqizimin e organizimit të mësimit të shqipes, organizimin e qendrave kulturore, vazhdimin dhe fuqizimin e organizimit të rrjeteve të të rinjve, profesionistëve, e bizneseve, duhet të përpunohet edhe një plan veprimi i përbashkët shtetëror i Kosovës, Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut me BIK-un, Komunitetin Mysliman në Shqipëri si dhe Bashkësinë Islame të Maqedonisë së Veriut që të punohet me këto komunitete ku kanë depërtuar organizime fetare radikale. Gjithashtu duhet të punohet me shtetet pritëse që organizimi fetar i diasporës sonë të jetë i drejtuar nga mekanizmat legal fetar që operojnë në atdhe. Vështirë është që me përpjekje të ndara të ndërhyhet në këtë komunitet margjinal, por që mund të jetë i dëmshëm për veten, për shqiptarët dhe për vendet mike ku ata jetojnë.
Në këtë përpjekje mund të garantoj që sot që shtetet tona e kanë dorën e zgjatur të të qindra mijëra djemve dhe vajzave të mrekullueshme në diasporë e po ashtu të qindra e mijëra intelektualëve, biznesmenëve, sportistëve e aktivistëve të vjetër e të rinj që çdo ditë punojnë me komunitetin shqiptar. Ajo që duhet sot është një përfshirje e jona më serioze institucionale në organizimin e diasporës. Pra përfshirje e shteteve tona, jo e politikës së partive politike që vazhdoj të kam bindjen e plotë që po e dëmton rëndë organizimin dhe unitetin e diasporës sonë.
Në anën tjetër duhet theksuar se vetëm me fuqizimin e identitetit shqiptar të diasporës sonë ajo mbetet evropiane. Vetëm me këtë karakter identitar ajo edhe më lehtë integrohet në shoqëritë ku jeton sot. Goditja e këtij identiteti viteve të fundit, e ku sidomos në Kosovë përpjekjet kosovacentriste për ‘kombin’ e ri kosovar, por edhe realitivizimi i të gjitha vlerave kombëtare në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut (si psh e Skënderbeut), e hapin kutinë e Pandorës e cila i lë shqiptarët pa identitet dhe mundëson depërtimin e identiteteve të tjera, e sidomos në këto kohët e fundit identitetet ekstremiste të islamit politik. Kombi shqiptar i ndërtuar duke i shkrirë fetë brenda vetes, por jo i ndërtuar mbi një fe, është një komb sekular i cili toleron fetarët dhe jo fetarët, por nuk toleron dominimin e njërës palë mbi tjetrën dhe është barriera më e madhe ndaj çdo ekstremizmi fetar apo edhe ekstremizmi tjetër politik. Përndryshe duke minuar kombin shqiptar dhe shtyllat mbi të cilat është minuar ai, vetëdijshëm e pavetëdijshëm po e minojmë shoqërinë tonë sekulare, multikulturore, multifetare si dhe demokracinë tonë evropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco