Heshtja e liderëve të Prishtinës dhe Tiranës pas fjalimit të Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

Heshtja e liderëve të Prishtinës dhe Tiranës pas fjalimit të Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

Nga Enver Robelli - 29/10/2020

Shaip Kamberi, deputet, aktivist shumëvjeçar i të drejtave të njeriut dhe dikur korrespondent i mediave të Prishtines nga Bujanoci, mbajti dje një fjalim të mirë në Kuvendin e Republikës së Serbisë në Beograd. Fjalimi tashmë ka qarkulluar në media në gjuhën shqipe, ata që dinë serbisht mund ta dëgjojnë edhe në youtube. 

Fjalimi u prit me nervozë nga pushtetarët shoviniste serbe të Vuçiqit dhe Daçiqit, ndërsa qarqet liberale në Serbi e lavdëruan për qartesinë, retorikën, argumentet e shprehura. 

Natasha Kandiq shkroi: "Pas fjalimit të Shaip Kamberit po marrrë frymë më lehtë". Fjalimi i Shaip Kamberit demaskoi jo vetëm politikat diskriminuese serbe, por shpalosi edhe dështimet dhe mosinteresimin shumëvjeçar të qeverive të Prishtinës dhe Tiranës për fatin dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 

Çuditërisht pas fjalimit të Shaip Kamberit nuk reagoi me deklaratë përkrahese asnjë lider institucional në Prishtinë dhe Tiranë. Nuk reagoi asnjë lider partiak. 
Ndoshta për shkak se të vërtetat që i përmendi Kamberi janë të pakëndshme edhe për disa lidere të Prishtinës dhe Tiranës, të cilët prej vitesh propagandojnë një afrim me regjimin e Vuçiqit. 

Ndoshta disa lidere të Kosovës dhe Shqipërisë nuk e përkrahin Kamberin për shkak se fshehurazi adhurojnë atë që ka arritur Vuçiq në Serbi: një parlament pa opozitë. Dhe ku shefi i vërtetë i opozitës është Shaip Kamberi, i cili me fjalimin e tij dha sinjal së nuk është politikan kukull që manipulohet për interesa të bajraktarëve politike të Prishtinës dhe Tiranës. 

Fjalimi i Shaip Kamberit do të duhej që së paku medieve të Prishtinës t'u shërbejë si rast ideal për të raportuar më shumë mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 

Nga Prishtina Bujanoci është rreth 70 kilometra larg. Në Kuvedin e Serbisë Shaip Kamberi, foli edhe për dy milionë shqiptare të Kosovës, duke përmendur krimet e mëdha të Beogradit dhe varret masive me shqiptare madje edhe para portave të kryeqytetit serb.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco