Serbia në ofensivë, Kosova inferiore

Serbia në ofensivë, Kosova inferiore

Nga Ramadan Qehaja - 02/11/2020

Shteti i Kosovës dhe shoqëria e saj vazhdojnë të i ekspozohen një game të gjerë të sfidave e rreziqeve si pasojë e jostabilitetit të brendshëm politik, krizës ekonomike e shëndetësore si dhe kërcënimeve pothuajse imanente nga jashtë, vecmas nga Serbia. Pavarësisht se të gjitha këto sfida pothuajse njëtrajtshmërisht ndikojnë në brishtësinë e situatës së sigurisë në vend, do të ndalem kryesisht tek sfida e fundit e cila shkaktohet nga faktori i jashtëm – Serbia.

S’do mend se Serbia ka intensifikuar përpjekjet për të betonuar një situatë të ‘’konfliktit të ngrirë’’ me Kosovën. Ky skenar i shërben më së miri establishmentit ekzistues në Beograd sepse krijon relevancë rajonale e ndërkomëbtare si shtet që mban celësin e (jo)stabilitetit në Ballkan por edhe në rrafshin e brendshëm shfrytëzon fiksim shoqëror në Serbi me dominancën e tyre në raport me shtetet/popujt tjerë në dëm të zhvillime negative të brendshme sic janë autokracia dhe mungesa e sundimi i ligjit.

Serbia vijon së kalkuluari që qëllimet e saj strategjike vështirë se do i arrijë në formë të lehtë, sic janë integrimi i përshpejtuar në BE apo edhe marrja e timonit për dominimin e popujve tjerë më të vegjël, kështu që tani më synon të përdor instrumentin rus të shkaktimit të problemeve dhe ngadalësimit të proceseve. Për ti arritur këto qëllime ajo kombinon instrumente diplomatike, ushtarake e ekonomike si më poshtë:

Në aspektin diplomatik, Serbia haptas është angazhuar në jetësimin e partneriteteve strategjike me Kinën e Rusisë, fuqi këto të cilat hapur punojnë në dëm të interesave të shteteve perëndimore e edhe organizatave multilaterale sic janë NATO dhe BE. Ajo përdor kontestin e pazgjidhur me Kosovën si një shantazh jo vetëm për Kosovën por edhe shtetet perëndimore duke rritur artificialisht pozicionin e saj më shumë se cmund të projektoj. Me fjalë të tjera, veprimet e tilla dëshirojnë të dërgojnë mesazh (pjesërisht me sukses deri më tani) se Serbia vendos për stabilitetin në rajon përderisa është faktor ‘’vendim-marrës’’ në raport me Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në aspektin ushtarak, armatosja e Serbisë përtej nevojes vetëmbrojtëse te saj nuk duhej parë si një veprim të një vendi sovran por si një kërcënim imanent për fqinjët e sidomos Kosovën.

Ajo vijon armatosjen me armatim ofanziv përfshirë dhe raketat tokë-ajër nga Rusia e Kina përderisa në anën tjetër është tërhequr nga kontributi me forca në misionet paqëruajtëse të BE-së dhe OKB-së. Dislokimi i shtuar I forcave në kufi me Kosovën përbën shqëtësim permanent për popullatën përderisa skenari i shfrytëzimit të një momenti të volitshëm për dislokim forcash në veri duket cdo herë më i pranishëm.

Serbia do të synojë të shfrytëzojë mungesën e një kohezioni të madh brenda NATO dhe rrjedhimisht brenda kontigjenteve të KFOR ku pjesë e saj janë edhe njësite nga disa shtete të cilat kanë marrëdhënie të shkelqyera me Beogradin e sidomos me Presidentin serb Vucic. Megjithatë, duhet pranuar që gatishmëria vepruese e ushtrisë serbe nuk është në nivelin sic proklamohet duke pasur parasysh rënin e moralit të ushtarwve e eprorëve serb dhe numrit tw madh largimesh të personelit.

Në aspektin ekonomik, Serbia do të tentoj të shtrijë dominimin e saj nëpërmjet produketeve duke subvencionuar kompanitë për të rikthyer tregun në Kosovë. Ajo ekonominë e sheh si instrument jo të bashkëpunimit rajonal por të hegjemonisë në dëm të Kosovës dhe shteteve tjera më të vogëla. Tregues të kësaj gjendje janë barrierat jo-tarifore që i imponohen prodhuesve tanë si dhe vështirësitë që i shkaktohen ndërmarrësve tanë në ekspotimin e mallrave në Serbi dhe ato të cilat kanë për transit Serbinë.

Me gjithë këto sfida, pyetja shtrohet se si duhet ne të kundërvihemi këtyre veprimeve destruktive nga Beograd?

Sigurisht se Qeveria ekzistuese ka një bazë të dobët qoftë në aspektin e resurseve por edhe në aspektin e legjitimitetit të saj për të i rezistuar sfidave që vijnë nga jashtë. Megithatë, pa hyrë në aspektin ekonomik e politik që kërkojnë një shtjellim më të madh, Qeveria duhet që të shtyejë përpara procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri I cili duket se nuk është sipas dinamikës së paraparë. Dinamika e këtij tranzicioni është jetike në raport me sfidat strategjike që vijnë nga Serbia dhe rrjedhimisht Ministria e Mbrojtjes duhet të kursehet në maksimum nga implikimet buxhetore sado që mund të justifikohen ato për momentin e pikërishëm.

Poashtu, Qeveria duhet të intensifikoj komunikimin me KFOR dhe të ushtrojë një formë të ‘’pronësisë’’ ndaj temave ushtarake përfshirë dhe ato brenda fushëveprimit të KFOR duke ruajtur relevancën por edhe ushtruar autoritetin civil sidomos në raport me temat e sfidat jetike sikurse kjo. Në anën tjetër, lypset edhe një mobilizim më i shtuar I policisë dhe rritja e gatishmërisë vepruese e ne vecanti njësisë speciale e cila duhet të jetë e gatshme si ndërhyrës i parë në raport me ruajtjen e kufirit dhe me zhvillimet e mundshme në veri e gjetiu.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco