Zgjedhjet në SHBA dhe Shqipëria

Zgjedhjet në SHBA dhe Shqipëria

Nga Gledis Dukaj - 29/10/2020

Nga Gledis Dukaj*

Në një intervistë dhënë në vitin 1975 Ronald Reagan paralajmëroi se demokracia amerikane rrezikohej nga ekstremizmi i të majtës liberale. Reagan tha se: “nëse fashizmi do të vijë ndonjëherë në Amerikë ai do të vijë në emër të liberalizmit”. 45 vite më parë dukej sikur në këtë qëndrim kishte alarmizëm të tepruar. Ndërkohë sot, në dritën e zhvillimeve të fundit në SHBA, vëzhgimi i guvernatorit konservator të Kalifornisë rezulton i mprehtë dhe largpamës.
SHBA-të kanë shoqërinë ndoshta më të polarizuar të botës perëndimore. Hendeku ideologjik mes konservatorëve tradicionalistë dhe të majtës shekullariste është thelluar, ndërsa beteja kulturore është bërë më e ashpër. Së fundmi, në radhët e partisë Demokratike janë forcuar rrymat neomarksiste që synojnë zhbërjen e sistemit kushtetues të dalë nga revolucioni amerikan i fundshekullit të XVIII, të cilin e konsiderojnë në thelb racist dhe të padrejtë.

Në botëkuptimin e të majtës, Amerika është një vend i padenjë. Pakicat e të gjitha llojeve, raciale, gjinore, seksuale, etj., shtypen dhe diskriminohen padrejtësisht, kryesisht nga një kastë meshkujsh të bardhë racistë që mban levat e pushtetit në SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një qasje ideologjike tipike neomarksiste, që zëvendëson konceptin klasik të luftës së klasave mes kapitalistëve të pasur dhe punëtorëve të varfër, me konfliktin shoqëror me sfond racor.
Në këto kushte objektivi i të majtë amerikane është ndryshimi rrënjësor i sistemit politik dhe kushtetues të SHBA-ve, për të garantuar drejtësi ekonomike, racore dhe shoqërore për të gjithë amerikanët. Protestat e kësaj vere ishin shprehje e dhunshme e kësaj beteje, e cila deri në zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit është zhvendosur përkohësisht në rrafshin politik.

SHBA-të gjenden pra para një udhëkryqi pa rrugë të mesme, me dalje të detyrueshme majtas ose djathtas. Qytetarët amerikanë duhet të zgjedhin mes dy alternativave qeverisëse diametralisht të kundërta. Në njërën llogore politike është presidenti në detyrë Donald Trump që garon për një mandat të dytë. Në opinionin e gjerë amerikan dhe botëror Trump njihet për egocentrizmin e tij dhe retorikën e paparashikueshme dhe aspak presidenciale. Pavarësisht ceneve në karakter dhe temperament, presidenti Trump i ka qëndruar besnik premtimeve elektorale që e sollën në pushtet 4 vite më parë. Ai ka qeverisur në mënyrë shumë konservatore dhe ka premtuar se gjatë mandatit të dytë do të zbatojë të njëjtin program në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, emigracionit, politikës së jashtme, etj.

Çka është më e rëndësishme, presidenca e dytë Trump do të respektojë themelet e demokracisë amerikane, në veçanti kushtetutën, baraspeshën e pushteteve, integritetin e gjykatës supreme, si dhe të drejtat themelore të besimit fetar, të shprehjes dhe armëmbajtjes nga qytetarët. Me pak fjalë, Trump do të vijojë zbatimin e politikave sovraniste të mishëruara në doktrinën e tij “Amerika e para”, duke ruajtur të paprekura shtyllat kushtetuese të demokracisë amerikane.

Në llogoren përballë Trump qëndron e majta ultraliberale e përfaqësuar nga Joe Biden dhe Kamala Harris, dyshja më “progresiste” që partia Demokratike amerikane i ka paraqitur ndonjëherë votuesve amerikanë. Bileta presidenciale Biden dhe Harris mbështetet nga një koalicion i gjerë dhe heterogjen ku bëjnë pjesë elitat globaliste të botës akademike, shtypit të shkruar, mediave audio-vizive dhe sociale, pjesa dërrmuese e burokracisë federale, si dhe disa korporata të mëdha amerikane. Kjo dyshe mbështetet edhe nga fraksioni socialist i partisë Demokratike i drejtuar nga senatori Bernie Sanders, filantropët e majtë, ku spikat George Soros, dhe nga lëvizjet e dhunshme guerile dhe neomarksiste “Antifa” dhe “Black Lives Matter Global Foundation - BLM”. Këto të fundit janë të mirë-organizuara dhe financohen bujarisht nga korporata dhe filantropë të njohur amerikanë. Vetëm “Fondacioni për Shoqërinë e Hapur” i George Soros i ka dhuruar BLM mbi 30 milion dollarë amerikanë gjatë viteve të fundit.

Një konglomerat i tillë ideologjik-financiar nuk është parë ndonjëherë në politikën amerikane. Atë e ngjizi dhe e mban bashkë jo vetëm urrejtja ndaj presidentit Trump, por kryesisht dëshira patologjike e së majtës për të marrë dhe mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe synimi i saj për të zhbërë Amerikën tradicionale, rrënjët e të cilës shkojnë thellë në histori, pikërisht në kushtetutën e vitit 1776. Nëse merr kontrollin e presidencës dhe senatit, ky koalicion do të përpiqet me çdo mjet që të jetësojë programin e tij të majtë.
Me sebepin e zbatimit të kauzave ultraliberale (p.sh. luftës kundër ndryshime klimaterike apo diskriminimit) e majta pritet të zgjerojë ndjeshëm rolin e qeverisë federale në dëm të lirive individuale, përtej kufijve të parashikuar nga kushtetuta amerikane, të politizojë gjykatën supreme duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe të abrogojë garancitë ligjore që ruajnë pakicën në tirania e shumicës në senatin e SHBA-ve (filibuster rule). Falë masave të tilla partia Demokratike do mund të miratojë ligje transformuese të shoqërisë amerikane, pa pasur nevojë për kompromise me kundërshtarët republikanë. Do të jenë qeveria federale dhe gjykata supreme ato që do të imponojnë nga lart zbatimin e parimeve të barazinë ekonomike, mjedisore, raciale, gjinore apo seksuale, duke anashkaluar dinamikat e tregut të lirë dhe veprimin i individit në shoqëri.

Pikërisht për arsyet e mësipërme këto zgjedhje presidenciale janë cilësuar me të drejtë si më të rëndësishmet e ndoshta 100 viteve të fundit në SHBA. Rezultati i tyre do të ketë pasoja të jashtëzakonshme për disa gjenerata të ardhshme. Nëse presidenti Trump do të rizgjidhet, Amerika do të mbetet vendi i lirive dhe mundësive të pamata, ku individi mund të shkëlqejë dhe të gjejë begatinë private dhe familjare pa ndërhyrjen e qeverisë qendrore. Ndërsa me fitoren e të majtës, Amerika do të hyjë në një spirale dekadence ekonomike, morale dhe shpirtërore, duke shënuar kështu edhe fillimin e rënies së superfuqisë së saj.

Natyrisht rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të përcaktojë edhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-ve me botën e jashtme, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Evropën Juglindore ku përqendrohen interesat madhore kombëtare të vendit tonë. Për arsye të njohura historike Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin, që janë materializuar në një partneritet strategjik në fushën e sigurisë kombëtare.

Që ky partneritet të zhvillohet më tej, është në interesin e klasës politike shqiptare në Tiranë dhe rajon të mbajë një qëndrim të baraslarguar nga dy kandidatët, pavarësisht preferencave politike dhe ideologjike. Në këtë kontekst, thirrja e ish kryeministrit të Kosovës Albin Kurti drejtuar shqiptaro-amerikanëve për të votuar biletën Biden-Harris, ishte e gabuar dhe e papërgjegjshme. Në fakt, kjo lëvizje nuk mund të lexohet thjesht si reagim ndaj ndërhyrjes amerikane për rënien e qeverisë Kurti, por fsheh në vetvete simpatinë e liderit neomarksist kosovar për agjendën radikale të së majtës amerikane.

Kurti duhej të paktën të nxirrte mësime nga gabimi i sivëllait të tij, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili me papërgjegjshmërinë dhe fudullëkun tipik të një aventurieri politik, dhe për llogari të mentorit të tij George Soros, përgojoi botërisht në CNN kandidatin Trump në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Vetëkuptohet, që Rama nuk ka ndryshuar asnjë presje nga vlerësimi i tij i atëhershëm për Trump, pavarësisht se interesi politik ia do që të mbajë marrëdhënie të mira me administratën amerikane. Rama, ashtu si politikanët e tjerë të vetëquajtur elitistë të Evropës perëndimore, e përçmojnë thellësisht presidentin Trump dhe qeverisjen e tij që bazohet në parimet e konservatorizmit amerikan.

Lulzim Basha është lideri shqiptar që është politikisht dhe ideologjikisht më afër partisë Republikane të Donald Trump. Si kryeministër i Shqipërisë nesër, atij do t’i duhet të bashkëveprojë ngushtë me administratën e dytë Trump për çështje të interesit tonë kombëtar në rajon dhe BE. Ka shumë arsye pse Basha dhe e djathta shqiptare duhet ta shohin me simpati dhe shpresë rizgjedhjen e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Së pari, një fitore e Trump do të galvanizojë më tej lëvizjet e djathta, qoftë dhe ato sovraniste, në të gjithë Evropën, përfshirë këtu edhe në Shqipëri. Rritja e të djathtës në Evropë nuk do të çojë detyrimisht në shpërbërjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç druan shumëkush, por ndoshta në një rishikim të strukturës së BE në funksion të kufizimit të rolit të burokracisë së Brukselit dhe rritjes së përfaqësimit të zgjedhësve.

Së dyti, është e arsyeshme të hamendësohet se një mandat i dytë i Trump do t’i nxisë liderët Evropianë të reflektojnë me kthjelltësi dhe largpamësi rreth perspektivës së marrëdhënieve me SHBA-të në fushën e sigurisë. 61 vite pas themelimit të NATO-s ka ardhur koha që Evropa perëndimore të investojë seriozisht për mbrojtjen e saj dhe të bëhet ushtarakisht e pavarur, duke dalë kështu nga ombrella ushtarake që i garantojnë SHBA-të. Borxhi publik amerikan pritet të kapë së shpejti shifrën marramendëse prej 30 trilion dollarësh, ndërsa interesat strategjike të SHBA-ve do të zhvendosen me shpejtësi edhe më të madhe në lindjen e largët, ku Amerika do shtojë përpjekjet për të ndalur ekspansionin kinez . Në këto kushte administratat e ardhshme amerikane do të jenë të detyruara të shkurtojë shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe të vijojnë uljen e angazhimit ushtarak në Evropë.

Së treti, nuk duhet harruar që ishte presidenti Trump ai që e ktheu vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë nga Kosova dhe Serbia, pas një mungesë 8 vjeçare të administratës Obama-Biden, Gjithashtu, ishte administrata e tij hoqi nga tryeza e diskutimeve opsionin e ndarjes së Kosovës, i cili, sipas deklaratave të ish këshilltarit të sigurisë kombëtarë John Bolton, ishte ofruar nga dyshja Thaçi-Vuçiç, me gjasë me bekimin e kryeministrit Rama. Nëpërmjet të dërguarit të posaçëm Richard Grenell, pritet që administrata Trump të vijojë të jetë drejtpërdrejtë e angazhuar në zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

Së katërti, presidenca e dytë Trump do të punojë energjikisht për të penguar depërtimin ekonomik skllavërues të Kinës në Evropën Juglindore dhe përdorimin e teknologjisë 5G të shitur dhe kontrolluar nga prodhues kinezë, çka bart pasoja serioze për sigurinë tonë kombëtare dhe të rajonit.

Së pesti, prioritet i administratës Trump në botë do të jetë nxitja e vlerave amerikane të atdhedashurisë, lirive themelore, veçanërisht asaj të besimit në Zot, dhe familjes tradicionale. Në këtë prizëm, një qeveri e ardhshme e partisë Demokratike të Shqipërisë nuk do të përballet me presione nga Uashingtoni për të miratuar ligje që bien ndesh me vlerat tona tradicionale, siç për fat të keq ka ndodhur më parë.

Dhe së fundmi, rikonfirmimi i administratës Trump jep shpresë për rishikimin e reformës në drejtësi dhe futjen e saj në shinat e kushtetutshmërisë. Gjatë katër viteve të ardhshme do të rritet numri i nëpunësve pro republikanë të nivelit të mesëm, veçanërisht brenda Departamentit të Shtetit. Në këtë mënyrë ndoshta do të bëhet e mundur edhe prerja e lidhjeve të shkurtra mes përfaqësuesve diplomatikë të Departamentit të Shtetit dhe fondacionit Soros për Shoqërinë e Hapur, që ndikuan kaq shumë në hartimin dhe miratimin e kësaj reforme famëkeqe. S’ka dyshim që reforma në drejtësi është eksperimenti më i dështuar ndërkombëtar që është zbatuar ndonjëherë në vendin tonë. Rishikimi i saj është urgjencë kombëtare.

*Jurist, SHBA

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco