Pse do të votoj për Lulzim Bashën

Pse do të votoj për Lulzim Bashën

Nga Agim Xhafka - 02/11/2020

Qysh kur u dekretua 25 prilli si ditë e zgjedhjeve parlamentare kushdo pyet veten: ‘Për kë do votoj?’ Në mend i kalojnë jo vetëm këto 8 vite, por edhe më shumë. E numëron arritjet, të metat, mungesat, justifikimet.

Kuptohet që emri i kryeministrit do dalë ose nga PS, ose nga PD. Pra do jetë Rama a Basha. Mes këtyre unë nuk e kam vështirë të zgjedh. Sigurisht Bashën.

Po pse? Se së pari e pashë Ramën në këto vite. Që nuk qeverisi, por sundoi. Njësoj si etërit e vet. Më shumë dhunoi se promovoi. E nisi me premtimin se do qe bletë, këndoi si gjinkallë e tani ka ca vite që është shfaqur si grenzë.

Sundimi i Ramës ka qenë i egër. Jo veç nga fjalori i tij mbushur me fjalën burgosje, por nga burgjet mbushur plot mjeranë që nuk paguanin ca kacidhe për faturën e dritave dhe qindrave që plaseshin në qeli se protestonin.

Sundimi edvinist u thur në avëlmend hilesh. Nisi me parlamentin skllav e shkoi larg, deri në mbylljen e gjykatave gjoja në emër të një reforme që ngjet si dy pika uji me luftën e klasave të diktatorit.

Gjatë këtyre viteve Rama ka një thes me ‘arritje’, por thes mbushur me dështime. E mori borxhin me 60% të GDP dhe e çoi 81%, por mendohet se ka kaluar 100% se janë plot pagesa që nuk i fusin në buxhet. Nuk rriti asnjë rrogë a pension.

Nuk bëri asnjë rrugë të re dhe u hap si vaji në lakra me PPP-të. Thjesht vendi po vuan e po lëngon. Në këtë panoramë ngjyrën e zezë e zë eksodi biblik. Në Siri bëhet luftë, nga Shqipëria ikin më shumë njerëz drejt Evropës.

Këtij pesimizmi qeveria i përgjigjet me eufori mjerane. Mbushur televizionet me përralla dhe me dokrra. Paraqitet një Shqipëri tjetër, ajo që në gjuhën teknike quhet 3D. Kështu premtohen aeroporte në çdo qytet, porte e jahte ngado, autostrada e tunele pa fund dhe si përfundim po arrin premtimi real; ‘Edhe rrogat e pensionet së shpejti do merren në 3D’.

Ka dhe qindra argumente të tjera pse do votoj kundër Ramës. Ja që kështu e katandisi ai vendin, nuk e ke vështirë ta flakësh ketë mashtrues nga votimi.

Po pse do votoj për Bashën?

Se vërtet është 4 cm më i shkurtër se Rama, por ka mendjen më pjellore. Jo me batuta e fyerje, se për to Rama ka shok veten. Është më i arsimuar, më i matur, më i përgjegjshëm, më largpamës dhe me ekip plot personalitete.

Jo me Ballë, Ulsi e Spiropal, me shërbëtorë të pazemër që duan partinë më shumë se Shqipërinë. E mbi të gjitha, e votoj Bashën se po na tregon një program. Pa timon, pa daulle e pa sharje e fyerje. Një program që e besoj dhe mendoj që do na nxjerrë nga llumi.

E përveç këtyre i besoj Bashës se pati plot arritje kur qe ministër. Ka kontribut te Rruga e Kombit, te heqja e vizave, te hyrja në NATO. Nuk janë pak.

Të mos harrojmë se Basha është i ri, sa djali i Ramës në moshë dhe qesh me dhëmbët e tij e jo me proteza si Rama që i tunden sa herë kërcënon.

E di që do e sfumojnë psh; vlerën e tij për Rrugën e Kombit. Ka vjedhur, do thonë. E do nxjerrin materiale të Kontrollit të Shtetit. Por harrojnë se po ky Kontroll Shteti ka akuzuar qeverinë e Ramës se shpërdoron afër 1 miliard euro çdo vit.

Unë do votoj Bashën edhe po më thanë, Basha fle gjumë. Do u them, në se Luli fle gjumë, Rama të le pa gjumë.

Shihni varfërinë, shihni krimin, shihni drogën, shihni eksodin, shihni borxhin, shihni dhe ekskursioni e tij pardje në Vermosh. Qindra policë e mijëra nëpunës u ngjitën në male t’i bënin shoqëri një kryeministri që në kohë pandemie bredh me helikopter dhe masturbohet atje lart me mjerimin e shqiptarëve.

Harxhon miliona e miliona kur Covid po bën kërdinë e kur asnjë rimbursim ilaçesh nuk duket në horizont.

Kurrë nuk votoj për këtë mostër. Kurrë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco