Kosova nën ‘ethet’ e qenve endacakë, Speciales dhe COVID-19

Kosova nën ‘ethet’ e qenve endacakë, Speciales dhe COVID-19

Nga Astrit Veliqi - 25/10/2020

Qentë endacakë

‘Një grua shtatzënë ka pësuar nga qentë endacakë’...‘Një nxënës është kafshuar në Bregun e Diellit’...etj.

Këto janë lajmet e kronikës së zezë që së fundi kanë tronditur jo vetëm qytetarët por edhe opinionin publik.

Kjo tablo po bëhet e dhimbshme por edhe e turpshme kur dihet që Prishtina e ka epitetin e kryeqytetit, ku qentë endacakë po bëjnë kërdi pothuaj përditë duke kafshuar qytetarët.

Kjo padyshim që nuk do shumë koment, por ka vite të tëra që ky fenomen nuk po arrin të ndryshoj për të mirë madje në gjithë vendin.

Gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Edhe pse për rehabilitimin e këtyre qenve janë derdhur miliona.

Por si në çdo projekt tjetër kuturu edhe ky nuk ka funksionuar, ku milionat shpenzohen kot së koti.

E kjo pamje...prapë do të përsëritet, madje mund të jetë edhe me pasoja fatale për jetën e qytetarëve.

Por përderisa AVUK, ka përgjegjësi për menaxhimin dhe kontrollin e qenve, problem si duket kësaj agjencie i ka dalë edhe me vjedhjen e kasafortës.

I paprecedent...bëhet edhe lajmi sikur edhe momenti se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur vendin e preku skandali më i madh financiar.

2.1 milionë u 'avulluan' sa qelë e mshelë sytë nga Thesari...shtet se jo mahi!

Por nuk e kemi rastin e parë. Skandale të tilla kemi parë që nga paslufta, gjatë tranzicionit shoqëror, e deri tani kur e kemi festuar edhe 12- vjetorin e shtetit i cili është larë me gjakun por edhe me djersën shekullore të këtij populli.

Shteti dhe paraja publike janë të shenjta...prandaj nuk vidhen o njerëz!

E derisa jemi 20 vite pas luftës, ata që e kanë udhëhequr këtë vend jo vetëm që e kanë zhvatur dhe plaçkitur kush e sa ka mundur, por zullumi ndaj parasë publike po vazhdon derisa qentë endacakë edhe në shekullin 21 po na kërcënojnë me jetë err e terr siç thotë populli.

Andaj kërkohet veprim urgjent që ky fenomen i shëmtuar të merr fund, në të kundërtën na ka marrë pusi!

Specialja

Telenovela e Gjykatës Speciale po vazhdon, madje pas kalimit të afatit për marrjen e një vendimi, ajo po mban peng jo vetëm ata që ka intervistuar por edhe fatin e qytetarëve të vendit.

Kjo po ndodh, ngase edhe si vendim kjo gjykatë ka qenë e padrejtë, por deputetët tanë e kanë votuar vetë, prandaj siç thuhet...ja pafshin hajrin.

Edhe vendimet e saj deri tani janë konsideruar bukur kontraverse, por si të tilla janë pjesë edhe e gabimeve dhe dështimeve tona në sistemin e drejtësisë.

Hallkë kjo e cila edhe përkundër infuzionit financiar të fuqishëm, po çalon mjaft, ngase si kudo tjetër i ka futur hundët politika, por kjo nuk është çudi ngase kjo e fundit i ka zgjedhur vetë prokurorët e gjyqtarët.

Ketë turp më se miri e ka piketuar edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke u larguar nga monitorimi i zgjedhjeve të kryeprokurorëve.

E derisa jemi të saga e Speciales, pritja e një vendimi për presidentin aktual Thaçi e kreun e PDK, Veselin është e madhe, por si i tillë pritet të reflektojë edhe në skenën politike në vend.

Ta shohim...ethet janë të forta tashmë, por një vendim do të ndodh, nëse jo sot, javën e ardhshme gjithsesi.

Polarizimet politike për ndonjë 'rrotacion të ri politik' në qeveri po i mban peng ky vendim.

Sa e çuditshme kjo por edhe e dhimbshme në të njëjtën kohë ngase po sfidohet jo vetëm lufta e pastër çlirimtare e UÇK-së por edhe stabiliteti në vend.

COVID-19

E derisa jemi të ethet e forta, që nga marsi i këtij viti, Kosova po përballet me pandeminë globale, Covid-19.

Ku në bazë të rezultateve 24 orëshe, numri i të infektuarve me virusin e rrezikshëm pas një lakoreje në rënie po rritet.

E kjo e bën situatën më serioze për faktin, se kemi hy edhe në një fazë të re e cila si e tillë ka përfshi jo vetëm vendet evropiane, por edhe ato të rajonit tonë sikur janë fqinjët tanë.

Një situatë e tillë, e cila favorizohet edhe nga stinët e ftohta, duhet të alarmojë institucionet tona në mënyrë që të marrin masa më të shtuara anti-covid.

Kjo domosdo deri në një masë po ndodhë, ku policia e inspektorati shpesh me ministrin e Shëndetësisë po i kontrollojnë lokalet e natës duke i shpërndarë të rinjtë që të mos infektohen, sikur edhe duke i mbyllur ato lokale që po i shkelin masat.

Por sa mjafton kjo?

Masat duhet të jenë institucionale dhe rigoroze, madje edhe me kufizimin e veprimtarive ekonomike në orët e vona në mënyrë që të parandalohen më e keqja, kthimi në pikën zero!

Mbi të gjitha duhet të ruhet jeta e qytetarit, sikurse të mësojmë edhe nga gabimet, në mënyrë që të ngritët edhe vetëdija qytetare por edhe kolektive në mbajtjen e maskës, distancës sociale, por edhe mbajtjes së higjienës.

Ky si duket për momentin është edhe çelësi i 'shpëtimit tonë' nga më e keqja për kohën e cila e ka ndryshuar kursin e jetës sonë në mënyrë drastike.

Zilja e alarmit ka filluar tashmë edhe me ndryshimin e orës dimërore, na mbetet të shohim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco