Komedia hyjnore

Komedia hyjnore

Nga Asdren Rrahmani - 23/10/2020

Në njërën nga debatet e shumta politike televizive mbrëmë, ku kryetari i NISMËS, z. Fatmir Limaj, ishte mysafir, ai kërkoi që të mos ngutej për ndonjë etiketim partiak në lidhje me këtë rast, sepse, thjesht, mund të bëhej fjalë për ndonjë gabim teknik gjatë transferit të mjeteve. Po, zotëri, gabimet teknike ndodhin me 4 transfere të ndryshme tek i njëjti përfitues, dhe ata të cilët i kanë bërë këto transfere largohen dhe ikin nga shteti.

 Aspak nuk kemi nevojë të ngutemi në konkluzione për t'ua veshur këtyre personave se bëhet fjalë për vjedhje. Është më mirë t’i presim derisa kallëzimi penal ndaj veprës së tyre të vjetërsohet si lëndë gjyqësore dhe pastaj ata le të kthehen edhe le të konkurrojnë të zgjidhen edhe deputetë, po deshe në partinë tënde. I kemi parë të gjitha këto më parë

Jo nuk do ta bëj kritikën letrare të veprës më të njohur të literaturës italiane nga autori Dante Aleghieri në ditarin tim. Mirëpo huazimi i titullit nga ajo vepër e literaturës së kohës së mesjetës ishte adekuat për shënimet diplomatike në ditarin tim të radhës.

Unë gjithashtu nuk do t’i kem për subjekt as ferrin, purgatorin dhe parajsën, thjesht mjafton që të merresh me Qeverinë e Kosovës në këtë botë dhe Komedia Hyjnore bëhet kuptimplote.

E bukura e një ditari të shkruar është se shumë lehtë kthehesh mbrapa në kohë dhe ngjarjet më të rëndësishme të cilat kanë lënë mbresa tek autori i atij ditari do të jenë të shënuara aty. Puna nuk qëndron ndryshe as me ditarin tim.

Po t’i referoheni atij nga java e kaluar, aty përmendet tërthorazi edhe arrestimi i kryetarit të Komunës së Istogut, z. Haki Rugova.

Një komedie hyjnore nuk iu nevojit më gjatë se një javë që të arrijë në kulmimin e saj dhe që të vazhdojë të jetë argëtuese për publikun e gjerë kosovar.

Jo shumë ditë, ndoshta edhe orë, para se të ndodhte arrestimi i kryetarit të Komunës së Istogut, z. Rugova, kryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se nën qeverisjen e tij fjala korrupsion ishte hequr nga diskursi publik.

Këtë mund ta marrim si pikën hyrëse të komedisë hyjnore.

Njëri nga aktorët kryesorë në këtë komedi hyjnore, kaskaderi politik, Isa Mustafa, nuk vonoi shumë dhe këtë arrestim e fillimisht me cinizëm e quajti arrestim për aktivitetin irridentist dhe separatist të z. Rugova, ndërsa një apo dy ditë më pas me seriozitetin e një regjisori të filmave horror në konferencë për shtyp deklaroi se arrestimi i kryetarit të Komunës së Istogut, z. Haki Rugova, ishte arrestim politik!

Secili njeri normal do t'ia plaste së qeshuri, sepse si mund të quhet arrestim politik një veprim i cili ndodh në kohën kur partia kryetar i së cilës je vetë është partneri më i madh në koalicionin qeverisës e për të qenë edhe më qesharak ky akt i komedisë hyjnore, ministri i Punëve të Brendshme i kësaj qeverie është nga radhët e LDK-së.

Mirëpo kjo ishte vetëm uverturë në aktet e radhës, të cilat komedia hyjnore i kishte në skenarin e saj për argëtimin e popullatës komedidashëse.

Në ushtrimin e detyrave në kuadër të mandatit të vet aktori i radhës në komedinë hyjnore, kryeministri Avdullah Hoti, shkarkoi nga detyra drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, për, siç deklaroi kryeministri Hoti, "performancë të dobët". Deklarata e tij nuk ishte e njëjta javë më parë kur njësitet e policisë intervenuan në Karaçevë, ku u sekuestruan 6,000 euro, u mbyllën ca lokale bixhozi dhe u zunë në flagrancë zyrtarë policorë të implikuar në vepra kundërligjore.

Mirëpo si do të mund të quhej komedi kur ti edhe nuk skuqesh fare për atë të cilën e ke deklaruar dy apo tri javë më parë në raport me atë të cilën e deklaron sot. Komedia këtë e ka, përndryshe nuk do të quhej e tillë.

Në mënyrë që akuzës së cilës kaskaderi politik Isa Mustafa ua bëri forcave të padukshme për arrestimin politik të kryetarit të Komunës së Istogut e që njëherësh është edhe zëvendëskryetar në partinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur gjatë fillimit të javës me propozimin e kryeministrit Hoti, Qeveria aprovon shuarjen e Task-Forcës Kundër Korrupsionit në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës. Kjo do të ishte një goditje direkte ndaj armikut të padukshëm në kuadër të qeverisjes Hoti, ndërsa ne avokatët e dreqit edhe cinikët do të thoshim se ishte hakmarrje ndaj partnerit të heshtur qeveritar por në opozitë, Partisë Demokratike të Kosovës, për ngritje çmimesh të pazareve të mëvonshme të cilave do t’ua dëgjojmë krismën më vonë në komedinë hyjnore.

Në vazhdimin e shtjellimit të sinopsisit dhe ngjarjeve në kuadër të komedisë hyjnore ishim dëshmitarë të thirrjes në tri interpelanca të ngritura nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj kryeministrit Hoti. Atyre interpelancave do t’u paraprinte në po të njëjtën ditë seanca për votimin e disa projektligjeve, siç ishin: ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilën as nuk do të ishin prezentë, as edhe 40 deputetë në mënyrë që të kishte kuorum për të, kjo do të pasohej me votimin e Ligjit për Kodin Civil për të cilin gjithashtu nuk do të kishte kuorum me prezencën e as 40 deputetëve të përzgjedhur të popullit në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pika e tretë e radhës për t’u hedhur në votim ishte Ligji për Financimin e Partive Politike dhe shih ti, si me një mrekulli hyjnore, aty na u vizatuan 78 deputetë dhe e votuan këtë ligj që në lexim të parë. Sikur të pyeteshin ata, nuk do të kishte nevojë as për lexim të dytë, sepse, si të bëhet fjalë për interesat e tyre vetjake dhe partive të cilave u përkasin e në kurriz të taksapaguesit dhe votuesit të tyre, ata aspak nuk hezitojnë që të jenë njëzëri dhe të bashkuar.

E unë si ambasador që jam nuk mundem e mos ta luaj rolin e avokatit të dreqit në këtë mes.

Ky ligj parasheh vazhdimin e mbështetjes financiare të partive politike kosovare nga ana e taksapaguesve kosovarë me para të buxhetit të shtetit, sigurisht me lehtësime të reja dhe beneficione financiare për partitë politike. E gjitha kjo pa asnjë debat publik me publikun, me votuesin, me taksapaguesin, paratë e të cilëve do të vazhdojnë që të financojnë parti politike rrjepcash buxhetorë.

Përse, ore jaranat e pites, nuk i bëni që ato parti të financohen direkt nga pagesa e anëtarësisë së tyre dhe atëherë do ta shihnit se sa të popullarizuar jeni dhe sa me "dëshirë" do ta paguante popullata anëtarësimin në partinë tuaj. Ju si me shkop magjik sa më të përgjegjshëm do të bëheshit mbi fjalët dhe premtimet e juaja qofshin ato elektorale, qeverisëse apo thjesht deklarata politike. Kapërcimi i pragut elektoral do të bëhej dyfish më i vështirë. Fillimisht do të duhej një kapërcim i një pragu financiar e më pas edhe kapërcimi i atij pragut zgjedhor.

Partitë politike nëpërmes anëtarësisë në staf, mes zyrtarësh e udhëheqësish

politiko-institucionalë gëzojnë përfitime nga më të ndryshmet … deri te tenderët, korrupsioni, klientelizmi … edhe punësimet partiake, ndaj nuk kanë nevojë për financim shtesë nga buxheti shtetëror. Jo kjo nuk është një amnistim dhe pajtim me atë se çfarë ata po bëjnë, por thjesht nëse ne nuk po e kemi fuqinë që ta luftojmë korrupsionin aty në kokë, ku ai ndodh, së paku mos të pajtohemi që atë ta financojmë edhe aty në rrënjë ku ai ngjizet.

Akti aktual i komedisë hyjnore ka të bëjë me "avullimin" lexo vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga kontot e Ministrisë së Infrastrukturës e të transferuara me katër pagesa tek "operatori ekonomik" privat, LDA Group Sh.p.k me bazë në Llapushnik të Drenasit.

Të shpejta ishin akuzat ndërpartiake në stilin "ti them sa nuk më tha" për t’i akuzuar se ata të cilët e kryen këtë vepër ishin anëtarë dhe përkrahës së PDK-së, përkrahës tradicionalë të LDK-së e edhe akuzat e tjera se ata ishin anëtarë të NISMËS. Disi AAK-ja shpëtoi nga kjo akuzë thjesht sepse në atë regjion ajo nuk ka votues e as simpatizantë dhe militantë partiakë dhe një akuzë e tillë nuk do të pinte ujë.

Në njërën nga debatet e shumta politike televizive mbrëmë, ku kryetari i NISMËS, z. Fatmir Limaj, ishte mysafir, ai kërkoi që të mos ngutej për ndonjë etiketim partiak në lidhje me këtë rast, sepse, thjesht, mund të bëhej fjalë për ndonjë gabim teknik gjatë transferit të mjeteve.

Po zotëri, gabimet teknike ndodhin me 4 transfere të ndryshme tek i njëjti përfitues dhe ata të cilët i kanë bërë këto transfere largohen dhe ikin nga shteti.

Aspak nuk kemi nevojë të ngutemi në konkluzione për t'ua veshur këtyre personave se bëhet fjalë për vjedhje.

Është më mirë t’i presim derisa kallëzimi penal ndaj veprës së tyre të vjetërsohet si lëndë gjyqësore dhe pastaj ata le të kthehen edhe le të konkurrojnë të zgjidhen edhe deputetë, po deshe në partinë tënde, i kemi parë të gjitha këto më parë!

Përderisa popullata vazhdon të argëtohet me Komedinë Hyjnore, qeverisja e Kosovës pëson degradimet e saja ditore të radhës dhe vërejtjet të cilat asaj i vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, kësaj radhe për shuarjen e Task-Forcës Kundër Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.

Pse ne jemi jopërgjegjës ndaj taksapaguesit tonë, të jeni të bindur se qeveritë e huaja nuk janë të tilla ndaj taksapaguesit të saj, dhe për këtë do të bindeni në aktet e fundit të komedisë hyjnore.

Si rëndom, dje, për ironi, në konferencën e tij të radhës për shtyp, kryeministri Hoti ndër të tjerash deklaroi: "Nuk keni parë gjë akoma"!

P.S. Jo, nuk e kam qitur në harresë mënyrën e privatizimit të tokave shoqërore dhe çmimin e paguar për hektarët e blerë nga ana e përfituesve (kryesisht figurave politike), por kjo nuk bën pjesë në këtë vepër të komedisë hyjnore, atë do ta shtjelloj si pjesë të tragjedisë në katër akte.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco