'Proamerikanët' anti-kundërkorrupsionit

'Proamerikanët' anti-kundërkorrupsionit

Nga Brikenda Rexhepi - 25/10/2020

Është një paralele që e zhvesh proamerikanizmin – termin që përfaqësuesit politikë të Kosovës e keqpërdorin për të arsyetuar veprimet e veta.

Nëse Ujmani bëhet simboli i zotimeve të Qeverisë së Kosovës në Washington, kurse Task-Forca Kundër Korrupsionit simboli i vendimeve të Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit, dalin në pah kontradiktat.

Thirrja në proamerikanizëm e ngriti qeverinë Hoti dhe e çoi ekipin e tij në Washnigton, në shtatorin e këtij viti, për të nënshkruar një dokument që cenoi shtetësinë e Kosovës. Një bashkim i përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në kohë fushate zgjedhore atje. Një ngjarje që prodhoi nominimin e presidentit Tump për “Nobel” të paqes dhe që ia dha atij mundësinë të mbajë fjalime se si i ka ndalur “vrasjet masive mes shqiptarëve e serbëve”.

Por, ajo se çfarë bën administrata Trump për vete nuk duhet të na brengosë. Zotimet e kryeministrit Hoti po. Duke u thirrur në proamerikanizëm, në kryeqytetin amerikan hoqi dorë nga insistimi për njohje reciproke; hoqi dorë nga emërtimi “Republika e Kosovës” në dokumentet zyrtare të zotimeve që një e nënshkroi vetë e një tjetër presidenti serb; hoqi dorë për një vit nga aplikimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe pranoi të bëhet një vlerësim fizibiliteti për ndarjen (“share” – termi i përdorur në anglisht) e Ujmanit.

I ndërtuar me kredi nga Banka Botërore mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Obligimet dhe marrëveshjet për të i nënshkroi Kosova si njësi federale e ish-Jugosllavisë, derisa 9.2 kilometra katrorë shtriheshin në territorin e Kosovës e 2.7 në atë të Serbisë. Pa ujin e tij Kosova mbetet pa rrymë brenda pak orësh, meqë përdoret për ftohje në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Furnizon edhe “Ferronikelin”, sisteme të ujitjes, si dhe ujësjellësin për rreth 35 për qind të banorëve të Prishtinës.

 

Para dhjetë vjetësh përkrahja evropiane dhe amerikane përmes EULEX-it qe e fuqishme për ta ndihmuar Kosovën në luftimin e problemit kryesor të saj – korrupsionit. E tillë ishte edhe para dhe pas 2010-s. Por ky vit shënoi lindjen e një TaskForce në të cilën SHBA-ja e BE-ja do të investonin financiarisht e profesionalisht që ajo të specializohej në ndjekjen e të korruptuarve. Një trup brenda Policisë së Kosovës që, për dallim prej hallkave të tjera të sundimit të ligjit, nuk u kritikua në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2020 e që EULEX-i në raportin e parë vlerësues për drejtësinë ka shkruar për të kështu: “Task-Forca ka zbuluar dhe ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshijnë persona të njohur dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste të ndërlikuara financiare, siç janë ato që ndërlidhen me privatizime apo tenderë publikë, që i kanë shkaktuar buxhetit publik dëme të vlerësuara në miliona euro”.

Ditë më parë Qeveria Hoti e shoi atë. Tha se ishte kundërkushtetuese. Një Task-Forcë Kundër Korrupsionit brenda Policisë që ekziston qe një dekadë, periudhë gjatë së cilës LDK-ja dhe AAK-ja kanë qenë në pushtet, në konstelacione të ndryshme e që nuk u ka penguar se ajo po e “shkelte Kushtetutën”. Por çka e bën atë të tillë tani? Mediat dhe organizatat që e monitorojnë sistemin e drejtësisë kanë numëruar numrin e lëndëve korruptuese që hetohen nga kjo taskforcë e që përfshijnë zyrtarë të lartë politikë të partive në pushtet. Më herët Qeveria Hoti e shkarkoi edhe drejtorin e Policisë. Tha se pati performancë të dobët.

Për menaxhimin e pandemisë në aspekt të sigurisë dhe për aksionin në Karaçevë e pati përgëzuar atë. Por çka bëri keq tani? Dyshime u ngritën se gabimi i drejtorit ishte arrestimi i zyrtarit të lartë të partisë së kryeministrit Hoti nën dyshimet për falsifikim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Policia kishte qenë duke e hetuar atë se e kishte favorizuar kompaninë e vëllait të vet, aksionar i së cilës vite më parë kishte qenë edhe vetë zyrtari i LDK-së, për ta ngrënë pyllin në 5 hektarë tokë të shtetit, në fshatin Cërcë.

Në pyll të mjegullt do të futen tash krejt rastet që ka pasur në dorë Taskforca “antikushtetuese”. Në horizont është një komision që do ta vlerësojë nëse krejt rastet korruptuese që i ka hetuar ajo, e shkelin Kushtetutën po ashtu.

Lufta kundër korrupsionit humbet apriori kur asaj i jepen ngjyrimet politike. LDK-ja reagoi edhe zyrtarisht ndaj aksionit policor kundër zyrtarit të saj, duke e cilësuar këtë si përpjekje për dobësim politik të partisë. Kjo nxiti ministrin e Drejtësisë, që vjen nga AAK-ja, të bëjë thirrje që politika të mos i fusë duart në drejtësi, por ai nuk pati dyshime se vendimi kryeministrit Hoti për shuarjen e Task-Forcës nuk kishte “qëllime fisnike”.

Por a ka proamerikanizëm në vendimin për zhbërjen e një trupe të rëndësishme në luftimin e korrupsionit, në të cilën janë derdhur milionat e Amerikës dhe vendeve të BE-së? Ministri i Drejtësisë në një intervistë për “Deskun” e KOHËS tha se, megjithatë, TaskForca është e Kosovës, pra që vendimet për atë që është e Kosovës i merr Kosova e nuk mund të shihet me syrin e pro apo antiamerikanizmit. Tha se nuk mund të tërhiqen paralele mes Ujmanit dhe TaskForcës. Dhe natyrisht se ato janë dy gjëra të ndryshme, njëri është liqen e tjetri është trup brenda Policisë. Por të dyja janë të Kosovës e në kontekstin e pozicionimit dhe të vendimeve të Qeverisë krahasimi i tyre shpërfaq kontradiktat e argumentimeve të saj.

Deri diku edhe mund të thuash se je proamerikan nëse përqafon çfarëdo që të ofron një administratë amerikane në një kontekst të caktuar, në interes të saj, e nën një presion të caktuar... por definitivisht të bën “anti-proamerikan” një kontekst i caktuar në interes partiak e korruptues në të cilin shkatërron një investim amerikan, dhe në këtë rast edhe evropian, që për synim ka pasur t’ia ngjisë dorën Kosovës. Për ta nxjerrë nga lloçi i korrupsionit e krimit të organizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco